Tashmë kanë kaluar dhejtë ditë protestë nga studentët të cilët i kanë kërkojnë nga qeveria Rama plotësimin e tetë pikave të paraqitura prej tyre.
Studentët vazhdojnë të qëndrojnë përballë godinës së Kryeministrisë, ku i kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen nesër, në një protestë mbarëkombëtare.
Ndërkohë, bëhet me dije se tubimit të sotëm pritet t’i bashkohen edhe një grup të rinjsh nga Miloti që janë nisur në këmbë dhe kanë arritur në Kamëz.
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama nëpërmjet deklaratave për mediat apo dhe postimeve në rrjetet sociale u ka bërë thirrje studentëve se për të plotësuar pikat e tyre duhet të zhvillojnë një dialog paraprakisht.
Gjithashtu dhe Presidenti Ilir Meta riktheu serish në Kuvend ligjin për buxhetin 2019, me qëllim që t’u jepet mundësi plotësimit të kërkesave të studentëve.
Rinia rilindi shpresën
Së fundmi kanë nisur protestat e të rinjëve e që po vazhdojnë të nxisin fjalë, reagime, veprime në shumë drejtime. Kanë ngrohur e po ngrohin qeniet tona që ka kohë që i ka pushtuar plogështia e shoqëruar me ngrica dhe acar. Reshat Kripa e ndjen këtë ngrohtësi nga zjarri i ndezur i revoltës së sotme duke kujtuar vrullet e kohës së rinisë së brezit të tij me fjalët që bashkojnë breza e gjenerata të tëra shqiptare: “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!” Paolo Coelho thotë diku se një luftëtar drite nxit veten dhe të tjerët për të vepruar. Shumë gjëra janë thënë, përpjekje janë bërë e po bëhen, gjurmë e shenja kanë mbetur e do mbesin, shumëçka është shkruar e po shkruhet për rolin e moshës së mesme që duket të jetë ura që qëndron mes brigjeve të fëmijërisë e pleqërisë. Kimete Berisha derisa shkruan për protesën e sotme në Tiranë, përmend edhe protestat tona të këtej gardhit. Dhe lutet për një njeri që nga traktori u hidhte lakra e i këshillonte ta mbanin shpirtin edhe me to. Dhe na bije ndër mend se një pjesë e mirë e jetës sonë na ka shkuar edhe protestave. Ato që si fëmijë i mbajmë mend që nga viti 1989 e edhe pas vitit 1999 s’kanë reshtur organizimet, grevat, protestat për të pagjeturit e të pakthyerit e luftës, pastaj kundër ndarjes së urës mbi Ibër, kundër marrëveshjeve e planeve të hapura a të fshehura, kundër privatizimeve e lloj-lloj padrejtësie që na erdhi na të huajt a nga tanët, a nga kombinim strukturash e klanesh. E gati gjithëherë të pakënaqur me rezultatet. “O, vend gërmadhash, në ty shembej çdo gjë, /ç’dhembje nuk shprehe, ç’dhembje nuk të vërshen!”, janë vargje të poezisë “Këngë e dëshpëruar” të Pablo Nerudës. Dhe kthehemi te studentët që duan dhe po mundohen të mos i lënë të korruptuarit (o)pozitarë e të gjitha krahëve qofshin të mos infiltrohen. Këtë drojë e shfaqi edhe Shinasi Rama në një shkrim të tij duke paralajmëruar studentët se beteja nuk është aspak e lehtë dhe partitë e sotme për të ruajtur pushtetin që e ndrrojnë me rotacion do të bëjnë ç’është e mundur që këtë pakënaqësi ta fusin qorrsokaqeve, dhe do të ishte ogur i mirë sikur kjo protestë të shpiente kah rrugëzgjidhjet e drejta e të vërteta në dobi të shtetit e kombit shqiptar. Diku tjetër, në një faqe të dikurshme të gazetës “Çlirimi” shohim poezinë me titullin “Apel” të François Hirsch që fillon: “Rini, /Juaja fuqi kujt mund t’i vyejë/Nëse mëmëdheu loton/E zemrën tuaj peshë s’e çon”, dhe poezia vazhdon t’i drejtohet rinisë të jetë e pakompromis në luftën kundër padrejtësive e tiranisë. Ndërsa në një intervistë Hysamedin Feraj thotë se protesta s’është partiake por është politike kurse partitë janë antipolitike e të përpiqemi dhe të urojmë në suksesin e studentëve që vendin tonë nga të pajetueshëm t’ia kthejmë jetën e mirëqenien, përfundon Feraj. Nuk po dijmë çka të marrim nga poezia e Rexhep Hoxhës:”Rinia, ajo e diellit”, megjithatë po shkoqisim këtë strofë:
“M’bie n’mend rinia e Skënderbeut,/Ajo që në zemër ka plot guxim;/Ajo që t’zezat i zhbin prej dheut,/Ajo që t’drejtën ka për parim./”Dhe po vëmë dhe ca fjalë të Lazër Shantos që i pamë: “Nji zemër studentit sot qi nuk asht e zoja për sakrificë, o do të thahet o do të pelsasë”. Kjo shpresë që rilindi na bëftë që të hyjmë në një vit të mbarë. Protesta kumbon, protesta vazhdon…