Pa të drejta të barabarta të shqiptarëve në Maqedoni, humb kuptimi i funksionimit të shtetit të Maqedonisë, ka thënë presidenti i Kosovës, Thaçi
PRISHTINË – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar si shumë shqetësuese zhvillimet politike në Maqedoni, ku Presidenti Gjorge Ivanov, nuk ia dha mandatin kryetarit të Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë, Zoran Zaev, për formimin e qeverisë së re, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një mesazh të publikuar në profilet e tij në rrjetet sociale, Thaçi ka shkruar se “Presidenti Ivanov abuzoi me Kushtetutën dhe ligjet në qasjen e tij armiqësore e antishqiptare, që përbëjnë një të tretën e qytetarëve të këtij shteti. Me vendimin e tij, presidenti Ivanov varrosi demokracinë, duke mos njohur vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet, si dhe varrosi Marrëveshjen e Ohrit. Shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues dhe Maqedonia duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj. Pa të drejta të barabarta të shqiptarëve në Maqedoni, humb kuptimi i funksionimit të shtetit të Maqedonisë. Në fund, shqiptarët duhet të marrin fatin e të drejtave të tyre në duart e veta”.
Ndryshe, Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, dje nuk ia dha mandatin kryetarit të Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë, Zoran Zaev, ku si arsye u theksua deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare në vend.
Komentet