Mbreti Zog – Burimi : L’Illustrazione Italiana, 1929
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Mars 2023
“The Christian Science Monitor” ka botuar, të hënën e 18 nëntorit 1929, në faqen n°8, fjalimin prekës dhe të improvizuar të Mbretit Zog mbajtur asokohe para delegacionit të grave shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Mbreti i Shqipërisë theksoi demokracinë e tij
Sovrani uron klerikët dhe popullin për pavarësinë që kanë fituar
Speciale nga The Christian Science Monitor
Tiranë, Shqipëri — Gjatë një feste të kohëve të fundit për Zogun I, Mbreti i Shqiptarëve gjeti rastin për të theksuar qëndrimin e tij demokratik ndaj popullit të tij dhe dëshirën e tij për t’i shërbyer. Natyrisht, festimet ishin kryesisht të natyrës ushtarake, duke i dhënë ushtrisë së re evropiane një mundësi për të treguar formimin, rendin, pajisjet dhe rritjen e saj të qëndrueshme, por përveç paradës pati edhe takime midis Mbretit të Shqipërisë dhe një numri të madh delegacionesh që përfaqësonin popullin shqiptar. Në një nga këto takime Zogu tha : “Kur të ktheheni në shtëpi, thuajuni fqinjëve se Mbreti i Shqipërisë nuk dëshiron të qëndrojë larg edhe një qytetari të vetëm, por është i vendosur të jetë një shërbëtor i vërtetë i Kombit, gjithmonë i gatshëm të sakrifikojë gjithçka që ka, madje edhe jetën e tij për popullin. Krijimi i Shqipërisë ishte fryt i përpjekjes më të madhe kombëtare dhe pavarësia jonë u fitua me çmimin e heroizmit dhe sakrificës tuaj. Shqiptarët nuk do të kënaqen me asgjë më pak se lirinë dhe për ta ruajtur atë do të paguajnë çdo çmim të nevojshëm.”
Në një takim tjetër me një delegacion grash, Mbreti i Shqipërisë, në një fjalim prekës dhe të improvizuar, të frymëzuar nga referenca e grave ndaj nënës së tij, Mbretëreshës, tha : “Ju falenderoj për këtë nderim. Unë ruaj dashurinë dhe respektin më të madh për nënën time dhe për të gjitha nënat. Janë nënat ato që mishërojnë më së miri idealet e atdheut tonë. Dhe ju lutem të mos e konsideroni familjen tonë mbretërore jashtë sferës së jetës suaj. Ne vetë kemi dalë nga mesi juaj dhe jemi bij të atdheut tuaj. Burrat në familjen mbretërore janë vëllezërit tuaj; gratë, motrat tuaja; nëna ime është nëna e të gjithë juve. Froni ynë nuk mbështetet në traditën shekullore si në vendet e tjera, por shpresoj se do të sigurohet nga dashuria juaj dhe do të gjejë një vend të fortë në zemrat e popullit sovran. Asnjë ceremoni të mos na ndajë nga ju. E gjithë familja jonë është në dispozicionin tuaj, e gatshme për t’ju shërbyer nevojave tuaja. Shpresoj që të gjitha femrat shqiptare të jenë nëna të mira, shtëpiake të mira, elegante, besnike dhe përparimtare (progresiste). Në përpjekjet tuaja për të përparuar dhe ndihmuar Kombin të përparojë, ju do të keni mbështetjen time të pakufizuar.”
Edhe pse gratë myslimane të Shqipërisë nuk po adoptojnë mënyrat moderne aq shpejt sa motrat e tyre në Turqi, shumica e më të rejave mes tyre e kanë hequr ferexhen dhe gradualisht po hedhin mënjanë kufizimet e tjera tradicionale që i kanë penguar ato.