Kjo e enjte shënon Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve Romë, një kohë e cila njëkohësisht i kujton ambasadorit Donald Lu një moment ku politika shqiptare duhet të ndërgjegjësohet për të zgjidhur plagën e “fëmijëve të rrugës”.
Gjatë një aktiviteti kushtuar kësaj dite, Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë ka dhënë shembullin e fëmijëve të tij, të cilët i kanë dhënë kursimet e mbledhura për fëmijët në nevojë në Amerikë. Qindra dollarët e tyre të kursyera për 3 vite i shkuan një OJQ-je, shtoi Lu, dhe i shërbyen atyre fëmijëve që nuk kishin mundësi për të shkuar në shkollë.
E ashtu si të vegjlit e tij, Donald Lu u shpreh se edhe ai vetë është i gatshëm që të japë monedhat e tij për fëmijët shqiptarë.
Donald Lu: Jam shumë krenar për fëmijët e mi sepse kursyen monedha për 3 vite dhe dhuruan qindra dollarë për një OJQ që mbështeste fëmijët në rrugë për të shkuar në shkollë dhe për të zhvilluar aftësitë që një ditë të mund të largoheshin nga rruga.
E ndaj me këtë histori me ju sepse Shqipëria për shumë vite ka pasur një problem, një problem për të mbështetur fëmijët e saj në rrugë. Ky është një problem që Shqipëria me mbështetjen e partnerëve duhet të jetë e aftë ta zgjidhë. Nuk keni 11 milionë fëmijë për tu kujdesur keni disa qindra.
Ndërkohë që Shqipëria normalizohet dhe ekonomia e saj përmirësohet , vendi vazhdon ti afrohet anëtarësimit në BE shpresojmë që Shqipëria të mund të kujtojë fëmijët e saj. Ata kanë të drejtë të shkojnë në shkollë, kanë të drejtë të mos jenë të uritur, të mbrohen nga abuzimi.
Siç më mësuan fëmijët e mi, jam gati të mbledh monedhat e mia për të mbështetur UNICEF dhe OJQ shqiptare për të mbështetur fëmijët e Shqipërisë . Shpresoj që do ta bëjmë bashkë këtë. /Gazeta Express
Komentet