Kroacia mbështet Kosovën në rrugën e integrimit, jo vetëm në BE dhe NATO, por edhe në anëtarësimin në organizatat tjera, ka thënë presidentja kroate Grabar-Kitaroviç
ZAGREB – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vizitën e tij shtetërore në Republikën e Kroacisë e filloi me takimin me presidenten kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç. Përpos ekonomisë, tema të takimit ishin paqja dhe stabiliteti në rajon, marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe rruga euroatlantike e saj.
“Kroacia mbështet Kosovën në rrugën e integrimit, jo vetëm në BE dhe NATO, por edhe në anëtarësimin në organizatat tjera. Procesi i integrimeve euro-atlantike është një rast i mirë për përmbushjen e të gjitha reformave dhe forcimit të shoqërisë dhe institucioneve”, tha presidentja Kolinda Grabar-Kitaroviç.
Homologu i saj, tha se Kosova gjithmonë do të përpiqet të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s.
“Ne jemi duke punuar për liberalizimin e vizave, por edhe formimin e ushtrisë së Kosovës që do të jetë sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë Thaçi.
Presidentja kroate ka thënë se Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në Iniciativën A5 dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe në konsultim me aleatët e NATO-s.
“Ne duam stabilizimin e situatës në Kosovë, si për shumicën shqiptare dhe popullin, ashtu edhe për të gjitha pakicat që jetojnë në Kosovë”, ka thënë presidentja Kolinda Grabar-Kitaroviç.
Thaçi tha se do të punojë në përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Me të gjithë partnerët tanë, ne do të punojmë për reformat në gjyqësi dhe ekonomi, si dhe në luftën e përbashkët kundër terrorizmit”, tha Thaçi.
I pyetur nga gazetarët të komentojë deklaratën e djeshme të Aleksandar Vuçiç, gjatë betimit si President i Serbisë, i cili u shpreh për ruajtjen e territorit të Serbisë, duke përfshirë edhe Kosovën, Thaçi tha:
“Kjo nuk është asgjë e re që ne dëgjojmë nga Beogradi. Kosova është Kosovë, Serbia është Serbi. Ne jemi dy shtete të pavarura dhe presidenti i Serbisë e di shumë mirë se Kosova është një shtet i pavarur i njohur nga 114 vende të botës”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se: “Kjo ishte një deklaratë për përdorim të brendshëm”.
I pyetur nëse bëhet fjalë për standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për çështjen e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi dhe me këtë edhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, presidentja ka thënë se këto ndjenja të standardeve specifike kanë pasur dhe vende të tjera para anëtarësimit në BE dhe NATO, njëra prej të cilave edhe Kroacia.
“Në fund të fundit përmbushja e këtyre standardeve është në interesin tuaj. Kroacia ka mbështetur dhe mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën. Sigurisht, këtu nevojitet të përmbushen disa kriteret të caktuara. Besoj se pas zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë, do të arrihet një zgjidhje për këtë situatë”, tha Grabar -Kitaroviç.
Thaçi ka theksuar se pret që Kroacia dhe Kosova të jenë faktor stabiliteti në rajon.
Presidentja Grabar-Kitaroviç tha se jemi të përkushtuar për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, ku në përputhje me këtë Kroacia këtë muaj, së bashku me Gjermaninë dhe Poloninë do të nis projektin e binjakëzimit që synon forcimin e institucioneve.
“Do të donim të shihnim përmirësim e gjendjes së komunitetit kroat në Kosovë, sidomos në vendet Janjevë dhe Letnicë, ku jeton shumica e pjesëtarëve të pakicës kroate në Kosovë. Besoj se përfshirja e tyre në Kushtetutën e Kosovës do të përmirësonte pozitën e tyre institucionale dhe të tjera”, tha presidentja kroate.
Presidenti Thaçi ka premtuar se do të punojë për të siguruar që një përfaqësues i pakicës kroate të bëhet anëtar i parlamentit të Kosovës.
Marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve janë të mira, por këtu bëhet fjalë për ekonominë, u dakorduan Presidentët Grabar-Kitaroviç dhe Thaçi, duke dërguar mesazh se kompanitë kroate kanë një interes më të fortë për të investuar në Kosovë.
Kroacia është ndër shtetet e para që njohu Republikën e Kosovës. aa
Komentet