-Vëllim me poezi nga Viron Kona-
Viron Kona është një ndër shkrimtarët më në zë për krijimtarinë e tij letraro-artistike për të rritur dhe fëmijë, ku spikat tregimi, novela, epigrami dhe romani. Të veçanta janë romanet fantastiko-shkencorë për fëmijë, dy prej të cilëve janë të përkthyer edhe në Suedi. Javët e fundit ai është prezantuar përpara lexuesit edhe poet, duke na befasuar dhe duke na dhuruar një tufë të këndshme me poezi në një përmbledhje me titull “Thashë të bëhem dhe unë poet!” botuar nga Shtëpia Botuese “ADA”. Aty përmblidhen 77 poezi me tematika të ndryshme, por më së shumti anojnë te dashuria për vendin, te bukuria e jetës fëmijërore, te familja, problemet sociale që lidhen me aktualitetin. Nuk mungojnë lirikat e dashurisë, si dhe disa poezi të shkruara në stilin e epigrameve. Libri ka redaktor poetin, shkrimtarin dhe publicistin e njohur Zeqir Lushaj, ka recensentë leksikografin dhe poetin Sadulla Zendeli-Daja dhe gazetarin Kadri Tarelli. Konsulentë të librit janë: Dr.Bajram Mejdiaj dhe studiuesi i letërsisë Sejdo Harka.
Sapo hapim librin vjen si një erë e ngrohtë poezia me theks mëmëdhetarë: “Mijëra herë Shqipërinë do të zgjidhja” ku spikatin vargjet vezullues: “Sikur të më ofronin,/të zgjidhja tjetër atdhe,/mijëra herë Shqipërinë do t`zgjidhja,/më të bukurën mbi Dhe`”. Një poezi kjo, ku shprehet dashuria e akumuluar dhe e pashuar ndër vite për vendin, atdheun, e që, njëherazi, është shprehja më e koncentruar e dashurisë njerëzore. Në vazhdim, me vargje plot tharm e figuracion artistik, autori shpreh poetikisht ndjenjën e miqësisë “Për shokët e udhës”, “Miqtë e mi” dhe shkon deri tek malli për “Lisin” dhe vecanërisht “Rrapin e Ujit të Ftohtë”, i cili e ndjell gjithmonë atë përmes kujtimeve të kohrave të fëmijërisë e rinisë, por dhe ndez dashurinë për bimët, drurët dhe lulet, që jo vetëm e zbukurojnë natyrën, por ndihmojnë në zhvillimin dhe gjallërinë e vetë jetës. Poezitë e familjes hapen me poezinë “Qypi i fqinjës”, ku autori përshkruan në mënyrë shumë të thjeshtë, por tepër emocionuese lodhjen e nënës me një tufë fëmijë, ku përveç larjes së rrobave, i duhej të siguronte dhe të gatuante ushqimin për ta, t’i vishte dhe t`i edukonte, të priste miqtë e, gjithmonë në një lodhje fisnike dhe me merakun e nënës dhe të zonjës së shtëpisë: “Erdhi nuse, u bë nënë,/ fëmijë rriti dhe u plakë,/qypi finjës nuk iu nda,/nga mëngjesi në darkë”.
