Për të çuar deri në fund amanetin e tij për të mos harruar shkrimtarët e përjashtuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, gjatë viteve, unë jam munduar me një numër shkrimesh modeste (kush jam unë të shkruaj për Ernest Koliqin?) për veprimtarinë intelektuale, letrare e politike, por sidomos, për rolin historik dhe heroik kombëtar të Ernest Koliqit në përhapjen e shkollave shqip në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavinë (1941-1944)
Për rolin me rëndësi kombëtare të Ernest Koliqit në përhapjen e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, anë e mbanë trojeve shqiptare, gjatë periudhës që ai ishte Ministër i Arsimit (1941-1944) kanë shkruar shumë bashkohas të tij. Roli i tij kombëtar është i mirë dokumentuar. Ministria e Arsimit në Tiranë që ai kryesonte në atë kohë pat dërguar rreth 200 mësues e mësuese, inspektorë e drejtorë, të cilët mundën të hapnin një numër shkollash fillore, të mesme dhe gjimnaz në gjuhën shqipe dhe shpërndarje bursash për studentët shqiptarë nën drejtimin personal të Ernest Koliqit, anë e mbanë trojeve SHQIPTARE nën ish-Jugosllavi, në Kosovë, Tetovë, Dibër të Madhe, të krahinave bregdetare me Ulqinin e deri në Çamëri.
Duke u nisur nga besimi i tij siç ka shkruar më vonë Koliqi, me fjalën Shqiptar, ai nënkuptonte, “Njeriun bashkombtar të Shqipnisë së vjetër dhe të Kosovës, e për të qenë krejtsisht të qartë, edhe atë të Malit të Zi e të Maqedonisë. Thërrasim, “Arbresh”, vëllaznit fisnor të Italisë e të Greqisë e të Zarës; përdorim skajin Arbnuer – nga Arbri – tue përfshi në të, mbarë gjinden e gjakut tonë, dmth, Arbreshë e Shqiptarë bashkë”, sipas tij.
Askush me mendje të shëndosh nuk mund të mohojë rolin e Ernest Koliqit – megjith pikëpamjet ideologjike komuniste, që për fat të keq, mbizotorojnë ende — në organizimin dhe drejtimin e tij të shkollave shqipe nga viti 1941 e deri në 1944 në Kosovë e mëtej. Nuk mund të mohohet as trashëgimia e tij në zhvillimet e mëtejshme historike dhe përparimet në fusha të ndryshme, jo vetëm në fushën e arsimit e të kulturës shqiptare anë e mbanë trojeve, por edhe në zhvillimet politike dhe ushtarake që çuan më në fund në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe në përmirësimin e dukshëm të drejtave të mohuara shqiptarëve gjatë dekadave. Jam i besimit se shumë prej nesh që e kemi origjinën nga ato anë, po të mos ishte për rolin e Ernest Koliqit në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare – as shqip nuk do të flisnim sot, as nuk do ta konsideronim veten bashkombas– Frank Shkreli: Mirënjohje për mësuesit e shkollës së parë në gjuhën amtare shqipe në rrethin e Ulqinit | Gazeta Telegraf Megjithë kontributet e tija të shumta Ernest Koliqi është luftuar dhe vazhdon të luftohet nga mendjet djallëzore majtiste-komuniste anti-shqiptare për bashkpunimin me regjimin e mbështetur nga fashizmi italian në Shqipëri. Kritikët maniakë modernë të indoktrinuar me ideologjinë komuniste mund të vazhdojnë të kritikojnë, të shajnë dhe të shpifin kundër veprës së Ernest Koliqit. Për fat të keq kështu u ka ndodhur dhe u ndodh në histori njerëzve të mëdhej si Koliqi, por për fatin e bardhë të Kombit, veprat dhe kontributi i Koliqit kanë lenë pas gjurmët të pashlyeshme dhe ndjenjat e thella që ruhen ndër brezat e shqiptarëve të Kosovës dhe të trevave tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi.
Tahir Zajmi i lindur në Gjakovë, (1897-1971) aktivist politik në Shqipëri në periudhën e mesluftërave botërore dhe njohës i mirë i kontributeve të Koliqit për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, ka shkruar (më 1963) se, “Fitim i madh për Kosovën ka qenë hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe…të cilat me ritëm të shpejt dhe të pandalshëm i falin Kombit pionerë të ri që do të jenë garancia më e shëndosh dhe uzdaja e së ardhmes së atdheut.” Duke shtuar se, “Merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike e qeverisë shqiptare, pa dyshim, i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin prej nji idealisti nuk kurseu energjitë e tija as mjetet shtetnore që kishte në dispozicion…e sot për fatin e bardhë të Kombit është formuar atje një rini dinamike në çdo fushë të aktivitetit kombtar e shtetëror e cila po përgatitë dhe po forcohet për të lumnue fatin e vendit në të ardhmen”, ka shkruar Tahir Zaimi nga Gjakova, sa i përket kontributit të Ernest Koliqit për gjuhën dhe kulturën në Kosovë duke shtuar se ka shumë arsye që, “Ernest Koliqi zë një vend të naltë ndër zëmrat e dashamirëve të Kosovës e njëherit edhe në historinë e përpjekjeve për naltësimin kulturor të saj”.
