Është përmbyllur me një darkë joformale samiti i Berlinit u cili u organizua nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në përpjekje për t’i dhënë shtytje proceseve të pajtimit dhe integrimit në Ballkanin Perendimor.
Por Samiti duket se ka pasur pak rezultatet pasi presidenti, Hashim Thaçi, në përfundim të tij tha se emërues i përbashkët i të gjitha diskutimeve ishte fakti se “u pajtuam për të mos u pajtuar”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se takimi nuk ka qenë i lehtë dhe se ka theksuar gjatë bisedimeve se faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi. Po ashtu Thaçi ka thënë se kjo marrëveshje është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të SHBA-së.
“Kundërshtimet kryesisht janë bërë duke keqinformuar dhe duke rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike. Por, këto pretendime kanë qenë dhe janë tërësisht të pavërteta! Kurdo që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm. Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm. Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të heq dorë nga cenimi i sovranitetit tone”, ka thënë Thaçi.
Një Samit i ngjajshëm, sipas presidentit Thaçi pritet të mbahet më 1 korrik në Paris nën organizimin e presidentin të Francës, Emmanuel Macron.
Përderisa Thaçi në samitin e Berlinit ka folur për nevojën e demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Haradinaj ka thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, në kufijtë e saj ekzistues.
“Ky është realiteti që duhet pranuar dhe kështu mund të ecim përpara. Diskutimet për ndarje etnike dhe kufij, hapin rrugë për tragjedi të reja në Ballkan dhe askush më mirë se ne, nuk i kupton përjetimet e para dy dekadave”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha pas bisedimeve disa orëshe në kuadër të Samitit se nuk është i kënaqur me “status quon”.
“Do dëshiroja që të fillonim dialogun sepse ai është garanca e vetme për stabilitet”, tha Vuçiq.
Presidenti serb tha se gjatë bisedimeve të gjithë kanë kërkuar nga Kosova të heqë taksën ndaj mallrave serbe e cila e ka bllokuar dialogun Kosovë-Serbi që nga nëntori i vitit të kaluar.
Në hapje të samitit, Kancelarja gjermane Angela Merkel porositi që zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet “të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”.
Në një konferencë për media se bashku me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, si nikoqir të Samitit të Berlinit, Merkel tha se në kuadër të këtij samiti do të diskutohet hapur për të gjitha sfidat.
Nga ana e tij, presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjithashtu porositi që në kuadër të samitit të diskutohet hapur për të gjitha opsionet që janë në tryezë sa i përket Serbisë dhe Kosovës.
“Nuk e kemi për qëllim të imponojmë zgjidhje për Beogradin dhe Prishtinën. Ne dëshirojmë që të shqyrtojmë gjitha mundësitë, por edhe të shmangim tensionet e mundshme në rajon të cilat mund të ndodhin për shkak të opsioneve që janë në tryezë”, tha Macron.
Merkel dhe Macron përmendet Marrëveshjen për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut si një shembull të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes vendeve të rajonit.
Merkel dhe Macron përmendet Marrëveshjen për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut si një shembull të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes vendeve të rajonit.
Më herët gjatë ditës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi iu tha gazetarëve se“Bashkimi Evropian është shumë i dobët dhe jo unik për të lëvizur gjërat përpara në Ballkan prandaj duhet përfshirja e Shteteve të Bashkuara”.
Delegacioni i Kosovës ka zhvilluar një takim edhe me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell.
Para se të fillojë Samiti i Berlinit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë takuar ndaras Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
“Një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është jetike që të ecim të gjithë përpara së bashku. E kemi përkrahjen e Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe tërë botës për ta arritur një marrëveshje paqësore, përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë. Ne jemi të gatshëm të rifillojmë dialogun në Bruksel”, ka shkruar Thaçi në Facebook pas këtij takimi.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit me Mogherinin tha se duhet te ketë një zgjidhje kompromisi.
“Nëse askush nuk dëshiron kompromis dhe mendon se duke bërë presion mbi Serbinë atëherë vjen deri të zgjidhja këtu përfundon filmi”, u shpreh Vuçiq.