Në vijim vijnë poezitë për babanë, në të cilat shprehen me nota shumë nostalgjike, por dhe me një pathos emocional të jashtëzakonshëm, ato cilësi brilante që kishte ai brez për punën dhe vlerat e saj edhe në formimin e personalitetit. “Për mua çdo klient është i nderuar, / nuk bëj dallim në është bari a zotëri. / Bariu përgjigjet për dhen e për dhi, / për kostumin unë, rrobaqepsi i tij!” (Poezia “Kostumi i bariut”). Kurse te poezia “Rrobaqepësi”, poeti, duke nxjerrë në pah veshjen perfekte të moderatorit historik italian, prezantuesit të famshëm të festivalit të Sanremos Pipo Baudo (atëherë kur nuk lejohej ta shikonim TV Italian), autori nënvizon idenë dhe dëshirën e lirisë të rrobaqepësit të thjeshtë, të cilit i pëlqen e bukura kudo që ajo shfaqet: “E shikon, or bir, veshja e njeriut është art,/rrobaqepësi i vërtetë nuk qep, por pikturon,/nuk besoj se po bëj ndonjë gabim apo faj,/kur lëvdoj zanatciun që e kem gjtonë!?” Tek secila poezi ka ndjeshmëri të madhe dhe emocione të fuqishme. Ato përmbajnë mesazhe lakonike dhe të shkruara figurshëm, duke transmetuar tek lexues një moral qytetar, një vlerë edukative në formë artistike të dallueshme, duke shmangur qëndrimet moraliste apo predikuese. Plagët sociale të shoqërisë shqiptare gjejnë një vend të rëndësishëm në këtë vëllim poetik të Viron Konës. Ai nuk e ngjyros apo lajkaton realitetin, por e sjell atë para lexuesit si një tablo jetësore gri e të dhimbshme, ku shfaqet dukshëm një kontrast i madh dhe i padrejtë mes njerëzve: në njërën anë përjetohet një botë e trishtë e shkaktuar nga varfëria, kurse në anën tjetër ravijëzohen situata të një realiteti pervers, ku avionët e drogës “ndyjnë qiellin n’fluturim,/rrugaçëri, kurvëri, larje hesapesh, korrupsion,/konkurencë e egër …,vampirë të llojllojshëm, /dimër, acar, publicitet…,kronika 2016 vazhdon…”(Poezia “Kronikë gri”). Duke pasqyruar një realitet të ashpër dhe pa sens, shkrimtari Viron Kona sjell me një sqimë të veçantë, humor, satirë e dhimbje, edhe situatën e librit në Shqipëri. Nga njëra anë është varfëria e skajshme dhe nga ana tjetër “drita-libri” që sfidohen: “Libra të tillë me ngjyra ylberi, o lali, / kurrkund dhe kaq lirë s’kemi për t’i gjetur, / me letrat e tyre bëjmë kaushë për bajame, / kokoshka, kikirika dhe misra të pjekur.” (Poezia “Thashë të bëhem dhe unë poet!”).
Duke udhëtuar me kërshëri poezi pas poezie në këtë libër, lexuesi përfshihet në një botë magjike, ku mund të kridhesh këndshëm, por dhe të nxjerrësh mësime të vyera për jetën. E bënë këtë më të vërtetë dhe fakti se shumë prej poezive janë shkruar në stilin e epigrameve dhe të aforizmave, të cilat me pak fjalë dhe shumë mendim, nguliten thellë në mendjen e lexuesve. Bindesh për këtë bukuri poetike, kur lexon poezitë: “Rruaju!”, “Njeriu i zemëruar”,“Ajri është plot nerv e gaz”, “Për një fjalë e për një thumb”, “Harrove të tjerët”, “Vallja e ujqërve”, “Delikate”, “Sulmi i peshkut lozonjar”, “Qëndro”, “Miqtë e rinj të Franit”, “Përfitim nga mirësia”,“Dea e Butrintit”, “Mollët apo shporta?”, “Mos ma merrni aromën e limonit”. Citojmë nga kjo poezi: “E di, të gjithë për vete i doni/vecse për një gjë ju lutem:/mos ma merrni aromën e limonit!”
Të emocionojnë në këtë vëllim poetik poezitë lirike për dashurinë:“Mos më thuaj s`të thashë!”, “Nishanet” dhe “Ç`ti bëja moj nënë!” Janë këto poezi të ndjera dhe me ritëm, plot jetë, gjallëri dhe ëmbëlsi vargu, ku, si në një lojë dashurie, rrëfehet përmes figurës së metaforës, bukuria e fjalës dhe e frymëzimit lirik: Aman këto nishane,/ ç`të paskan lezet,/ca janë të vërteta,/ca të bëra vetë./ Ato të vërtetat,/si heq dot nga mendja,/ seç po më dalldisin,/seç m`i dashka zemra! Dhe, në fund kur djali “refuzohet” nga vajza që dashuron, e që në fakt mes tyre zhvillohet një lojë “kukafshehtas”, ai shpërthen në vargjet: “Po më plas zemrën,/moj aman, aman,/për ato nishane,/do shkallmoj dynjanë!” Kurse, vjen edhe më e ëmbël poezia “Ç `ti bëja moj nënë!”, ku autori nis me vargje të mrekullueshme-porosi jetësore, që shpesh herë nënat ua japin vajzave, që të zgjedhin me kujdes të vluarin e jetës, por ndodhë që, edhe ato, diçka tepër të rëndësishme e harrojnë: “Porositë moj nënë/një për një m`i dhe/por kësaj zemrës sime,/një fjalë pse s`ia the?” Në vazhdim, vajza kërkon t`i mbush mendjen nënës se e ka të pamundur të përballojë ndjenjën që ka ajo për djalin, pasi: “Ç`ti bëja moj nënë/kur erdhi si erë,/unë isha pulëbardhë,/ai ishte skifterë!.” Dhe, më tej, pas “shmangieve” të saj nga djali që e dashuron me shpirt, vajza përpiqet “të justifikohet” përpara nënës: “S`kuptova seç bëra,/s`mora vesh ku shkova,/veç te krahët e djalit,/s`di si përfundova”. Në këto poezi “rekuizita” e dashurisë është pylli me shushurimën dhe simfoninë e tij, janë zogjtë që cicërojnë, thëllëzat që bëjnë fër-fërë: “Erdhën dhe sorkadhet,/dhe drerët e malit,/veç ne na shikonin,/na kuptonin hallin.” dhe, në fund, dashuria shpërthen me një bukuri të rrallë poetike: “Eh, moj nënë s`rrëfehen,/me “më the”, “të thashë”, /s`dija se ku isha,/n` ferr a në parajsë!”.
