Me ardhjen e Pavarësisë, 1912, influenca e Fuqive të Mëdha u tregue e fortë aq sa të pengonte formimin e nji “shteti” të qëndrueshëm shqiptar. Të frikësuem nga kjo influencë, shumë “udhëheqës” politikë shqiptarë filluen manovrimin e përkrahjes së njënit fqinj kundër tjetrit, nji strategji e gabueme dhe e rrezikshme.Disa të tjerë u lidhën me të huejin “ma pak të rrezikshëm” dhe i ofruen atij shërbimin e tyne. Ata që menduen e vepruen “për Shqipëri” ishin tashma të paktë dhe u asgjasuen politikisht, ose fizikisht (rasti i idealistit shkodran Zef Harapi, sot i harruem). Momenti politik që krijoi nandori i vitit 1912 u avullue mbrenda vitit për arsye të manovrimeve politike të gabueme që frikësuen Fuqitë e Mëdha. Shqipëria u ba shesh beteje dhe mbeti “tokë vakufi” pa zot deri në Kongresin e Lushnjës, 1920, e njohjen nga Lidhja e Kombeve, dhetor 1920. Por pesë shekuj robnie lanë gjurmë të thella!Me kalimin e krizës fillestare jetuem periudhën parlamentare (1920-1924), që përfundoi në kryengritje të mbrendshme e nderhymje të jashtëme. E dërmueme ekonomikisht, e harrueme dhe e mbrapambetun, pa ndihmë nga bota e jashtëme, periudha e Monarkisë (1925-1939) jetoi vorfninë e institucionalizueme, dhe me marrëveshjen e vitit 1933, i hapi rrugën pushtimit fashist italian të 7 prillit 1939. Në vitin 1935, Shqipëria ishte i vetmi vend, anëtar i Lidhjes së Kombeve, që aprovoi pushtimin fashist italian të Ethiopisë… me urdhën nga Roma! Ethiopia ka qenë preludi i 7 prillit shqiptar!Kjo fatkeqsi kombëtare u thellue edhe ma shumë me nënshtrimin poshtënues të shumicës së klasës politike shqiptare ndaj Italisë. Vendi i shqipeve, kaq i ngritun me kangë e folklore, nuk nxori heronjtë e ditës. Dëshmori Mujo Ulqinaku mbeti nji figurë e vetmueme… Shoqënia shqiptare e tronditun mbeti pa udhëheqje me autoritet moral e kapital politik. Nga ky kaos, lindi nji forcë e re që premtoi jetën e pruni vdekjen gjysmëshekullore: komunizmi në formën e tij ma kriminale, staliniste!
***
Ashtë vështirë me përshkrue me besnikëri natyrën monstruoze dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri. Sepse në errësinën që mbuloi vendin tonë, çdo gja konceptohej në mshehtësi dhe ekzekutohej në heshtjen mbytëse. Dhe aty qëndroi krimi derisa vdiq “Partia” – e vdiqën mijëra sekrete aktesh terroriste që u kryen në qelitë nëntokësore të Sigurimit të Shtetit, nji institucion i plotfuqishëm e krijesë “ilegale” nga organet e P.K.Sh. – ajo vetë ilegale (sic!) pa asnji autoritet ligjor – në verën e vitit 1943. Në Sigurim u mbyllën dhjetëra-mijëra shqiptarë e shqiptare të pafajshme, u burgosën, u torturuen dhe u dënuen pa mëshirë për “agjitacion e propagandë”, për “mendimin” e tyne…! Mendimi i lirë mori nji emën tjetër: “krim politik”. Atmosferë orwelliane! Ofendimi final ishte varrosja e viktimave pa shenjë, pa gjurmë. Mbeti vetëm hapja e vorrit të tyne… në zemrat tona, e sidomos në zemrat e familjarëve që, nga frika, mbuluen fëtyrën sa herë vajtuen…!Heshtjen e imponueme e theu vetëm altoparlanti i shesheve me kangë për “Partinë” dhe radio-transmetimet e propagandës bajate për “fitoret” e Partisë e pushtetit. Frika e gjithëmbarshme ishte pikësynimi zyrtar; urrejtja për “armikun e klasës” u kultivue me metoda shkencore; puna e randë e pa gëzim u ba buka e përditëshme në nji vend ku mungonte buka që ushqen…! Ndërkaq në Bllokun e “udhëheqjes”, pashallarët e kuq jetojshin si në Dolma Bahçe të Sulltanit të kuq! Në këtë ferr dantesk që quhej “Shqipëria socialiste” u ndërtue universi orwellian, nji model ku fjala nuk përfaqsonte kuptimin e zakonshëm, e jeta i shëmbëllente ma shumë nji “ferme kafshësh” se nji shoqënie qytetarësh të lirë. “Idetë delirante” ushqeheshin me gënjeshtra zyrtare që zbulohen çdo ditë; absurditeti i përshkruem tingëllon sot i pabesueshëm.