I pyetur për çështjen e ndryshimit të kufijve, Vuçiq tha se “kur bëhet fjalë për çështjen e ndryshimit të kufijve, pyetja ime është cilët kufij: ata që njohin Kombet e Bashkuara, Spanja apo Italia. Gjermania e njeh Kosovën si shtet, ndërsa Serbia nuk e njeh sikurse nuk e njohin Kina, Rusia, India. Pikërisht për këtë unë them se duhet gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka kërkuar sërish heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës si mundësi e vetme për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Samiti joformal i Berlinit shënon takimin e parë të drejtëpëdrejtë të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që nga nëntori i vitit të kaluar kur bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u ndërprenë për shkak të vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës nga sot, më 01.11.2024 do të ketë në menaxhim pronat e Aeroportit të Dumoshit, si pika strategjike për rritjen e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.
Kështu ka njoftuar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i cili ka thënë se vendosja e ushtarëve të FSK-së në pronat e Aeroportit të Dumoshit në Podujevë është një zhvillim domethënës për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
“Kjo datë përkon edhe me ditëlindjen e Heroit të Kosovës, strategut dhe inspiruesit të luftës sonë çlirimtare, Komandant Zahir Pajazitit” – theksoi ministri.
Tutje ai shtoi se ky hap forcon praninë e FSK-së në regjionin e Llapit dhe Gollakut, duke ofruar siguri shtesë për banorët e kësaj ane si dhe për të ofruar mbështetje më të mirë dhe më të shpejtë për reagime emergjente dhe për operacione në rast të emergjencave civile.
Ministri u shpreh se ky vendim tregon angazhimin e institucioneve të Kosovës për të fuqizuar kapacitetet ushtarake dhe për të kontribuar në një mjedis më të sigurt. kallxo.com
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në panelin “Trajtim i Drejtë dhe Human” të Konferencës Ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes për Ukrainën theksoi rëndësinë e përkushtimit të komunitetit ndërkombëtar për të ofruar mbështetje konkrete dhe të qëndrueshme për Ukrainën dhe qytetarët e saj, kthimin e fëmijëve të deportuar dhe lirimin e robërve të luftës si një synim kryesor i kësaj konference.
Sipas një kumtese për media, Gërvalla bëri thirrje që mbështetja për Ukrainën të jetë e plotë duke shtuar se asnjë kompromis me Rusinë nuk do të sjellë paqe të qëndrueshme sepse Rusia nuk do të ndalet pa u mposhtur plotësisht, transmeton Klankosova.tv.
“Konferenca në Montreal ka mbledhur ministra të jashtëm nga shumë vende të botës për të diskutuar dhe mbështetur paqen dhe trajtimin e drejtë të popullit të Ukrainës, përmes formulimit të një plani të qartë dhe të qëndrueshëm”.
Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Japonia mbështetën propozimin për shpërbërjen e misionit të UNMIK në Kosovë, duke argumentuar se e ka përmbushur mandatin e tij. Qëndrimi i shprehur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit u kundërshtua nga Kina, Rusia, Brazili dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës Britania e Madhe dhe Japonia mbështetën në Këshillin e Sigurimit propozimin për shpërbërjen e UNMIK, misionit të organizatës së kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Përfaqësuesi i SHBA-së, në mbledhjen ku u diskutua raporti 6 mujor për misionin në Kosovë, theksoi se duhet pranuar që misioni i UNMIK-ut e ka përmbushur mandatin e tij shumë kohë më parë.
Ambasadori Robert Ëood theksoi se zhvillimi pozitiv i muajve të fundit tregon se është koha që OKB-ja të shqyrtojë një rol të përshtatshëm në Kosovë.
Koordinatori politik i misionit britanik në OKB, tha se Britania e Madhe e mbështet plotësisht Rezolutën 1244, por theksoi se është koha që të rishikohet mandati i misionit të UNMIK-ut.
Ai theksoi se Kosova dhe institucionet e saj kanë treguar pjekuri në periudhën e kaluar dhe se situata në terren nuk mund të krahasohet me atë të vitit 1999, prandaj është e nevojshme të rishikohet mandati i UNMIK-ut dhe të përshtatet puna e tij e ardhshme me situatën.
Propozimi për rishqyrtimin e mandatit të UNMIK në Kosovë u mbështet nga Japonia, por u kundërshtua nga Kina, Rusia, Brazili dhe Emiratet e Bashkuara Arabe
Zëvendës-ambasadorja e Francës në OKB tha se ata “presim që në takimin e ardhshëm mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit të diskutohet konkretisht për statutin e mundshëm”.
