Thaçi, i dorëzoi flamurin e Kosovës në mënyrë solemne ekipit olimpik dhe skiatorit Albin Tahiri që do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”
PRISHTINË – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i dorëzoi flamurin e Kosovës në mënyrë solemne ekipit olimpik dhe skiatorit Albin Tahiri që do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018” që do të mbahen në Korenë e Jugut.
Presidenti Thaçi i cili priti sot skiatorin Albin Tahiri, kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani dhe ekipin olimpik të Kosovës, theksoi se ky është një moment i veçantë për Kosovën për faktin se merr pjesë për herë të parë në garat olimpike dimërore.
“Kemi besim të plotë në përkushtimin, kreativitetin dhe talentin e Albinit, i cili do të na bëjë të ndjehemi krenar të gjithëve si Majlinda më herët. Kështu që të gjithë do të jemi të orientuar, të fokusuar dhe në mbështetje të fuqishme për Albinin, për suksesin e tij”, tha Thaçi.
Thaçi po ashtu tha se ngritja e flamurit në Korenë e Jugut për herë të parë ka edhe një kuptim tjetër të veçantë, siç tha, që po ndodh në 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ndërsa, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, theksoi: “Jam i sigurtë së dorëzimi i flamurit tek ekipi olimpik do të ndikojë në rritjen e motivacionit të Albinit i cili është përgatitur jashtëzakonisht mirë dhe nuk e ka patur asnjë dilemë që t’i mbrojë ngjyrat e flamurit të Republikës së Kosovës”, tha Hasani.
Edhe skiatori Albin Tahiri tha se do ta bartë flamurin e Kosovës me shumë respekt duke shtuar: “Shpresoj se do të ju bëjë krenarë”.
Ndryshe, garuesi i vetëm që ka siguruar normën olimpike, skiatori Albin Tahiri dhe ekipi olimpik i Kosovës do të marrë pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”, që mbahen në Kore të Jugut, prej 9 shkurt 2018 deri 25 shkurt 2018.
Ndërkohë, pjesë e Lojërave Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018” do të jetë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga skiatorët Erjon Tola dhe Suela Mehilli.
Komentet