Sipërmarrësi i kriptomonedhave, Sam Bankman-Fried u dënua të enjten me 25 vjet burg për një skemë të madhe mashtrimi të investitorëve, që u zbulua pas rënies së firmës FTX, dikur një nga platformat më të njohura në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave.
32 vjeçari Bankman-Fried u dënua në nëntor për mashtrim dhe komplot për të mashtruar, një rënie dramatike nga suksesi, që përfshinte një reklamë të tij, të transmetuar në finalen e futbollit amerikan “Super Bowl” dhe mbështetjen nga sportistë të famshëm si ylli i futbollit amerikan Tom Brady, ai i basketbollit Stephen Curry dhe komediani Larry David.
Gjykatësi federal Lewis A. Kaplan njoftoi dënimin në të njëjtën sallë gjyqi në Manhattan, ku katër muaj më parë, Bankman-Fried dëshmoi se qëllimi i tij kishte qenë të revolucionarizonte tregun e kriptomonedhave me idetë e tij novatore dhe altruiste, jo për të vjedhur.
Gjykatësi Lewis Kaplan tha se dënimi pasqyronte “rrezikun se ky njeri ishte në gjendje të bënte diçka shumë më të rëndë në të ardhmen. Dhe nuk është aspak një rrezik i parëndësishëm.”
Gjykatësi Kaplan po ashtu urdhëroi sekuestrimin e 11 miliardë dollarë nga pasuritë e tij për t’ua kthyer investitorëve.
Prokurorët kishin rekomanduar një dënim me burg nga 40 deri në 50 vjet. Ata thanë se Sam Bankman-Fried u kishte shkaktuar klientëve, investitorëve dhe huadhënësve mbi 10 miliardë dollarë humbje, duke shpërdoruar miliarda dollarë për rritjen e ndikimit të tij dhe për përpjekjet për të mbizotëruar në industrinë e re. Prokurorët thanë se ai kishte përdorur ilegalisht para nga depozituesit në platformën FTX për të mbuluar shpenzimet e tij, të cilat përfshinin blerjen pronave luksoze në Karaibe, ryshfete për zyrtarët kinezë dhe avionë privatë.
Platforma FTX u ofronte investitorëve të blinin dhjetëra monedha virtuale, nga “Bitcoin” deri në ato më të panjohura si “Shiba Inu Coin”. Rënia e çmimeve të kriptomonedhave në vitin 2022 i dha një goditje të rëndë platformës FTX dhe përfundimisht çoi në rënien e saj. Filiali i fondit mbrojtës të platformës FTX, i njohur si “Alameda Research”, kishte investuar miliarda dollarë për blerje të ndryshme kriptomonedhash, që pësuan një humbje të konsiderueshme të vlerës në vitin 2022. Sam Bankman-Fried u përpoq t’i mbulonte humbjet në bilancin e “Alameda Research” me fondet e klientëve të platformës FTX.
Tre persona të tjerë nga rrethi i ngushtë i zotit Bankman-Fried pranuan fajësinë për krimet dhe dëshmuan në gjyqin e tij.
Emri më i njohur në mesin e të tyre është Caroline Ellison, ish e dashura e zotit Bankman-Fried. Ajo tha se Bankman-Fried ishte një njeri i matur, i cili e dinte se po kryente krime kur përdori fondet e klientëve. Dy miq të tjerë të zotit Bankman-Fried, Gary Wang dhe Nishad Singh, dëshmuan gjithashtu se vepruan me urdhër të ish drejtuesit të platformës FTX.