Gjatë mbledhjes përfaqësuesit e SHBA, Britanisë së Madhe dhe Francës kërkuan që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinë dhe përparim në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut mes Kosovës e Serbisë përfshirë atë për themelimin e Asociacionit. Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit u përplasën me akuza të forta! sn
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2025, që arrin vlerën prej 3.6 miliardë eurosh.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo shifër përbën një rritje prej afër 9 për qind krahasuar me buxhetin e vitit paraprak.
Ai tha se gjatë katër vjetëve të qeverisjes së partisë së tij, buxheti i Kosovës është rritur “vit pas viti si asnjëherë më parë”.
Kurti tha se rritje të buxhetit ka për shumë sektorë, përfshirë atë të pagave, ku hyn rritja e paralajmëruar e pagave për sektorin publik.
Një ditë më parë, ekzekutivi njoftoi se punëtorët e sektorit publik në janarin e vitit të ardhshëm do të pranojnë paga me 55 euro rritje dhe 55 euro të tjera në korrik të vitit 2025.
Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 30 tetor, Kurti tha se përveç pagave, buxheti është rritur edhe për shtesat për fëmijë, 100 milionë euro janë shtuar për të mbuluar rritjen prej 20 për qind të pensioneve, ndërsa sektorit të shëndetësisë i është shtuar buxheti për blerjen e barnave esenciale.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti është gjithëpërfshirës dhe reflekton trendin e rritjes ekonomike.
Murati tha se sektorët kryesorë që kanë përfituar rritje të buxhetit janë sektorët e mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë, infrastrukturës rrugore, e të tjera.
Ministri i Financave tha se sivjet Kosova ka pasur rritje të përshpejtuar ekonomike dhe në terma realë, kjo rritje në fund të vitit do të jetë 4.5 për qind.
Sipas mekanizmave ndërkombëtarë financiarë, rritja ekonomike e Kosovës këtë vit do të arrijë në afër 4 për qind.
Ndërkaq, sa u përket projeksioneve të Qeverisë për rritjen ekonomike për vitin e ardhshëm, Murati tha se në Kosovë kjo rritje ekonomike do të jetë 5.6 për qind.
Sipas ligjeve, Qeveria kishte afat deri në fund të tetorit që të votojë buxhetin për vitin e ardhshëm. Tani, buxheti duhet të shkojë në Kuvend dhe të shqyrtohet e miratohet nga deputetët, të cilët kanë afat deri në fund të vitit për miratimin e buxhetit. REL
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të mërkurën se bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për masën e kontrolleve manuale të sigurisë për mallrat nga Serbia që hyjnë në Kosovë.
Më 7 tetor, Qeveria e Kosovës e zëvendësoi vendimin për ndalimin e importit të mallrave me origjinë nga Serbia me një të ri që lejon importin, por vetëm përmes kufirit në Merdare dhe me kontroll të detajuar të sigurisë.
Vendimi i saj erdhi pas një trysnie të vazhdueshme nga Gjermania.
“Zyrtarët tanë shtetërorë po e zbatojnë këtë vendim me përkushtim, me qëllim të garantimit të sigurisë së vendit tonë deri në funksionalizimin e sistemeve të skanerëve ‘X’, që do të lehtësojnë edhe punën e tyre edhe pritjet në pika kufitare”, tha Sveçla në Facebook.
Në vendkalimet e tjera u paralajmërua se do të lejohet importi vetëm kur të sigurohen skanerët, të cilët do t’i ndihmojnë Doganës së Kosovës në kontrollin e mallrave, pa ndërhyrje fizike.
Ambasada gjermane tha se blerja e këtyre skanerëve është në proces, “në përputhje me të gjitha rregullat dhe rregulloret e vlefshme për prokurimin publik”.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha më herët se do ta monitorojë procesin e importit të mallrave nga Serbia, pasi vendi i tij i kërkoi Kosovës heqjen e ndalesës, në mënyrë që të zhbllokohej CEFTA, apo Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore, dhe të përparonte Procesi i Berlinit – një nismë kjo që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.
Sveçla tha se e falënderoi Sarrazin për “angazhimin e tij të vazhdueshëm në avancimin e bashkëpunimit rajonal”.
“Diskutuam për ecurinë e takimit të fundit të Procesit të Berlinit dhe rikonfirmova përkushtimin tonë si palë aktive për angazhim të mëtejmë në kuadër të këtij procesi”, tha ai.
Përndryshe, Kosova thekson se vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, në mes të korrikut të vitit 2023, u mor për “arsye sigurie”, pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga policia serbe. REL
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KSOKB) sot do të diskutojë raportin e ri gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e UNMIK-ut duhet të fillojë në orën 16:00.