Ndërsa një bashkohas tjetër i Koliqit (Lok Limthi-lexo Tahir Kolgjini) në një shkrim me rastin e 60-vjetorit të lindjes së Koliqit, shprehet se, “Koliqi, me përpjekje të pa prera e pati fatin e bardhë për të zenë një vend të posaçëm midis atyre burrave të vlefshëm që ia dedikuan veten Kombit nepërmjet gjuhës. E përnjimend, shërbimi që i bëhet një kombi nepërmjet gjuhës është më kryesori. Gjuha është shpata. Gjuha është arma. Gjuha është zemra. Gjuha është shfaqja e gjallënisë, e ma në fund gjuha është vetë jeta dhe vet Kombi. Pa gjuhë s’ka Komb. Kush ka humbur gjuhën ka humbur vetveten. Është fikun përgjithmonë. Sot, veprat e Koliqit e kanë dhenë pemën e vet të shijshme dhe u flasin brezave, përsa të jetë jeta. Pra, i lumi ai për çka ka punuar. E të lumtë ata që kanë ndjekur këtë rrugë të mbarë. Pikërisht, për këtë arsye, “Zotënia i nji Kombi është ai që i shërben atij. Njerzit shkojnë e vinë, veprat e tyre qëndrojnë”, ka shkruar Tahir Kolgjini me pseudonimin Lok Limthi.
Prandaj, për këto dhe shumë arsye të tjera edhe unë po i bashkohem thirrjes që bënë muajin e kaluar, me rastin e ditëlindjes së Koliqit, dy intelektualë të Kosovës, Ambasadori Flamur Gashi me një shkrim në gazetën Dielli të Vatrës –Ernest Koliqi – Dielli | The Sun (gazetadielli.com) dhe Ahmet Qeriqi, Drejtor i Radios Kosova e Lirë –Ernest Koliqi (1903 – 1975) atdhetari që hapi 200 shkolla shqipe në Kosovën e robëruar – Radio Kosova e Lirë (radiokosovaelire.com)
Flamur Gashi, Drejtor Menaxhues i Televizionit “A2 CNN” në Kosovë, gazetar dhe ish-diplomat me përvojë dhe një figurë e njohur në fushën e gazetarisë së shkruar dhe radio-televizive në Shqipëri, bën thirrje që, “Në çdo qytet të Dardanisë, Maqedonisë, në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, në Malit të Zi dhe kudo ku ka dhe jetojnë shqiptarë është meritore të ketë shkolla, rrugë, sheshe dhe shtatore me emrin e themeluesit dhe përhapësit të arsimimit kombëtar në këto anë. Si çdo datë të lindjes së tij, në mirënjohje të thellë kujtojmë atë që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Dardani dhe në trojet e tjera etnike shqiptare, të mbetura jashtë Shqipërisë së vitit 1912: Ministrin e Arsimit Ernest KOLIQI”, ka shkruar ndër të tjera Flamur Gashi. (Shkrimi i plotë mund të lexohet në këtë link: Ernest Koliqi – Dielli | The Sun (gazetadielli.com)
Ndërkaq, ditëlindjen e Ernest Koliqit, muajin që kaloi, e shënoi edhe Profesor Ahmet Qeriqi, Drejtor i Radios Kosova e Lirë, me shkrimin “Ernest Koliqi (1903 – 1975) atdhetari që hapi 200 shkolla shqipe në Kosovën e robëruar –Ernest Koliqi (1903 – 1975) atdhetari që hapi 200 shkolla shqipe në Kosovën e robëruar – Radio Kosova e Lirë (radiokosovaelire.com) — Profesor Ahmet Qeriqi, Drejtor i Radios Kosova e Lirë. publicist, shkrimtar e përkthyes shkruan se, “Ernest Koliqi ka qenë njëri ndër personalitetet e njohura të letërsisë e kulturës shqiptare, në përgjithësi. Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga viti 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe por as edhe një libër në gjuhën shqipe. Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre, ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri më 20 vjet burg. Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t’i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare. Pavarësisht se Koliqi i mbeti besnik Italisë, nuk mund të thuhet se ka qenë besnik i fashizmit, me faktin se ai gjatë asaj kohe ka ndihmuar, aq sa ka pasur mundësi edhe intelektualët shqiptarë, të cilët regjimi i trajtonte si armiq. Pas çlirimit nga Italia, Koliqi u anatemua si bashkëpunëtor i regjimit italo-shqiptar dhe vepra e tij nuk u vlerësua. Megjithatë, Koliqi me punën dhe veprën e tij, me kontributin që i ka dhënë letërsisë, kulturës, albanologjisë, sidomos hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e më gjerë, është një kontribut madhor, që nuk e zbeh aspak përkatësia e tij partiake në një kohë të caktuar. Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës”, është thirrja që bën Profesor Ahmet Qeriqi për një përmendore në nder dhe në kujtim të Ernest Koliqit për “dhuratën e tij më të madhe që mund t’i jepej një kombi…”.
