Lubonja, në shkrimin e tij ‘Shqipëri-Kosovë: Sot na ndajnë të përbashkëtat, jo diferencat’ botuar në Tiranë dhe Prishtinë, në kuadrin e mëllanit që plasi pas një lajmi nga futbolli, thekson ‘të përbashkëtat’ negative të Shqipërisë dhe të Kosovës.
E vë në thonjëza të thjeshta fjalën ‘të përbashkëtat’, sepse më rezulton se, në të vërtetë, këto janë disi të njëjta, por pak ose aspak janë të përbashkëta.
Kështu ‘sundimi ndaj njëri-tjetrit’ në Shqipëri mund të jetë deri diku i njëjtë me ‘sundimin nga të huajt’ në Kosovë, por nuk kishin asgjë të përbashkët mes tyre. Sekush e vuante ndaras sundimin përkatës. Ishim të sunduar në të dyja anët, por nuk ishim të bashkësunduar.
Edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, ndërsa ‘shtetet e tjera kanë mafiet e tyre, tek ne mafiet kanë shtetet e tyre’, thekson Lubonja. Kjo mund të jetë një dukuri krejtësisht e njëjtë, por secili vend ka mafien e vet, të individualizuar sipas realiteve të ndryshme në të dyja anët e kufirit.
Lubonja rendit edhe këto ‘të përbashkëta’ si mosbesimin ndaj institucioneve, marrëdhëniet ndërarmiqësore mes qytetarëve dhe dy shteve, mungesa dramatike e shpresës, atrofizimi i shpirtit të revoltës dhe protestës, largimi masiv nga vendi, varja e shpresës tek të huaj, konfliktualiteti politik, bjerrja e sistemit të vlerave, optika gjithnjë e më e errësuar ndaj së ardhmes, jetesa e keqe, marrëdhëniet ndërnjerëzore të shkatërruara, ku njeriu për njeriun është ose klient, ose vitkimë, plaçkitja e pronës publike, mungesa e dashurisë, besimit, miqësisë ndaj njëri tjetrit.
Edhe këto janë dukuri të përmasave të ndryshme të pranishme në të dyja vendet, por jo ‘të përbashkëta’.
Këto ‘përbashkësi’, të cilët Lubonja mendon se i ka paralajmëruar në një shkrim të tij të vitit 1995 “Ne shqiptarët dhe kosovarët – ne kosovarët dhe shqiptarët”, kulmojnë, sipas Lubonjës, në leximin që i qenka bërë mes rreshtave asokohe në Kosovë se ardhka koha kur midis dy palëve do t’u zgjuaka një ‘armiqësi e fjetur’ (“armiqësi të fjetur, e cila një ditë do të shpërthejë”). Dhe kjo qenka e përbashkëta më e madhe.
Vetë Lubonja, sidoqoftë, në njërin prej konkluzioneve (përfundimeve) të tij e kupton se këto nuk janë ‘të përbashkëta’, nuk janë ‘përbashkësi’, por janë dukuri apo probleme deri diku të njëjta ose të ngjashme:
‘Nuk është kurrë vonë për ta bërë këtë që thashë më sipër, por 21 vjet pas atij shkrimi, aq të kontestuar asokohe, më duhet të them se jetojmë në një kontekst tjetër, në të cilin kryeproblemi shqiptar i debatit dhe dialogut që duhet të bëjmë në emër të afrimit dhe dashurisë, paradoksalisht, nuk janë diferencat, por ngjashmëritë.’
Zelli për të kërkuar ‘të përbashkëta’ negative, mendoj unë, është po aq i dëmshëm sa edhe theksimi negativ i dallimeve tona. Në mediat tona, në ato të shtypura, elektronike apo sociale përditshmërisht shqiptarët është e pamundur të mos ndihen të fyer së paku në njërën prej përkatësive të tyre: në atë fetare, në atë krahinore, në atë ideologjike, në atë klasore, në atë shtresore, në atë kombëtare, deri – tashmë – edhe në atë shtetërore. Nëse do t’i rreshtoja këtu vetëm cilësorët e përdorur nga fundviti 1990 deri sot nga një pjesë e shqiptarët ndaj pjesës tjetër të shqiptarëve, nuk do të mjaftonin qindra e qindra faqe.
