Intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar do të vazhdojë edhe gjatë ditës së mërkurë, duke filluar nga ora 13:00.
Gjatë të martës, për të dytën ditë me radhë, presidenti Thaçi u intervistua për gjashtë orë.
Pas intervistimit, ai nuk u prononcua për mediat.
Edhe të hënën, Thaçi u intervistua për gjashtë orë. Ai pas intervistimit tha se aty ishte biseduar për çështje teknike dhe sqaruese dhe kishte pasur interesim “fillestar të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.
Ndërkaq, para se të niste intervistimin të hënën, presidenti i Kosovës deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.
Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.
Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.
Pse Thaçi u ftua për intervistë pasi u dërgua aktakuza kundër tij?
Nëse gjyqtari i procedurës paraprake, francezi Nikola Giju, vërteton se dyshimet e ngritura nga prokurori kanë bazë, atëherë ai e konfirmon aktakuzën. Nëse ai nuk është i bindur, aktakuza refuzohet.
Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake dhe prokurori i specializuar mund të takohen gjatë hetimit dhe para se të konfirmohet aktakuza.
Gjykatësi mund të kërkojë ose të lejojë prokurorin e specializuar të dorëzojë material shtesë në mbështetje të cilësdo ose të gjitha akuzave; të kërkojë prej prokurorit të specializuar që të rishikojë aktakuzën me synimin që të japë më shumë hollësi për cilëndo prej akuzave, dhe veprimet konkrete të të dyshuarit, ose të mundësojë saktësi ligjore, ose më shumë qartësi në paraqitjen e akuzave; ose t’i kërkojë prokurorit të specializuar që të pakësojë numrin e akuzave ose të zvogëlojë kuadrin e akuzave.
Si rezultat i këtij shqyrtimi, gjykatësi i procedurës paraprake konfirmon ose hedh poshtë tërësisht, ose pjesërisht akuzat, në një vendim të arsyetuar. Me konfirmimin e cilësdo prej akuzave të aktakuzës i dyshuari bëhet i akuzuar dhe gjykatësi i procedurës paraprake mund të lëshojë një fletarrestim apo një urdhërparaqitje.
Paraqitja e parë e të akuzuarit në gjykatë bëhet brenda shtatë ditësh pas dorëzimit të aktakuzës. Aktakuza është në dispozicion të publikut vetëm kur ajo konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake.
Moskonfirmimi i një aktakuze nuk e pengon prokurorin që të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar.
Personi, kundër të cilit është konfirmuar aktakuza, në bazë të urdhrit gjyqësor, dërgohet në arrest, nëse nuk është i ndaluar. Ai menjëherë njoftohet për akuzat ndaj tij dhe sillet para Dhomave të Specializuara.
Aktakuza bëhet publike pas konfirmimit të saj, dhe në rrethana të jashtëzakonshme, nëse prokurori ka një arsye të vlefshme përpara konfirmimit, gjyqtari mund, për shkaqe sigurie, për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, të nxjerrë në publik një urdhër për mos zbulimin e përkohshëm të aktakuzës. Aktakuza do të publikohet jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para gjykatës.
Gjykata Speciale, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e Prokurorisë në Hagë u formua nga autoritetet në Kosovë pas insistimit të bashkësisë ndërkombëtare. Për formimin e kësaj gjykate u deshën edhe ndryshime kushtetuese, që u miratuan nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Komentet