Sa pak vlente jeta e nji qytetari shqiptar në komunizëm kuptohet nga percepsioni i ish-udhëheqësit komunist R.Alia, i dhanun në nji intervistë të botueme në DIELLI-n e Vatrës: “…kemi dënuar ata që me të drejtë o pa të drejtë i quanim ‘armiq të popullit e të pushtetit’. Kjo nuk ka qenë mëkati i jonë më i madh. Tufëzimet (e bagëtive) po! Tufëzimet vorfnuen fshatin e qytetin. Ky ka qenë mëkati i jonë më i madh” (2014). Kjo kryevepër cinizmi ashtë e denjë vetëm për nji “shef komunist”, që nuk ka as ma të voglën ide të humanizmit marksist (të shpallun në “Manifesto”): “Njeriu (jo lopa!) ashtë në qendër të vëmendjes sonë!”, shkruente i mjeri Karl Marks…
Që në vitin 1945, Sejfulla Malëshova paralajmëronte: “Në Partinë tonë (komuniste) po duken simptomat e degjenerimit nga nji parti politike në nji bandë kriminale”. Dhe ashtu ngjau! Cila qenie njerëzore normale kupton thanjet e Enver Hoxhës për kunatin që e ushqeu: “Tri kokë të ketë Bahri Omari, do t’ia pres me dorën time!”. Ose, më 1967, me revolucionin kulturor: “Merrni sopatën dhe bjerini kokës cilitdo që guxon të flasë për fe!”.
Prill 1945. Në Shkodër u mbushën sheshet me brohoritje: “Duam Triesten! Duam Triesten!”; ironikisht, në të njajtin muej kalojshin nëpër rrugët e Shkodrës vargjet e gjatë të kosovarëve “të mobilizuem” që u masakruen në qytetin e Tivarit nga serbo-malazezët. Ata që folën për këtë krim monstruoz u burgosën ose u “zhdukën”. Unë e përjetova këtë marrëzi! “Ëndrra jugosllave – shkruente Ismail Kadare – po njëmendsohej nëpërmjet Enver Hoxhës… Ndodhi ajo që pritej, Europa harroi Shqipërinë”. Dhe bashkë me të edhe “Historia”!Përsëri në 1945, “zgjidhen” me paraqëllim diabolik deputetët për Asamblenë Kushtetuese. Dy vjet ma vonë, ky grup i zgjedhun antifashistësh, i torturuem shtazërisht, me gjykime të paligjëshme, pushkatohen, ose vdesin në burgun e Burrelit – këta dëshmorë të demokracisë në Shqipërinë e mbasluftës.
Nji vit ma vonë, 1946, arrestohet si “profashist” filozofi At Gjon Shllaku, O.F.M., i arratisun në Jugosllavi në vitin 1940 me shpëtue nga arrestimi fashist. Frati u torturue dhe u dënue me vdekje. Me të njajtën akuzë u asgjasue edhe kleri katolik shqiptar, turp i madh me përpjestime historike. Eliminimi fizik i këtij grupi të shquem, bërthamë e patriotizmit shqiptar dhe qendër kulture shqiptare për ma shumë se pesë shekuj, quhet “nji gjenocid” simbas kritereve të Konventës për Gjenocidin të OKB-së.Po atë vit, në Tiranë, Dr. Omer Nishani, anëtar i Këshillit të Naltë Fashist Korporativ, zgjidhet President i Republikës Demokratike të Shqipërisë. Në verën e 1946-s, në Konferencën e Paqes në Paris, Kryeministri grek Tsaldaris akuzoi Shqipërinë se drejtohet nga “fashistët”. Ndërkaq, për nji muej me rradhë, kryeministri Enver Hoxha banoi në Ambasadën jugosllave të Parisit në shoqëni të kryediplomatëve jugosllavë Kardelj, Popoviq, Bebel e Velebit.(sic!) Nji theatër absurd që damtoi randë para botës dinjitetin tonë kombëtar!
