Drithërues çasti final. Juria profesioniste prej 9 vetash shpalli fituese këngën “Ktheju Tokës” të këngëtares Jonida Maliqi. Duartrokitje të shumta në sallë. Emocion te publiku, ngazëllim te adhuruesit e këngëtares. Tri netët magjike të spektaklit të madh i dhanë kurorën Festivalit të 57- të të Radio Televizionit Shqiptar. Çaste të mrekullueshme përjetimi.Tashmë do të jetë Jonida ajo që do të prezantojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2019, (Festivali Europian i Këngës), në Tel Aviv, më 14-18 maj 2019. Vargjet e këngës së saj do ta drithërojnë publikun edhe atje: “Ti kendon edhe qan/, Në duar lotët mbledh/, I mban…”. Suksese Jonida Maliqi! Thoma Gëllçi, drejtori i Radio Televizionit Shqiptar, pas një punë të lodhshme që nga dita e parë e punës në këtë televizion, mundi t’i rikthejë besimin publikut. Drejt kësaj arritjeje synoi edhe Drejtorja Artistike e Festivalit, sopranoja Inva Mula. Në konferencën për shtyp në pragnisje të Festivalit, ajo tha: “Objektiv, për mendimin tim, është që ta rikthejmë freskinë dhe entuziazmin e Festivalit të Këngës në Radio Televizion drejt një publiku i cili ndoshta për arsye të shumta është shkëputur. Ne duam që ai ta kthejë vështrimin dhe të ketë dëshirën si dikur, ta ndjekë Festivalin, dhe ndoshta të mërmërisi këngët më të bukura të tij…”. Ndërsa prezantuesi i festivalit, aktori i mirënjohur, Viktor Zhusti, tha: “Ky Festival realizohet nën drejtimin artistik të një artisteje të madhe shqiptare me famë botërore, që na ka bërë krenarë kudo që ka kënduar dhe performuar, si brenda kontinentit ashtu edhe përtej oqeanit, diva jonë, Inva Mula”. Ndaj, edhe kur artistët po bëheshin gati në sallat e grimit, dashamirësit e muzikës, prisnin me padurim daljen e tyre në skenë. Emocionet ishin të forta. Prisnin të shihnin një festival ndryshe.
Ndiq ëndrrën…
Kënga fituese u shpall, ajo i dha dritë Festivalit; lodhja dhe pasioni i këngëtares u shpërblye. Mundet që gjatë gjithë kohës këngëtarja të ketë menduar: “Vallë, a do të jem unë e para”, ashtu siç mund të kenë menduar gjithë këngëtarët e të tjerët, por vetëm njëri fiton. Gjatë tri netëve gjithçka rrodhi bukur dhe këndshëm: Një ditë jeton/, Në tjetrën vdes/, Sa mall, pak shpresë/,
I vetëm, pa identitet…”. Prezantimi i këngëve u bë gjatë dy netëve: natën e parë u këndua “live” me Orkestrën Simofonike të Radio Televizionit Shqiptar, kurse nata e dytë u quajt “Nata e performancave”, ose “Nata Eurosong” sepse këngëtari do të prezantohej me të njëjtën paraqitje që do të kishte në Festivalin Europian. Dhe kështu ndodhi vërtetë. Natën e dytë këngëtarët u paraqitën me elemente shtesë artistike dhe skenike. Nata e tretë ishte e nata e konkurimit. Realizimi artistik ishte një hap i dukshëm drejt ëndërrave europiane. Performanca e Festivalit rritej nga njëra natë te tjetra. Një gjë të tillë kishin ëndërruar prej vitesh edhe artistët shqiptarë. Sigurisht, nuk ishte e lehtë. Ndiqni ëndrrën, – tha Ermal Meta, – fituesi i Eurosongut, këngëtari i 124 koncerteve vetëm për vitin 2018. Saktësisht, fjala e tij ishte kjo: “Të ëndërrosh është gjëja më e bukur në botë, por jo të kesh fantazi; ka shumë ndryshim. Ëndërrat janë shumë herë më të forta dhe vrapojnë shumë herë më shumë se fantazitë. Kur ëndërron ke përgjegjësi shumë të madhe, ke ide në mendjen tënde, por kur ato nuk i realizon dhe i lë pas dore, të ndjekin gjithmonë; është mirë t’i ndjekësh ti e jo të të ndjekin ato; ka shumë diferencë”. Dhe Meta ka të drejtë, është tjetër gjë të fantazosh sikur po ngjitesh në skenë dhe tjetër gjë ta bësh realitet duke ndjekur ëndrrën. Në këtë Festival ëndrrën e saj e bëri realitet këngëtarja Jonida Maliqi me këngën e saj mjaft të ndierë.