Sipas raportit të Guterres i publikuar ditë më parë nga mediat serbe, atmosfera në Kosovë është ende e tensionuar dhe kur ekziston rreziku i përshkallëzimi i tensioneve.
Në raportin për periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2024, i cili do të prezantohet në seancë nga kryetarja e UNMIK-ut – Caroline Ziadeh, Guterres u bëri thirrje të dyja palëve që të konfirmojnë përkushtimin e tyre për dialog nën patronazhin e BE-së dhe të zbatojë plotësisht marrëveshjet e mëparshme.
Që nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018. Në vitin 2019 për Kosovën janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa nga viti 2020 mbahen çdo vit dy seanca, në prill dhe tetor.
Kosova përfaqësohet nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së KosovCs, Donika Gërvalla, Ajo është nisur për New York.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Gjatë kësaj seance, Ministrja Gërvalla do të shpalosë arritjet e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë procesin e demokratizimit, zhvillimin ekonomik, të drejtat e komuniteteve dhe situatën aktuale në komunat veriore të Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Gërvalla do të flasë edhe për veprimet destabilizuese të Serbisë dhe sfidat që ato paraqesin për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Kurse nga Serbia shkon homologu i Gërvallës, Marko Gjuriç. bw
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Temë e diskutimit ishte bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, ndërsa Kurti ka thënë se është me rëndësi të fokusohet në zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të këtij procesi, është njoftuar nga Zyra e Kryeministrit.
Kurti po ashtu ka kërkura që Bosnjë-Hercegovina ta ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në Bosnjë.
“Ai nënvizoi rëndësinë e fokusimit në zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar. Në këtë drejtim Kryeministri theksoi se pas vendimit të Kosovës që qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të mund të udhëtojnë me letërnjoftime në Kosovë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, është e rëndësishme që të punohet që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID ashtu që të mundësohet zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në lidhje me kohën e pritjes në pikën kufitare në Merdar, kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave të lajmëruara me rastin e ndryshimit të masës së sigurisë deri në operacionalizimin e skanerëve me rreze X, si dhe foli për mobilizimin që kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.bw
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të reagojë ndaj Serbisë, pas miratimit të një projektligj për siç e quajti ajo organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në Kosovë.
Në një postim në platformën X, ai ka pohuar se me këtë veprim dhe të tjera, Serbia po vazhdon të pengojë procesin e dialogut dhe të shkelë parimet dhe frymën e marrëveshjeve.
“Përmes lëvizjeve të vetë Serbisë në terren, duke përfshirë nxitjen e përshkallëzimeve në 3 vitet e fundit, sulmin në Banjskë, sulmet kundër institucioneve tona, inkursionin në territorin tonë dhe rrëmbimin e policëve, barrikadat në veri, MIG-të që fluturojnë pranë kufirit tonë duke u vendosur ushtria në gatishmëri të plotë dhe të lartë luftarake dhe tani, me projektligjin e persekutimit të paraqitur dje, konstruktiviteti i tyre i rremë vazhdon të ekspozohet”, ishin fjalët e zv.kryeministrit Bislimi… sn
Kryeministri Albin Kurti ka shkruar pas takimit që ka pasur sot me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen. Kurti ka thënë se në këtë takim të katërt në Qeverinë e Kosovës, ka falënderuar Von Der Leyen për udhëheqjen e saj në avancimin e Planit të Rritjes së BE-së, shkruan Gazeta Express.
“Ne jemi të përkushtuar për zbatimin e këtyre reformave përmes një procesi të bazuar në merita”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri kosovar ka bërë të ditur se ka theksuar rëndësinë e dorëzimit të pyetësorit për anëtarësim dhe heqjen e menjëhershme të masave të BE-së.
“Unë ritheksova gjithashtu rëndësinë e dorëzimit të pyetësorit për anëtarësim dhe kërkova heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave të padrejta dhe të padrejta të BE-së.Në një kohë kur autokracitë sfidojnë liritë universale, Kosova qëndron si një spirancë e vlerave themelore të BE-së në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Kurti.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar pasi u sulmua fizikisht nga dy persona mëngjesin e sotëm.
Sulmin ndaj tij e ka quajtur “të befasishëm”, derisa ka thënë se është shëndoshë e mirë.
