Ambasadori i OSBE-së dukej në hall të shtunën, ndërsa përpiqej të shfajësohej lidhur me një raport që listonte një dyzinë deputetësh, … biznesmenësh dhe politikanësh të lartë, të cilëve u përmendeshin pasuritë dhe lidhjet e mundshme me korrupsionin dhe krimin dhe organizatat mafioze. Sqarimi i parë që bëri ambasadori Raunig ishte se materiali ishte publikuar pa autorizimin e zyrës. Pasi OSBE nuk ka për qëllim të hetojë politikën e inkriminuar. Dhe i dyti lidhej me përmbajtjen. “Përmbledhja ishte thjesht një grumbullim informacioni nga raportime të medias shqiptare dhe pretendimeve që qarkullonin në publik. Prezenca nuk e verifikoi informacionin e përdorur, pasi qëllimi i asaj përmbledhjeje ishte pasqyrimi i pretendimeve dhe jo përcaktimi i së vërtetës”.
Pra OSBE-ja është marrë me thashetheme. Çka lexuar ndonjë gjë nëpër gazeta, të cilat, nga ana e tyre, nuk shquhen për ndonjë korrektesë të madhe, si dhe ka dëgjuar muhabete kafenesh në Rogner e Sheraton, ku bëjnë pazaret zakonisht edhe politika, edhe mafia, ose edhe të dyja së bashku.
Raporti i “thashethemeve” të OSBE-së përfshinte një listë prej 31 deputetësh, njëri më i pasur se tjetri, të gjithë evazorë, financues të partive të tyre, të gjithë të lidhur me politikën jo nga pasioni e profesioni, shumica që kanë paguar para për të blerë vendin në listën e deputetëve, të dyshuar se paratë kanë filluar ti vënë me kontrabandë nafte, droge ose shfrytëzim prostitucioni dhe pothuajse të gjithë gdhë për nga arsimimi. Raporti përfshin edhe tre politikanët më me ndikim në vend, Ramën, Berishën dhe Metën. Për Ramën thotë se ka pasuri 200 milionë euro. Për Berishën tregon rolin e djalit dhe vajzës në vënin e parave, ndërsa për Metën thotë se ka “thashetheme” se ka porositur edhe dy vrasje.
Ky pra ishte raporti për të cilin OSBE kërkoi ndjesë dy herë rresht dhe mbi të gjitha u kërkoi ndjesë politikanëve “për shqetësimet që u shkaktoi”. Me pak fjalë zyra e OSBE-së tha: Janë thashetheme, mos u shqetësoni, nuk janë zyrtare.
Por, për ne shqiptarët, këto thashetheme nuk janë edhe shumë thashetheme dhe mbi të gjitha, as të reja. Hiq shifrat se sa para ka Sadri Abazi, sa para ka Rama, Tom Doshi, apo të tjerë deputetë e biznesmenë, apo se vrasjen e kujt ka porositur Ilir Meta, të tjerat ne i dinim dhe nuk na duken fare thashetheme. Kështu, që Shkëlzen Berisha ishte ortak në Gërdec apo që Argita ishte bërë paradhoma juridike e qeverisë për investitorët e huaj, këtë e dinim. Por s’kishim prova. Që politikanët dhe deputetet biznesmenë janë pa arsim e dimë, që shumica prej tyre kanë qenë të përfshirë në veprimtari kriminale, edhe këtë e dimë, dhe që kanë hedhur para për të blerë vendet në listat, që kanë hedhur para për të ushqyer makinerinë politike të partive të tyre, edhe këto i dimë, sikundër dimë që në shpërblim të këtyre ata kanë siguruar favore për të përfituar tendera publikë, ose për ti shpëtuar ndëshkimit të ligjit për krimet financiare që kanë bërë. Por edhe për këto ne nuk kemi prova. Pra raporti konfidencial i OSBE-së ishte pak më shumë nga ç’kemi shkruar e dimë të gjithë. Ai ka shumë shifra, për të cilat vetë ambasadori i OSBE-së tha se vërtetësia e tyre nuk është vërtetur, pra nuk ka prova donte të thoshte ambasadori Raunig.
Ne realisht nuk e dimë se sa aksidentalisht ia kanë vjedhur raportin OSBE-së, por e tmerrshmja është se shumica e tyre janë të vërteta, edhe pse në gjuhën juridike thuhet se nuk ka prova. Ose më keq, s’ka denjuar njeri t’i kërkojë provat. Raporti i “thashethemeve” të OSBE-së doli në pikun e debatit për dekriminalizimin e politikës. Kur gishti është drejtuar tek ata që kanë qenë në burg, pasi kanë plagosur, vrarë, apo trafikuar drogë, janë lënë në “harresë” ata që në fakt duhej të ishin në burg para atyre, por që ende janë në Parlament dhe së shpejti do të votojnë edhe ligjin e dekriminalizimit edhe reformën në drejtësi.
Ata nuk kanë vrarë njerëz, të paktën nuk ka as thashetheme, por ama kanë vjedhur, kanë kontrabanduar mallra, kanë bërë evazion fiskal, kanë shitur drogë, kanë zhvatur shtetin, kanë rrjepur pasuritë kombëtare, kanë përfituar në kurriz të fondeve publike, sa meritojnë të ishin në burgun e Hagës e jo të Rrogozhinës. Por ky soj nuk është përmendur fare deri tani. Kur flitet për dekriminalizim të politikës nuk duhet të nënkuptohet domosdoshmërish ai që ka qenë në burg në Itali a Belgjikë dhe këtu na siguron një dëshmi penaliteti të bardhë. Jo jo, këta që janë në Parlament janë 1 mijë herë më të rrezikshëm se ata që kanë kryer burgun. Sepse janë këta që kanë kapur prej fyti politikën, pushtetin dhe shtetin. Ata vetë nuk dinë të shkruajnë fjalime dhe lexojnë shumë keq kur ua shkruajnë, por ata janë gjaku i politikës, janë ata që e ushqejnë me para të pista këtë gjiriz që ka zhytur vendin në krizë të përhershme dhe tërë shoqërinë në depresion. Ndaj kësaj kaste nuk është ngritur asnjëherë asnjë dorë e drejtësisë, sado që shefi i prokurorisë shqiptare paralajmëron stinë pas stine sezonin e ri të arrestimeve.
Unë dua të besoj me kënaqësi që raporti i “thashethemeve” të OSBE-së, që i është përcjellë edhe selive diplomatike “për informacion të brendshëm”, nuk është publikuar aspak rastësisht, apo i është vjedhur nga media. Dua të besoj me kënaqësi se, edhe pse nuk është një aktakuzë shoqëruar me prova, ajo është fërshëllima e tenxheres me presion që tregon se është gati të shpërthejë.
Në kushtet kur ky vend nuk ka drejtësi dhe kur institucioni i zgjedhjeve është bërë qendër tregtare nga sipërmarrësit e politikës, atëherë diskreditimi publik, qoftë edhe përmes të tilla raporteve me “thashetheme”, është një mënyrë për tu çuar mesazhe qytetarëve që dëgjojnë dhe shikojnë.
Komentet