Nuk është e lehtë
Në festival vihet gjithçka në dispozicion të këngëtarit. Në rastin konkret kontribuan me talentin e tyre kompozitorët, dirigjentët, skenografët, muzikantët, koreografët, balerinët etj, por edhe dy prezanuesit që i dhanë krahë, hare dhe gëzim Festivalit: Viktor Zhusti, aktor i talentuar dhe me përvojë, fin dhe sigurtë, i zgjuar dhe me humor, i këndshëm dhe fisnik, i mirënjohur dhe i dashur nga publiku, si dhe artistja e shumë arteve, Ana Golja, e cila ishte flutura e gëzimit të Festivalit, ishte një prezantuese krejt ndryshe, e lirshme si ajri, e dashur si flladet që fryjnë behareve dhe e trishtueshme kur ajo linte skenën bosh. Edhe prezantimi i saj për vetëveten ishte i bukur: Mirëmbrema! Unë jam Ana Golja, kisha dy arsye të forta për ta filluar Festivalin me këngën “Ma”; e para sepse kënga “Ma” është fituesja e festivalit të vitit të kaluar; e dyta si vajzë emigrantësh shqiptarë në Kanada është malli për Shqipërinë që na mban fort lidhur me origjinën. Është shumë kënaqësi që jam këtu përpara jush, publikut më të mirë në botë! Dhe të gjitha këto ndodhën edhe në saj të drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi, i cili me pasionin e tij synon më të mirën. Por sa lodhje ka në anën tjetër, që nuk sheh syri i publikut, këtë e rrëfen Elton Deda: “Është një punë vërtetë shumë e madhe, me shumë stres, me shumë lodhje, me shumë batuta, surpriza dhe situata të këndshme dhe të pakëndshme, por për njerëzit të gjitha këto pak rëndësi kanë; ata vijnë të shohin një festival me kualitet. Unë mendoj se Festivali është serioz, Festivali gjithmon ka qenë serioz. Nga viti në vit po i rikthehen artistë, po i rikthehen emra; të rinjtë janë gjithmonë avangardë me materiale të freskëta dhe të bukura”.
I famshëm brenda natës
Pra, mes kësaj atmosfere shkëlqeu kënga e jonida Maliqit. Një shprehje e mençur thotë: “Që të bëhesh i famshëm brenda natës, duhen shumë vite pune”. Dhe kjo është e vërtetë, artistëve u duhet shumë punë. Nëse e bën këtë gjë, atëherë fati është me ty; shkëlqen brenda një nate të vetme. Mundësitë ekzistojnë. Sipas prezantuesit Viktor Zhusti, “Sot rrjeti i Televizionit përfshin 9 radio dhe 14 kanale televizive, gjeneraliste dhe tematike, me programe për të gjithë moshat dhe grupet shoqërore. Programet e Radio Televizionit Shqiptar ndiqen në të gjithë botën. Rrjeti i transmetimeve tokësore digjitale siguron mbulimin e plotë anembanë Shqipërisë. Rrjeti satelitor është shtuar me 6 kanale televizive dhe kanalet e radios. Shqiptarët në gjithë botën nga Europa, Azia, Australia mund të ndjekin të gjitha kanalet e Radiotelevizionit Shqiptar, në Television, në radio, dhe nëpërmjet internetit në aplikacione “RTSH Tani”. Pra mund të bëhesh i famshëm edhe brenda një çasti të vetëm, por vetëm nëse lodhur shumë. Shembujt që kanë luftuar shumë duhen ndjekur. I tillë është dhe balerini Igli Mezeni, pjesë e trupës së Angjelin Prelocaj, E tillë është dhe partnerja e tij, Luiz Pi. Ata interpretuan në natën finale të Festivalit, një pjesë të krijuar nga vetë Mezini, të titulluar “Fol”, sepse ai mendon se shqiptarëve u duhet të flasin më shumë me njëri-tjetrin. Krijimi la mbresa të pashlyeshme te spektatori. Edhe Mezini është një artist që punon shumë dhe me pasion.
Mos u bëj i famshëm!..
Vargjet e këngëtares Jonida Maliqi ende kumbojnë në shpirtin e adhuruesve të saj: “Ktheju tokës tende/, O njeri që zemrën lë peng/, Ktheju tokës tende/. Ti e di një zemër të prêt…”Por edhe pas fitores duhet të jesh i thjeshtë ashtu siç ke qenë ditën e parë kur këndove për herë të parë. Kur e pyetën Ermal Metën, fituesin e Sanremos, nëse ka ndonjë sekret si të bëhesh i famshëm, ai u përgjigj: “Dua të bëj një diferencë midis famës dhe suksesit; janë dy gjëra të ndryshme. Sekret nuk ka, ka vetëm punë. Unë kam kaluar shumë vjet vetëm duke punuar nga mëngjesi deri në darkë, pa bërë asnjë lloj pushimi. Lodhja kur bëhet sukses, bëhet kënaqësi Tjetër sekret nuk ka. … Nuk është se duhet të menaxhosh suksesin, mjafton të vazhdosh të bësh të njëjtë jetë që bëje më përpara. Unë jetoj në të njëjtën shtëpi, nuk ndryshuar asgjë…”. Festivali veçoi edhe kengë të tjera të bukura: Eranda Libohova për këngën e saj “100 pyetje” mori çmimin e Jurisë së Gazetarve; Marko Strazimiri dhe Imbro, për këngën “Leyla” u nderuan me çmimin e Jurisë të të rinjve. Me çmim u nderua dhe këngëtarja Lidia Lufi për këngën “Rrëfehem”. Një falenderim i merituar shkon edhe për Drejtorin e Radio Televizionin Shqiptar, Thoma Gëllçi, i cili pas një punë të lodhshme mundi të kthejë besimin te publiku. Ishte një festival i veçantë.
Komentet