Nuk e di nëse thirrja e dy intelektualve shqiptarë-dardanë do përfillet nga ndokush dhe si rrejdhim vepra e madhe e Koliqit të shkojë ashtu siç është deri tani, në harresë, si e shumë të tjerëve e dikush tjetër të marrë kredinë për kontributin e paçmueshëm të tij për hapjen e shkollave shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare dikurë. Por ka rëndësi vet-kënaqësia e Ernest Koliqit i cili ishte i vetdijshëm për suksesin e veprimtarisë së tij të viteve 1941-1944 dhe efektin afatgjatë në interes të Kombit. Për këtë mund të lexoni një artikull të tij të gjatë titulluar, “Kroje të reja në Parnasin Shqiptar”, botuar në Revistën Shejzat (nr 1 Gusht, 1957), për të parë krenarinë dhe pasionin e tij të përzemërt për zhvillimet arsimore, gjuhësore e kulturore në Kosovë në vitet e 1950-ve e më vonë. Aty, Koliqi shkruan Mbi librin “Shkëndijat e para”, botuar në Prishtinë me 1956, një antologji, që i kishte renë atij në dorë, siç thotë papritmas, ndërsa shkruante:
“Kallzoj të drejtën që n’at libër gjeta nji balçëm ngushullimesh shperblyese. ‘Bane të mirën në dét se e gjën në krypë’, thotë nji fjalë e motshëme. E kjo lloj krype, kur gjindet papritmas, i jep shije të veçantë jetës. Të dytën herë, veç, këtë anthologji e lexova tue i ndrydhë trokllitjet e zëmrës dhe tue mprehë fuqinë gjikuese të mendjes. S’po mund të rrijë pa ua paraqitun lexuesave dashamirë të kësaj së përkohëshmeje këta shkrimtarë të rij që mugulluen në pjesën e Jugoslavisë ku shqipja àshtë gjuhë arntare. Ah, lumni e smirueme me qënë poet djaloshar! Këtyne djelm ndjellamirë i buzqeshë prej s’largu Lavdija e majave të Parnasit edhe i joshë me iu ngjitun termal rrmoreve të thepisuna për me shijue në kaltheritë e heshtuna pranë qiellit, shugurimin e saj të hyjnueshëm e hyjnues. Këta i ngjiten malit të Zànave, heshtija e të cilit vlon me gurgullime gurrash harmonioze, nga ana e andejme, e na përpiqemi me i hypun n’anë të këndejshme por në kreshtën vetmitare, të ruejtun nga Ora e amshueme e Fisit, na pret e njàjta lavdi”.
Shihet qartë nga ky paragraf i një shkrimi më të gjatë të vitit 1957 se Ernest Koliqi – megjithë, “kreshtën vetmitare”, izolimin dhe përjashtimin zyrtar deri në ditët esotpme — ka shkuar në atë jetë i kënaqur për punën e tij me hapjen e shkollave shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare në vitet 1941-1944. Dhe rrjedhimisht, i kënaqur dhe i shpërblyer me arritjet e “djelmve ndjellamirë”, poetë e shkrimtarë në Kosovë dhe më gjërë, të cilëve sot u buzqeshë prej s’largu, Lavdija e majave të Parnasit. Duan e s’duan kritikët dhe kundërshtarët e tij fanatikë sot — edhe Ernest Koliqin e pret “Ora e amshueme e Fisit” me të njëjtat Lavdi të Majave të Parnasit – me ose pa përmendore të tij në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare. Megjithë këtë përshëndes zotërinjtë Ahmet Qeriqin dhe Flamur Gashin për nismën e tyre fisnike dhe patriotike, duke uruar që edhe intelektualë të tjerë të tregojnë ndershmëri intelektuale dhe patriotike e t’i bashkohen kësaj iniciative në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
Frank Shkreli
Ahmet Qeriqi: “Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare…Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës”.
Autori me Ambasador Flamur Gashinnë Nju Jork, 2022: “Në çdo qytet të Dardanisë, Maqedonisë, në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, në Malit të Zi dhe kudo ku ka dhe jetojnë shqiptarë është meritore të ketë shkolla, rrugë, sheshe dhe shtatore me emrin e themeluesit dhe përhapësit të arsimimit kombëtar në këto anë… Ministrin e Arsimit Ernest KOLIQI”.