Po, jemi ende në dekadën e sundimit të djallit!
Le t’i rreshtojmë bëmat e tij “evropiane” në shtëpinë tonë: A nuk është ai një “punëtor i madh”, mjeshtër i djallëzisë, i intrigës, i ironisë dhe sarkazmës?
A nuk është ai seleksionues i rrallë i të sharave, mallkimeve, i gjëmave për fjalën, për lëvizjen?
A nuk e ka në nivelin më të lartë kurthin, versionin dhe vizionin modern të tij?
A nuk duket sheshit përjetimi bosh i aventurës dhe i përvojës të tij të re “artistike”?
A nuk është ai që e bëri kurban edhe letërsinë e tij? Dhe ju thoni se nuk është evropian! Çudi! A nuk ka ngritur vetëm në Tiranë mbi dymijë biblioteka për fëmijët, të rinjtë dhe të gjitha moshat?
A nuk e ktheu ai kulturën në hije dhe leximin në shkretëtirë?
A nuk ka ngritur ai klubet e teknologjisë moderne, sallat e leximit kudo që të rrok syri?
A nuk i ka afruar ai burrë pensionet shqiptare me ato evropiane?
A nuk është ai që e ka njohur dhe kthyer pronën e vjetër të shqiptarëve kudo janë?
A nuk është ai që thakmohet fort e më fort për suksesin?
A nuk është ai burrë në moshë që s’ka Zot ta kuptojë sepse shqipen e bukur e të thadruar e lexon duke lëvizur vertikalisht sa herë që shqipton një fjalë?
A nuk është po ai që ka qenë, mjeshtër në shkatërrim? E gjeni dot Teatrin? E gjeni dot…? Është ai që prej hiçit ndërton sërish (sido me shkarravina!) një tjetër vepër, po kësaj radhe një skenar allasoj.
A nuk e kini parë se nuk ia bën syri tërr para gjëmave të PPP, inceneratorëve, 5D; portit të ri në Porto Romano dhe Dubait në Durrës, rrugëve të florinjta, punëve pa garë, spitaleve dhe shëndetësisë, të arsimit fatkeqësisht zero, të kulturës së gërbulur, të ndërtimit të një kaste të tërë djajsh? Dhe ju thoni që ai s’paska të drejtë! Gjynah nga Zoti!
Ai është… e cili është ma thuaj. Ai është vetë Djalli që po ia mbush mendjen krejt Evropës dhe Amerikës, gjithë botës demokratike se është një strateg. Zot!
Pa mendo pak sikur fjalëve që mbolli vetë për NATO-n, ta merrte në dorë ai? Do mbeteshim të zhgënjyer?! Jo more! A nuk jemi bërë ne furnizues me lëndë të parë njerëzore, krejt të panjohur dhe të pavlerësuar deri tani, në Evropë?
Ah, sa herë matem, po është e vështirë. S’më lë e vërteta. Nuk do ta jap kurrë. Është imja. Edhe po s’u bë mbetet pritje.
Ja, kjo pritje e djallit më ngacmon kaq shumë. Më ngacmon simboli detyrues i pritjes. Pritja është dhe shpresë. Jeta me djallin ka kaq shumë dhembje në jetën tonë. Është humbje, po dhe pritje dhe pikërisht te kjo ndjenjë e fortë, te kjo ndjenjë e rrallë e besnikërisë është e vërteta.
Djalli është djall, fle dhe zgjohet mbi intriga. Në fund kur ai të jetë përmbysur do të shohim si është fshehur prej tij e vërteta! Pse të mos u besojmë baladave për ikjen e djallit?
Por jo! Jo!
Në Bangladesh, i cili nuk është as Europë dhe as Amerikë, djallin e përzunë vetë ata banorë të atij vendi.
Dua t’iu besoj vetëm duarve tona, shpërthimit tonë, zemërimit tonë, frymës sonë për ta zbuar këtë djall me brirë nga sëra jonë njerëzore. Prandaj çdo sekondë jona është mundësi, jetë, kërkim, pritje, shpresë, forcë dhe energji. Ne punojmë kundër tij për t’i zhdukur njëherë e përgjithmonë pikëpyetjet e pafundme! Por duhet të shpejtojmë.