Ndërkaq, poeti Kona, një artist gjithnjë i frymëzuar, shkruan poezi kushtuar disa prej krijuesve të mëdhenj të kombit shqiptar, ashtu dhe atyre botëror. Spikat poezia për Naim Frashërin, ku shprehet nderimi dhe respekt për poetin e madh kombëtar, poezi që mbyllet me vargjet lapidare: “Dashuria për Naimin nis nga zemra,/nga vatra e atdheut dhe e lirisë,/nis nga vjersha që fillon me vargun:/“O malet` e Shqipërisë…”. Por, Viron Kona, i thur vargje të zgjedhura edhe një prej figurave të shquara atdhetare shqiptare në Suedi leksikografit, poetit dhe atdhetarit Sadulla Zendeli-Daja, sikurse, krijon vargje të ndjera për Xhordano Brunon dhe poetët e mëdhenj persianë Saadi dhe Khajam. Nga poezia për Khajamin veçojmë vargjet: “Mbretër e gjeneralë zili t`i kanë pasur,/këngët e tua dhe të bukurat vjersha,/shtetet e botës, popujt do të sundonin,/sikur t`i përdornin ato si topa dhe raketa. /Ty s`të ka shkuar kurrë ndërmend,/të ishe mbret pushtues a gjeneral,/me gotën e verës dhe këngët e tua,/mban të robëruar gjithë botën mbarë”.
Kona i kushton një poezi homazh dhe brilante poetit të madh dhe mikut të tij lezhjan Ndoc Gjetja. Janë këto vargje himn për veprën e një krijuesi dhe njeriu të shquar, që shprehu në jetën e përditshme dhe atë poetike cilësitë më të vyera njerëzore: sinqeritetin, thjeshtësinë, ndershmërinë dhe mirënjohjen: “Poezinë e dashuroi gjithë jetën me zjarr,/më fort e përqafoji kur bubulliu,/tek ikte, urtësisht na la amanetin:/“Njeriun e bën të lumtur vetëm njeriu”. Kurse në strofën e fundit, autori shpreh mall, dhimbje e krenari, duke e vendosur figurshëm poetin Gjetja në Parnas, në vendin e ndritur të poezisë, në vendbanimin e muzave: “I Zgjedhur do mbetesh sot dhe në breza,/ o ëndërrimtari sy bukur, shenjtori buzagaz,/dashuri dhe nektar ti na dërgon pareshtur,/ nga “shtëpia” e muzave, nga mali Parnas”. (Poezia: “Poeti, që iu ngjit Parnasit”). Optimizmi i poetit, shpirti i tij i ndjeshëm poetik, shfaqet veçanërisht te poezia “Një çift mështeknash të bardha”, një simbolikë artistike kjo shumë e veçantë, ku i këndohet bashkëshortes së tij në 55 – vjetorin e lindjes, dhe ku krahas dashurisë dhe mirënjohjes ndaj saj, autori shprehet: “Ndihemi mirë dhe të shëndetshëm,/njerëzve u shprehim paqe dhe mirësi,/ti kapitenia, unë kapiteni,/jemi gati për lundrim të ri. /Atëherë kapitene, t’ mos humbim kohë, / vijojmë lundrimin me vela të hapura, / pulëbardhat lajmërojnë mot të mirë, / erërat e dashurisë si gjithnjë të mbara…”.
Paraqitja dinjitoze e shkrimtarit Viron Kona me një libër shumë të spikatur poetik, sjell në vëmendjen tonë dhe të çdo lexuesi se jeta, me gjithë vështirësitë, është e bukur dhe kjo bukuri duhet jetuar denjësisht, duke luftuar secili dhe të gjithë bashkë për një të ardhme më të mirë.
Komentet