Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi të hënën në Uashington presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Thaçi tha për Radion Evropa e Lirë se në takim është diskutuar për “domosdoshmërinë e një zgjidhjeje paqësore të çështjeve Kosovë-Serbi” dhe për “mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare”.
“Takimi ka qenë korrekt, konstruktiv, pa ndonjë të veçantë. Është treguar një vullnet i mirë që gjërat të çohen përpara në interes të të dyja vendeve”, tha Thaçi.
“Fundi i dialogut duhet të vijë sa më shpejt që të jetë e mundur me një marrëveshje përfundimtare, e cila nënkupton njohjen reciproke, jo më pak ose më shumë, nën integritetin e tanishëm territorial. I gjithë procesi do të ndihmojë përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO dhe në BE, si dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Ne nuk kemi kohë për të humbur dhe sigurisht se duhet të punojmë ngushtë me partnerët tanë. Nuk mund të presim nga adresa të tjera, të tilla si Bashkimi Evropian, me dy njerëz, vendet e të cilëve (Spanja dhe Sllovakia) nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Tani kemi një ofertë nga Uashingtoni dhe ne duhet të ecim përpara”, tha Thaçi.
I pyetur se cila është oferta e Uashingtonit, ai tha se SHBA-ja e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, se me SHBA-në është punuar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe se “oferta e SHBA-së është paqja, stabiliteti, zhvillimi dhe integrimi në NATO dhe BE”.
Presidenti Thaçi bëri të ditur se takimi është zhvilluar me ftesë të të dërguarit të posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Robert O’Brien.
Thaçi tha se në takim nuk është diskutuar për “gjëra të veçanta”, ndërsa shtoi se edhe Kosova, edhe Serbia e kanë vlerësuar “rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara” në dialog.
“Shpresoj se në etapat e ardhshme do të kemi orientime, sa i përket substancës, por, në të njëjtën kohë, edhe afateve kohore. Por ajo që mund të them aktualisht është se ky takim ka qenë takim i vullnetit të mirë, simbolikë e dërgimit të mesazhit të paqes për Kosovën dhe Serbinë dhe për Ballkanin Perëndimor”, tha Thaçi për Radion Evropa e Lirë.
Ai tha se takimi i së hënës rikonfirmon edhe një herë zotimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që t’i lëvizë gjërat përpara me një dinamikë të re.
Më herët, përmes një postimi në Facebook, Thaçi tha se pret që të mërkurën ose të enjten t’i mundësohet raportimi në Kuvendin e Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet e tij në Uashington dhe më specifikisht për takimin e së hënës.
Thaçi dhe Vuçiq kanë qenë në Shtetet e Bashkuara në vizita të ndara, gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin veprime, që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Zyrtarët amerikanë po i kërkojnë Kosovës që të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, ndërsa nga Beogradi kërkojnë t’i japë fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë që nga vendosja e këtyre tarifave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar javën e kaluar se do t’i heqë përkohësisht dhe pjesërisht ato.
Grenell ka thënë se nuk i mbështet “masat gjysmake” të Kurtit, ndërsa Bashkimi Evropian, si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi, e ka mirëpritur njoftimin e tij.
Komentet