Që nga viti 1944 deri në vitin 1948, sulmohet Monarkia e ish-Mbretit Zog për nënshtrim politik e ekonomik të Shqipërisë ndaj Italisë fashiste. Por ata që kundërshtuen “Marrëveshjet ekonomike” poshtënuese të vitit 1946 me Jugosllavinë titiste burgosen e pushkatohen, ose bajnë vetëvrasje si rasti i Nako Spiros. Për turp të botës, Kryeministri Enver Hoxha deklaron:” … Duhet të fitojmë kohën e humbur e të bëjmë së shpejti bashkimin ‘de facto’ të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, parti, ekonomi, ushtri e tjera, se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq me pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë”, (15 mars 1947). Po njëmendësohej ëndrra serbe. Ngreu nga vorri At Gjergj Fishta…!
Mbas poshtërimit ndaj jugosllavëve erdhi nënshtrimi pa kushte ndaj Bashkimit Sovjetik, ndërsa propaganda himnizonte “ndihmën e pakursyer dhe vëllazërore të shokut Stalin”. “U hoq dorë nga aleatët perëndimorë dhe iu drejtuam forcave të stepave të Rusisë sipas nevojave të një regjimi të ngritur mbi ‘luftën e klasave’, (M.Kodheli). “Ky qëndrim antihistorik”, përcakton E. Rama, “ishte në fakt luftë imagjinare kundrejt superfuqive botërore, imperializmi amerikan dhe revizionizmi sovjetik… nji mentalitet liliputian me aftësi mendore të kufizuara dhe pa zemër”. Me këto “aftësi mendore të kufizuara” u lidhëm edhe me Kinën e Mao-s dhe në mënyrë të paevitueshme përfunduem në izolimin e plotë të vendit. “Partia” vazhdonte avazin e vjetër propagandistik pa u shqetësue.
Në nji raport të MPB-së (1968), krimineli i degjeneruem, Feçor Shehu, shkruente: “… Këta rusët që janë sot, kanë qenë edhe më parë, por na kishin zanë perde sytë dhe quanim ujkun qengj!”.
Në shtator 1965, nji delegacion i MPB, kryesue nga Kadri Hazbiu, vizitoi Kinën për shkëmbime eksperience “në fushën e inteligjencës”. Kinezët treguen disa teknika hetuesie…. Shqiptarët dorëzuen nji librezë me 25 lloje torturash, përgatitë nga (kryexhelati) Gjeneral Nevzat Haznedari. “Sipas dëshmive pikante të kohës, delegacioni kinez shtangu në vend dhe u tmerrua nga torturat e Sigurimit…. Para largimit, ministri i PB të Kinës i tha Kadri Hazbiut: “Do të vijmë ne te ju për të marrë leksione torturash”.(Balkanweb,6.X.2015). Faqe e lavdishme e historisë së vendit tonë…!Në vitin 1967, me iniciativën e Ramiz Alisë u nxuer feja jashtë ligjit (siç!), nji vendim i pa parë në nji vend tjetër të botës. Liria e ndërgjegjes u quejt “krim politik”. D. Shtjefën Kurti u ekzekutue sepse pagëzoi nji fëmijë me kërkesën e prindërve. Bota mbarë protestoi; Tirana kremtoi nji “fitore të sistemit socialist!”.
Në Konferencën për ushqimin të OKB-s në Mexico City (1985), Shqipëria fitoi çmimin e parë si vendi që ushqen ma mirë popullsinë…, ndërsa në Shqipëri buka shitej me racion, dhe rreshtat e gjatë të qumështit për fëmijë formoheshin dimën-verë që në orën tre të mëngjesit. Çmenduri deri në dhimbje!
