Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Prill 2024
“The Christian Science Monitor” ka botuar, të hënën e 9 janarit 1933, në faqen n°12, rrëfimin e reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth borgjezimit (zhvillimit) asokohe të Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Shqipëria po borgjezohet
Është zakon që udhëtarët dhe shkrimtarët t’i referohen Shqipërisë si toka që kaloi me një kërcim nga mesjeta në shekullin e njëzetë në çështjen e transportit; për shembull, nga gomerët e grumbulluar te aeroplanët. Por ndryshimi i shpejtë në jetën shoqërore dhe politike të Shqipërisë është akoma më interesant.
Shqipëria është e mbushur me rrënoja fortesash. Ato janë simbole të organizimit të saj shoqëror të së kaluarës – ose mungesës së tij. Pronarët e tokave, shumë prej të cilëve ishin bejlerë dhe disa pashallarë, dominonin vendin, secili zot i mbretërisë së tij të vogël ose më të madhe. Masa e popullit u shërbente atyre si bujkrobër.
Rezultati ishte varfëria e tmerrshme, analfabetizmi i plotë, padrejtësia e madhe dhe kaosi i përgjithshëm. Nuk kishte rrugë të mira dhe pak ura të klasit të parë. Asnjë qytet modern, një mungesë e plotë e akomodimeve në hotele, pa kulturë popullore dhe pak siguri.
Në atë kohë nuk ekzistonte ndërgjegjja kombëtare shqiptare, por në fillim të shekullit të sotëm pati shenja zgjimi. Kur krerët e kësaj lëvizjeje të re nisën një kryqëzatë për një Shqipëri të pavarur dhe të bashkuar, panë se bejlerët përbënin një pengesë pothuajse të pakapërcyeshme.
Kishte dy mënyra historike për të kapërcyer kundërshtimin e tyre : njëra ishte që një princ të vinte nga jashtë dhe të zbatonte rendin në Shqipëri me ndihmën e huaj, dhe tjetra ishte që një nga krerët vendas të fitonte epërsi mbi të gjithë rivalët e tij. Të dyja mënyrat u provuan dhe një kombinim i të dyjave pati sukses. Një udhëheqës vendas, i riu, i vrullshëm dhe i aftë Ahmet Zogu, pas shumë revolucioneve dhe shumë mundi, iu imponua Shqipërisë me ndihmën jugosllave dhe italiane dhe u bë Mbret me emrin Zogu i Parë.
Njerëzit e rëndësishëm tani janë organizatorët, oficerët, shefat inteligjentë të departamenteve, shefat e policisë, sipërmarrësit mendjemprehtë, burokratët dominues. Mbreti Zog mbështetet me zjarr nga një grup i ri njerëzish të arsimuar dhe të punësuar.
Këta burra kanë formuar një këndvështrim krejtësisht të ri në Shqipëri. Ata janë për ligjin, stabilitetin, komunikimin e sigurt, policët kompetentë, gjyqtarët e drejtë dhe një ushtri të fortë. Ata do të shkatërroheshin plotësisht nga revolucionet dhe rikthimi i dominimit të baronëve (bejlerëve) të vjetër të tokës.
Shqipëria është borgjezuar patjetër. Për rrjedhojë, kundërshtimi ndaj Mbretit Zog është zhdukur në masë të madhe. Prosperiteti i gjithë inteligjencës shqiptare varet nga ai ose nga dikush tamam si ai. Ai ka inauguruar një sistem që për shumicën e shqiptarëve të arsimuar është i mirë. Atyre iu pëlqen. Sepse do të thotë një rrogë mujore, rroba të bukura, një shtëpi dhe tokë, pak kulturë dhe një vend në botë. Këta liderë borgjezë mund të luftojnë mjaft ashpër mes tyre për kontratat, koncesionet dhe punët më të mira, por secili prej tyre mbetet për Mbretin dhe sistemin e tij.
Kjo do të thotë, për shumë vëzhgues politikë, se ushtria, e cila është shumë aktive, do të bëhet një forcë e madhe politike dhe shoqërore; se do t’i akordohet një vend i lartë në rendin shoqëror dhe se ndoshta do të zhvillohet një burokraci e ngurtë. Ndoshta me kalimin e kohës do të lindë një oligarki.
Por pikërisht tani Shqipëria e gjen veten në atë fazën e parë të lezetshme ku jakat e bardha dhe kostumet formale kanë përparësi ndaj kostumeve tradicionale të bejlerëve dhe ku rrugët e drejta, orkestrat, tualetet dhe llogaritë bankare preferohen në vend të pyjeve dhe luginave të mbushura me bujkrobër. Sistemi borgjez përfaqëson një përmirësim të konsiderueshëm ndaj feudalizmit dhe Shqipëria duket se ka interes të ndjekë rrugën që ka marrë ose po ndjek secili nga fqinjët e saj perëndimorë.
R. H. M. (Reuben Henry Markham)