Me thirrjet “Sot marshojmë, përditë luftojmë”, “Drejtësi për gratë e vrara”, “Drejtësi për gratë e gjalla”, “Punë për mu çfarë pune du”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Poshtë prokuroria patriarkale”, “Poshtë homofobia”, “Trupi jem, e drejta jem”, e slogane të ngjashme, aktivistë dhe qytetarë marshuan në rrugët e Prishtinës më 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Marshi i përvitshëm u organizua nga kolektivi “Marshojmë s’festojmë”. Anita Mjeku nga ky kolektiv tha se marshi i sivjetmë kërkon realizimin urgjent të drejtësisë, barazisë dhe sigurisë për gratë.
Qytetarët nisën marshin e tyre nga sheshi Zahir Pajaziti, drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bërë thirrje për drejtësi për gratë e vrara në Kosovë dhe për mbrojtjen e grave që janë viktima të dhunës në familje.
Mjeku kërkoi dënimin e vrasësve dhe dhunusve të grave si dhe gjuha e urrjejtes, siç tha ajo nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe mediave.
Ajo iu referua kundërshtive të disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me Projektligjin për shëndetin riprodhues, i cili nuk është miratuar ende. Kundërshtimet e ligjvënësve kanë të bëjnë me IVF-in, metodë që u mundëson grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë.
“Këto ditë na është thënë, madje edhe nga një grua patriarkale, kryetare e Komisionit [parlamentar] për të drejtat e njeriut [v.j. Duda Balje] se ne duhet të kemi kufi deri ku deri ku i kërkojmë të drejtat tona. Ne jemi këtu për t’iu thënë se kufiri juaj është larg trupave tanë. Kufiri juaj është larg nesh. Asnjë deputet nuk ka mandat t’i cenojë trupat tanë e as të tentojë t’i kthejë prapa të drejtat e fituara me mund dhe përpjekje. Asnjë polici e as kordon nuk mund të na ndalë ne”, tha Anita Mjeku.
Ajo po ashtu përmendi rastet e grave të vrara, por edhe kthimin në rigjykim të rastit të vrasjes së Marigona Osmanit, nga partneri i saj.
Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe vitet e kaluara në Kosovë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Para marshit, nga Rrjeti i Grave të Kosovës thanë se as këtë 8 mars gratë nuk do të festojnë, por do të marshojnë “për të drejtat e grave dhe vajzave: të drejtën në punë pa diskriminim, të ecim pa u ngacmuar, pa frikë e dhunë, për jetë autonome, e pavarur dhe e fortë”.
Aktivistët për të drejtat e grave kanë thënë se gratë diskriminohen sa i përket punësimit dhe po ashtu kërkojnë më shumë siguri për gratë në ambientet publike dhe private.
Nga viti 2010 deri në nëntorin e vitit 2023, në Kosovë janë vrarë 55 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.REL