Në vitin 1987, Fronti Demokratik fitoi zgjedhjet me 99.99 për qind. Vetëm “nji votë” u hodh kundër! Në vitin 1991, në votimet e lira, ish-Presidenti R.Alia humbi postin e deputetit në zonën e vet, dhe nji vjet ma vonë, e gjithë Partia, tashti “socialiste”, humbi votat e besimit të popullsisë shqiptare.
Nuk kanë fund marrëzitë e diktaturës! Megjithatë, akoma sot kemi “nostalgjikë” të asaj kohe, të atyne “ditëve të zeza”. ***
Ky ka qenë trashëgimi që la komunizmi në vendin tonë, nga i cili do të ndërtohej Shqipëria e re demokratike; e plagët e hapuna nga “diktatura e proletariatit” mbeten të hapuna, dhe na ndjekin kamba-kambës.
Kjo “tragjedi e pameritueme” u dyfishue nga mungesa e traditës demokratike në vendin tonë…, larg nga Europa!
Mbas 25 vjet “tranzicioni” që akoma vazhdon, duket sikur kemi arritë pikën ma të ulët në qeverisjen e vendit, dhe kemi ra në nji pellg imoraliteti që kërcënon me u revelue “i pashërim”. Kemi shkelë pragun pa kthesë të humbjes së besimit në “njeriun”; nuk besojmë njeri, nuk përfillim njeri, përpiqemi të varrosim tjetrin në përpjekje me ngritë veten tonë…. Ashtë krijue nji atmosferë e smurë në shoqëninë tonë shqiptare. “Diçka qelbet në Danimarkë”, deklaronte Hamleti.Në Amerikë, Presidenti Obama, tue fole për ish-Senatorin E. Kennedy, tha: “Jetojmë në nji kohë që cilësohet nga cinizmi, sidomos për institucionet shtetnore: legjislativ, ekzekutiv, gjyqsor, kombëtar e vendor. Ne përleshemi pothuejse për çdo gja, por mund të jemi së bashku për disa gjana, dhe këto pika të përbashkëta kanë randësi për nji pjesë të madhe të popullsisë…. E.Kennedy shqetësohej me keqardhje për kolegët që flasin para kamerave televizive, por jo me kolegët e tyne të Kongresit…, shqetësohej për peshën e madhe të parasë në politikë, dhe për grupet e “interesit të veçantë”, sepse sjellje të këtilla shkaktojnë që amerikanët të kthejnë kurrizin me përbuzje dhe përfundojnë me mosushtrimin e së drejtës së votës…”.
Në Shqipëri, “treçerekët e Parlamentit (deputetë të emnuem nga shefat partiakë!) nuk kuptojnë sepse s’dinë të flasin; çereku nuk njeh “civilizim”, shkruente nji vrojtues pak ditë ma parë. Fjalët: “kërmë”, “sorrë”, “legen”, “qelbësirë”, “shiko vajzën”, “kriminel”, “hale”, “plehra” etj. janë gjuha e rrugaçëve tonë në Kuvend. Në ekzekutivin “… drejtueset e politikës shqiptare janë injorante, hajdute dhe abuzuese, edhe gënjeshtare… Si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, situata politike në Shqipëri vlerësohet si “e padëshirueshme”, “dekurajuese”, dhe “e rrezikshme”. “Fajtori kryesor gjykohet të jetë ‘klasa politike’…. Kemi përfunduar në dominimin e elementit kriminel mbi levat kryesore të ‘Shtetit’”. (A.Nesho).
Republika me tre “K”, krim, korrupsion, klientizëm, “mbrohet” nga “pushteti gjyqësor” thellësisht i korruptuem.Sot, veprimtaria e kufizueme qytetare në Shqipëri, e pamë prej së largu, paraqet akoma “nji dëshirë” ma shumë se nji “mundësi”. Duket sikur ka vdekë edhe shpresa bashkë me shkëndinë e revoltës qytetare! Ashtu si në vendet tjera ish-komuniste, edhe në Shqipëri, shumica e qytetarëve të vorfënuem të periudhës post-komuniste janë të lodhun me veprue, e kufizohen me protesta verbale në ambiente të mbylluna. E gjithë kjo, në nji “shtet” ku manipulohen votimet, eliminohen “kundërshtarët” politikë që trajtohen si “armiq”, ku mediat, sidomos programet televizive, shërbejnë “padronin” qeveritar, ose të pasunit me autoritetin e parasë, aleatë të oligarkisë qeveritare tejet të pasun, të shurdhët dhe të pashpirt. Flitet për “revolucionin e ardhëm” si mjet dhe rrugëdalje. Ky moment mund të kristalizohet edhe në Shqipëri me ngjarje tragjike si ai i 2 prillit 1991, ose 21 janar 2011, ose nji Gërdec i dytë, e që mund të provokohet nga “opozita”, ose të shfrytëzohet për qëllime diabolike nga “pozita”. Në të dy rastet, humbësi ashtë popullsia e mashtrueme.
