(AP, T 23, pak humor)
Pata shkruar për “gozhdat” e Cartier që nuk ndryshken, “juste un clou” (thjesht një gozhdë). Ta lakosh një gozhdë dhe ta quash unazë… apo byzylyk, epo ashtu vetëm francezët do kujtoheshin, askush tjetër – kështu i pata lavdëruar vitin e kaluar : )
Askush s’ankohet për thjeshtësinë, për simplistikat në dizajn, dihet kjo. Një unazë mund t’jetë dhe diç si “rreth… gozhdë e lakuar”. Ose, në rregull, ankohemi pakëz vetëm sepse shpesh dinë t’jenë artificialitete aq të shtrenjta, kaq.
Pse jo, gozhdë e florinjtë, nëse i teket dizajnerit gozhda vishet dhe me diamante. Le t’jetë e shtrenjtë (psh. rrethore, byzylyk 12.800 €, apo 17. 760 € etj) – francezët e pëlqejnë thjeshtësinë e dizajnit me kusht që t’jetë ndonjë artefakt i shtrenjtë, sa më i shtrenjtë.
Gjërat unikale duhet ta kenë shtrenjtësinë, autenticitetin e vet, përndryshe s’do ishin “unikale”. Pa le që nazet e aristokracisë dhe të pasanikëve janë aq komplekse, qejfet e tyre maten me “flori”…
Ideja kyç rreth artefakteve luksoze është që masat e varfëra dhe ato ordinere s’duhet të kenë qasje aq lehtë. Përndryshe… what’s the point – përveç nëse fjala t’jetë për ndonjë hajn-spiderman parisien, mirëpo kjo është tjetër “këngë”. Psh. ai hajni i Parisit, ai kroato-boshnjaku i famshëm, Tomic, i cili i plaçkiste vetëm pasanikët e kateve të larta të Parisit. Vetëm ai guxonte të endej kulmeve si një spiderman, askush tjetër…
Apo dhe thjesht për pikë të qejfit, jo vetëm për hir të shtrenjtësisë, francezët e pëlqejnë thjeshtësinë e dizajnit sepse… sepse tekefundit (siç pati sugjeruar dikur Platoni i mençur) “bukuria e stilit, e elegancës dhe e harmonisë varet nga thjeshtësia, jo nga kompleksiteti”. Sidoqoftë, s’duhet ngutur me gjykimet, ec e merre vesh “filozofinë” franceze, s’janë as ata aq “statikë”, sa ia bëjnë kështu, sa ashtu. Shpesh u teket dhe “ndryshe”, s’është se na qenkan të “gozhduar”, s’e ndjekin ata vetëm një shkollë të dizajnit : )
Më bëri përshtypje “thjeshtësia” e Hermes, njësoj siç më pati bërë përshtypje ajo e Cartier (edhe Hermes edhe Cartier, të dyja janë markash franceze, sapo e pashë foton e çantës së tyre, shitej në një dyqan virtual, dhe m’u kujtua).
Edhe këta të Hermes për çantën “Veau Doblis Verrou, 2018” e patën ujdisur një bravë të florinjtë, të ngjashme me “bravën” e dikurshme të portës sonë të oborrit.
Isha i vogël por e mbaj mend fort mirë, porta jonë fare të njëjtë e kishte, identike. Dallimi i vetëm ndoshta, shkëlqimin e kishte aso “metalik”, ishte diç si mekanizëm i çeliktë, blerë nga gjyshi në “pazar”, jo shkëlqim i florinjtë : )