“I rrethuar mes miqëve. Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falenderoj të gjithëve për interesimin”, ka shkruar Muhaxheri.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, ka thënë për Gazetën Express se Muhaxheri është sulmuar fizikisht në mëngjes dhe se Policia e ka dërguar në Spital për të parë natyrën e lëndimeve.
“Informata është ende jo zyrtare, por ka qenë i sulmum fizikisht në mëngjes nga një person edhe policia e ka dërgu Kryetarin në Spital për me pa natyrën e lëndimeve. Tash prokuroren e dërgova në vend të ngjarjes dhe të kontakton direkt me kryetarin. Personi që e ka sulmu është ndalu dhe tani do të vazhdojmë me masa ndaj tij”, ka deklaruar Kurmehaj.
“Sot rreth orës 08:50, në rrugen Bill Klinton, është sulmuar nga perona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lendime trupore, të dyshuarit janë arrestuar”, ka thënë Rugova.
KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë, ka bërë të ditur se ushtarët finlandezë për asgjësimin e mjeteve shpërthyese (EOD) të Komandës Rajonale në Lindje kanë kryer operacione të mjeteve të pashpërthyera në veri të Kosovës.
Në njoftimin e lëshuar në Facebook thuhet se pas realizimit me sukses të këtij operacioni, ushtarët inxhinierë britanikë tani janë në gjendje të bëjnë riparimin e rrugëve në atë zonë.
“Ushtarët e shumtë që punojnë së bashku brenda KFOR-it shfaqin fuqinë, forcën dhe aftësitë e përgjithshme të NATO-s”, thuhet në njoftim. sn
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në raportin e tij, përpara seancës së Këshillit të Sigurimit kushtuar punës së misionit të UNMIK-ut më 30 tetor, vlerësoi se është bërë pak përparim në zbatimin e marrëveshjes nga dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por se atmosfera në veri të Kosovës ishte ende e tensionuar dhe se ka potencial për përshkallëzim.
Autoritetet e Kosovës ndërmorën një sërë veprimesh që ndikuan në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera të pakicave, shton raporti, i cili thekson se Prishtina i justifikoi ato lëvizje duke vendosur të drejtën për të sunduar, pa synimin për të synuar serbët e Kosovës.
Megjithatë, Guterres thekson se sa herë që autoritetet e Kosovës kanë zbatuar një masë që nuk është dakorduar me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe në dialogun Beograd-Prishtinë është konsideruar se është e drejtuar kundër komunitetit serb.
Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumë institucione të financuara nga Serbia dhe kanë shprehur synimin e tyre për të rihapur urën kryesore në Mitrovicë, një çështje e diskutueshme për Beogradin dhe serbët e Kosovës, sipas një raporti të dërguar më 14 tetor.
Guterres paralajmëron se atmosfera në veri të Kosovës është ende e tensionuar dhe potenciali për përshkallëzim ende ekziston.
U bëj thirrje palëve të rikonfirmojnë angazhimin e tyre për dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese. Veprimet e njëanshme, duke përfshirë mbylljen e institucioneve të financuara nga Serbia dhe lëvizjet për rihapjen e urës në Mitrovicë, si dhe kufizimet ndaj mallrave serbe dhe zbatimi i rregulloreve të reja të monedhës, rrisin tensionet dhe minojnë besimin midis komuniteteve dhe institucioneve, tha Guterres.
Guterres vlerësoi se është thelbësore që veprimet e liderëve politikë të reflektojnë një përkushtim për adresimin e nevojave dhe të drejtave të të gjitha komuniteteve.
Në raport, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së kujton edhe incidentin e rëndë të sigurisë në Banjskë më 24 shtator 2023, prandaj thekson nevojën urgjente që të gjitha palët të bashkëpunojnë në kërkimin e drejtësisë.
Zgjidhja transparente dhe efektive e incidenteve të tilla është thelbësore për rivendosjen e besimit dhe sigurimin e stabilitetit afatgjatë, beson ai.
I inkurajoj të gjitha palët që të zbatojnë masat, të mbrojnë dhe promovojnë respektimin e të drejtave të njeriut, duke mbështetur sundimin e ligjit. Është thelbësore që zbatimi i ligjit, veçanërisht në lidhje me arrestimin, ndalimin dhe të drejtat pronësore, të bëhet me respekt të plotë të kornizës ligjore të Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, theksoi Guterres.
Guterres rikujton se 1,612 persona, 263 gra dhe 1,349 burra, janë ende të zhdukur në konfliktet e viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë.bw
Komentet