Thanjet “do i nxjerrim banditët nga zyra me hir ose pa hir”, “ka 12 arsye për nji revolucion demokratik (siç!)” “opozitë pa kompromis dhe kthim në pushtet”, tregojnë nji frymë të njohun mirë nga shqiptarët. Në vitin 1924, revista amerikane “TIME”, në nji koment për gjendjen politike në Shqipëri, shkruente: “Në nji vend të mbrapametun, nuk ka gja ma të randësishme se dëshira e nji ish-kryeministri të rrezuem të kthehet e të rrëzojë pasuesin që e kishte rrëzue”. Dhe në vitin 2014, nandëdhjetë vjet ma vonë, “TIME” shkruente: “Tani për tani, shqiptarët shpresojnë vetëm që liderët e tyne politikë t’u japin fund lodrave të pushtetit dhe t’i dalin zot vendit të tyne, para se të derdhet gjaku…”.
Jemi angazhue në nji konflikt ku pikësynimi ashtë shkatërrimi i kundërshtarit, jo shpëtimi i vendit. Preludi i nji tragjedie të re shqiptare? Mos e thuej o Zot!
Sot, anëtarët-robotë të partive politike veprojnë të patrazuem nga partneri i heshtun, zani i ndërgjegjes së tyne të mbytun nga të mirat materiale. Sepse “Partia” ka çveshë robotët e saj nga çdo gja “vetjake”, por nuk ka dhanë nji përgjigje për mijëra pyetje që ngrihen e bien pa tërheqë vëmendjen e mendjeve të çorodituna.
Duket sikur barka e jonë lundron pa busull morale. Duket sikur, me parafrazue Arthur Koestler “… Kemi pirë kupën e poshtërimit deri në fund!”. Duket sikur qytetarët në përgjithësi kanë humbë interesin për nji angazhim aktiv, nji qëndrim ky i rrezikshëm.Andrrat e dëshirat pa bazë sjellin rreziqe dhe përfundojnë në folklore. Duhet të kuptojmë se nji rend publik demokratik dhe i qëndrueshëm kërkon kryesisht: “pushtet” dhe “moralitet”. Nuk duhet t’i lejojmë vetes me u fundosë në humnerën e shprehjes: “tani ashtë vonë!” Sidomos ata që nuk e ndiejnë veten fajtorë, dhe ashtë kjo ndjenjë pafajsie që krijon revoltën, akt guximtar që sjellë lirinë! Duhet ndier nevoja e nji misioni, e nji përgjegjësie të paevitueshme për botën ku jetojmë. Duhet guximi me përballue rrezikun e përbashkët, guxim që transformohet në solidaritet për nji atdhe të përbashkët.
Këtu lindë shpresa për nji jetë që nuk ashtë skllavëri. Së bashku, të gjithë ngrihemi nalt e fitojmë betejën morale: shpresën për të gjithë ata që kërkojnë lirinë, pa lejue që fitorja e përbashkët të kthehet në tragjeditë tona individuale, si në komunizëm.
Sot, shqiptarët dhe shqiptaret janë të kënaqun “me nji stan në Trebeshinë…!”, por janë të djegun për liri e demokraci. Ata janë të sigurt që, nëse e tashmja ashtë grabitë nga oligarkët e pseudo-politikës në Shqipëri, e ardhmja i takon lirisë dhe demokracisë për të gjithë!
Kjo ashtë nji “andërr” që nuk shuhet.
Ky teatër i shëmtuar i marrëzive tona nuk mund të vazhdojë ma gjatë! “ Ejani në vete, o shqiptarë!”(F.Konica)
Komentet