Kam kërkuar shpesh, qëllimisht, në mediat e huaja, në rubrikat e debateve, kam hasur papajtime të mëdha, por kurrkund nuk mund të gjesh një prirje kaq të theksuar ndotëse ndaj gjithkujt dhe gjithçkaje si në komunikimet tona.
Përbashkësitë (të përbashkëtat) e shqiptarëve, ngulmoj gjithnjë, janë pozitive ose kryesisht pozitive. E keqja e përbashkët, vërtetë e përbashkët, më e madhe është se mbi to është duke u vënë perdja, për të mos thënë muri, shumësia e perdeve, shumësia e mureve ndërmjet të gjitha përkatësive të përmendura. Kjo është parathënia me ogurzezë e së pritshmes.
E keqja dhe liga mund të adresohen saktë jo duke i kërkuar atje ku nuk janë; duke i kërkuar sa më afër dhe jo samë më larg, jo duke i kërkuar në imagjinatë; luftohen me emrat e tyre të vërtetë, jo me eufemizmat, jo me nofkat e tyre as duke i trilluar, shpifur, sajuar. E keqja dhe e liga mund të çrrënjosen duke i luftuar ato atje ku janë vërtet, duke i luftuar me mendje të shëndoshë dhe me qëllime të shëndosha.
Dallimet nuk ekzistojnë vetëm në realitetin tonë apo realitetet tona. Ato ekzistojnë në të gjithë botën. Në botën e qytetëruar dallimet janë parë dhe shikohen si mundësi urash mes njëri tjetrit dhe botës. Në shoqëritë e qytetëruara ato janë pasuri e pazëvendësueshme, në shoqëritë e tjera janë hendeqe për t’u thelluar, janë mure për t’u lartësuar, janë perde për t’u trashur.
Edhe dijet fetare, edhe dijet e tjera e pranojnë pa diskutimin domosdoshmërinë e dallimeve dhe dallueshmërisë, deri në të kundërta, dhe dëmin e uniformitetit e të monotonisë në të gjithë përbërësit e natyrës dhe të jetës.
Jam përkrah Lubonjës në shqetësimin racional që mendoj se e përmban ky shkrim ashtu si edhe të tjera më pak ose më shumë kundërthënëse të këtij mendimtari. Por mendoj se dukuritë shqetësuese të njëjta apo të ngjashme, të cilat nuk i kemi për faj të identitetit, nuk ia kemi ngjitur njëri tjetrit, por i kemi marrë nga mjedise të përbashkëta të frekuentuara, mund të luftohen së bashku, vërtet së bashku. Dhe këtë do ta bëjmë vetëm duke gjetur mënyrën e përbashkët të duhur, të qytetëzuar, njerëzore, shqiptare të komunikimit.
Ky nivel komunkimi nuk mund të jetë i kufizuar e i mbyllur si deri sot midis invidëve apo klaneve, por i hapur midis institucioneve të posaçme sa më përfaqësuese të mendimit ngatë gjitha fushat në të dyja anët e kufirit dhe në tërësinë shqiptare. Nuk mund të jetë për interesa të ngushta, të ditës, por për interesa sa më të gjera, sa më të përbashkëta e sa më perspektive.
Le t’i mbyll këto shënime të miat, për solidaritet dhe jo për konformizëm, me të njëjtën kryeradhë përmbyllëse të shkrimit të Lubonjës: ‘E pra, jo diferencat, as armiku i huaj, por se si të shpëtojmë nga kjo e keqe e përbashkët duhet të jetë sot “çështja shqiptare” më e madhe që duhet ta trajtojmë edhe veçmas në Tiranë dhe Prishtinë, por edhe së bashku, qoftë edhe në godinën e Lidhjes së Prizrenit po të doni, në emër të dashurisë me njëri-tjetrin jo thjesht si shqiptarë, por si njerëz mbi të gjitha.’
Komentet