Në një shkrim për politikën e së djathtës ekstreme në Shtetet e Bashkuara dhe shtrirjen e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, Eric Gordy nga University College London, pohon të jetë zhvilluar një takim ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-strategut të presidentit amerikan, Steve Bannon.
Mes tjerash, zoti Gordy shkruan për BalkanInsight se Bannon është takuar edhe me kryeministren e Republikës Serbe të Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq, dhe ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq.
Por, nga zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi kanë thënë për Radio Evropa e Lirë se është lajm i rremë takimi Thaçi-Bannon.
“Jo, një takim i tillë asnjëherë nuk ka ndodhur”, ka qenë përgjigja e shkurtër e Zyrës për Informim e Presidentit të Kosovës.
Mes tjerash në shkrim flitet për fazën finale të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe për faktin se si politika amerikane ka pësuar një ndryshim të papritur drejt mbështetjes së shkëmbimit të territoreve si pjesë e një zgjidhje të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë.
Në korrik të këtij viti, Bannon shpalosi planet e tij për të krijuar një institucion joqeveritar me seli në Bruksel, me emrin ‘Lëvizja’, e cila për synim do të ketë mbështetjen e grupeve populiste në Evropë.
Komentet