Prishtina dhe Beogradi pritet të vazhdojnë sot dialogun në nivel të presidentëve në Bruksel. Takimi lehtësohet sërish nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq ka thënë se në këtë takim do të diskutohet përparimi i arritur në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, por edhe intensifikimi i punës për marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
Si zakonisht, para se të realizohet takimi midis presidentëve Hashim Thaçi e Aleksander Vuçiq, pritet që të realizohen takime të ndara me Përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini.
Delegacioni i Kosovës këtë herë do të udhëtojë në Bruksel në një përbërje shumë më të gjerë. Ky delegacion, i kryesuar nga presidenti Hashim Thaçi, do të ketë në përbërje edhe kryeministrin Ramush Haradinaj, kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin, ministrin e Jashtëm, Behgjet e Pacollin dhe zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe pritet që të realizojnë një takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.
Kurse në takimin me delegacionin nga Serbia, të cilit i prin presidenti Aleksander Vuçiq, pritet që të marrë pjesë vetëm presidenti Hashim Thaçi me ekipin e tij.
Që nga kërkesat e Bashkimit Evropian që dialogu të intensifikohet dhe përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, në Prishtinë, por edhe në Beograd, janë zhvilluar konsultime të brendshme për qëndrimet dhe pozicionet që do të mbajnë palët në raport me marrëveshjen që po paralajmërohet.
Të dyja palët kanë paralajmëruar vendime e kompromise të vështira.
Këto paralajmërime, nga opozita në Prishtinë nuk janë mirëpritur dhe janë përcjellë me kritika ndaj presidentit Thaçi. Sipas opozitës, paralajmërimet për vendime të vështira dhe kompromise mund të jenë të rrezikshme për Kosovën.
Ndërsa dialogu po hyn në një fazë më dinamike, në Prishtinë ka edhe përpjekje që si pjesë e ekipit të përfshihen edhe partitë opozitare, sado që ka një rezistencë të vazhdueshme nga opozita që të hyjë në këtë delegacion që po kryesohet nga presidenti Hashim Thaçi, pa një mandat paraprak nga Kuvendi i Kosovës.
Komentet