PRISHTINË – Vetëm 10 për qind e banorëve të Kosovës mbështesin propozimin që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të fitojnë autorizime ekzekutive në këmbim për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, ndërsa 30 për qind e mbështesin korrigjimin e kufirit për njohjen globale të Kosovës dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, tregojnë të dhënat nga hulumtimi që e zbatoi Instituti Evropian për Kërkim dhe Zhvillim (RIDEA).
Hulumtimi me temë “Zëri i popullit në finalen e madhe mes Kosovës dhe Serbisë”, u prezantua në konferencën në të cilën morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe përfaqësues të opozitës dhe ekipit negociator shtetëror të Kosovës për dialogun me Serbinë.
Duke prezantuar të dhënat e hulumtimit të RIDEA-s, profesori Anthony Heath nga Universiteti i Oxfordit tha se shumica e qytetarëve të anketuar, më saktë 62 për qind, janë prononcuar kundër ndërprerjes së dialogut, dhe për këtë çështje ekziston pajtueshmëri e madhe mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Skenari i parë është vazhdimi i statuskuosë, ndërsa skenari i dytë është njohja de facto e Serbisë me kompetencat ekzekutive të komunave me shumicë serbe. Skenari i tretë është korrigjimi i kufijve”, tha profesor Heath.
Vetëm 17 për qind e të anketuarve janë të kënaqur me vazhdimin e statuskuosë, 10 për qind mbështesin propozimin që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të fitojë kompetenca ekzekutive në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa korrigjimin e kufijve për njohjen nga ana e Serbisë dhe hapjen e rrugës për anëtarësim në OKB e mbështesin 30 për qind.
Heath theksoi se ka dallim të madh kur është fjala për vijat e kuqe, ashtu që 96 për qind e shqiptarëve konsiderojnë se liqeni i Ujmanit duhet të ngel brenda Kosovës, ndërsa vetëm 5 për qind e serbëve konsiderojnë se kjo është vija e kuqe. E ngjashme është edhe me kombinatin metalurgjik të minierës së Trepçës. Po ashtu, 62 për qind e të anketuarve përgjithësisht konsiderojnë se Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e Kosovës, ndërsa 91 për qind e shqiptareve konsiderojnë se pjesa veriore e Kosovës nuk duhet t’i jepet Serbisë, ndërsa për 10 për qind të serbëve kjo është vija e kuqe.
Hulumtimi është zbatuar në 1000 të anketuar në mbarë Kosovën, prej gjithsej 38 komunave. Të anketuarit janë zgjedhur rastësisht dhe në mesin e tyre kanë qenë 90 për qind shqiptarë, 9 për qind serbë dhe një për qind të tjerë.
– “Në 12 muajt e fundit kemi përkeqësim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se të gjithë mirë e dinë se dialogu është i paevitueshëm dhe i patjetërsueshëm, se Kosova doemos duhet njëherë e përgjithmonë të pastrojë raportet me Serbinë. Thaçi përsëriti se fuqishëm beson se ka ardhur koha që të lihet anash armiqësia që ka prodhuar tragjedi në Kosovë dhe se duhet të arrihet marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse me Serbinë.
“Opsioni i mbajtjes së statuskuosë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilin disa ende e mbështesin, u vërtetua i gabuar dhe i paqëndrueshëm. Mendoj se statuskuoja, është një hap prapa. Në 12 muajt e fundit kemi përkeqësim dhe regres në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk kam asnjë dyshim se nëse nuk arrijmë marrëveshje ligjërisht të detyrueshme këtë vit, ne hyjmë në zonën e rrezikshme të këtyre marrëdhënieve, të cilat mund të destabilizojnë të gjithë rajonin”, tha Thaçi.
Presidenti i Kosovës tha se vitin e kaluar u kërkua që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen drejtpërdrejt në procesin e dialogut, që edhe u konfirmua nga letra e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhe sekretarit të Shtetit, Pompeo, se “kemi mbështetje të fortë për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve tona, të cilat duhet të njihen reciprokisht”.
Duke komentuar mbi rezultatet e hulumtimit, Thaçi tha se i “ka bërë përshtypje që qytetarët e Kosovës pajtohen me pikëpamjet tona kryesore politike dhe vlerësimet në lidhje me dialogun, i cili na inkurajon”. Ai gjithashtu theksoi se platforma e dialogut do të kalojë në Kuvendin e Kosovës dhe se Delegacioni i negociatave për dialogun, i formuar kohët e fundit, ka mbështetjen e tij.
– “Në 6 vitet e fundit janë nënshkruar 33 marrëveshje me Serbinë”
Nga ana tjetër lideri i partisë opozitare “Vetëvendosje”, Albin Kurti, tha se askush nuk mund të thotë se Kosova nuk ka arritur marrëveshje me Serbinë, sepse janë nënshkruar gjithsej 33 marrëveshje për gjashtë vitet e fundit të dialogut në Bruksel dhe se duhet të shqyrtohet se sa janë zbatuar dhe impakti i tyre politik dhe social në Kosovë.
Sipas tij, qëndrimi i Serbisë është kufizimi dhe ndarja e Kosovës, por edhe ndarja e Bosnjë e Hercegovinës dhe se është e domosdoshme që Kosova të dijë se çfarë dëshiron nga dialogu me Serbinë.
“Njohja e pavarësisë së Kosovës, kompensimi i dëmeve, dëmshpërblimet, sqarimi i fatit të të zhdukurve, këto janë kërkesat që pajtohemi dhe pse nuk bëjmë një dokument shtetëror zyrtar me kërkesat tona për Qeverinë dhe presidentin e Serbisë. Është e rëndësishme të bëhet përpara dialogut”, tha Kurti.
Ai shtoi se konsensusi i shtetit është i rëndësishëm, jo vetëm në aspektin partiak dhe politikisht, që do të thotë se ka një shtet të fortë. Ai po ashtu deklaroi se Kosova duhet t’u japë përparësi serbëve nga Kosova në raport me Beogradin.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se në çështjen e dialogut me Serbinë, nuk duhet të zhvillohet politikë inatesh, dhe se nuk duhet të ketë shantazh politik. Ai tha se partia e tij kërkon një rishqyrtim të strukturës së dialogut dhe se legjitimiteti për dialog duhet të merret në Kuvendin e Kosovës. Haziri i kërkoi Thaçit që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në Kosovë pas dialogut me Serbinë.
Një nga dy bashkëkryesuesit e Delegacionit Shtetëror të Negocimit për dialogun me Serbinë dhe zëvendëskryeministër i Kosovës, Fatmir Limaj, përsëriti se në dialogun me Serbinë shkohet vetëm me njohjen e Kosovës.
Komentet