Në Tetovë sot është ditë zie në nderim të viktimave të vërshimeve vdekjeprurëse që goditën të hënën territorin e kësaj komune.
Ekipet e shpëtimit vazhdojnë përpekjet për gjetjen e një vajze të zhdukur, ndërkohë që raportohet edhe për një person tjetër që po ashtu konsiderohet i zhdukur, ditën e përmbytjeve që goditën zonën si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme dhe stuhisë shkatërruese.
Nga shtabet e krizave të formuara në çdo fshat thonë se po bëjnë përpjekje për të normalizuar gjendjen, por ato po hasin në vështirësi të shumta për shkak të mbetjeve të mëdha të dheut dhe gurëve nëpër rrugë dhe depërtimit të tyre nëpër shtëpitë e banimit.
“Kemi dëme që nuk mund të përshkruhen, janë dëme në njerëz, katër persona e kanë humbur jetën, kurse një ende nuk e kemi gjetur, jemi në kërkim e sipër. Kemi të lënduar rreth 20 persona, kurse sa i përket emocioneve nuk mund t’i përshkruaj, gjendja vazhdon të jetë kaotike“, thotë Nijazi Kadriu nga Shtabi i krizës në Shipkovicë të Tetovës.
Reshjet shkatërruese në Tetovë
Banorët, ndërkohë shprehen të pakënaqur nga ndërhyrja e institucioneve, që, sipas tyre, edhe kësaj here kanë dështuar në menaxhimin e situatës gjatë fatkeqësisë natyrore.
“Ne kërkojmë ndihmën e institucioneve dhe ato duhet të na ndihmojnë pasi ne nuk jemi fajtorë për këtë që ka ndodhur. Çfarë të bëjmë? Ne nuk mundemi me duar të largojmë gjithë këtë baltë dhe gurët që ka sjellë era dhe shiu i rrëmbyeshëm“, thotë një banore e Tetovës, ndërsa një tjetër thekson se disa herë kanë alarmuar komunën për nevojën e ndërhyrjes në pastrimin e shtratit të lumit, nga i cili edhe kanë ardhur dëmet më të mëdha.
“Disa herë ua kemi kemi kërkuar nga komuna që të pastrojë shtratin e lumit por kërkesat tona kanë hasur në vesh të shurdhër. Përveç që shtrati nuk është pastruar, edhe shumë pjesë pranë lumit janë uzurpuar me ndërtime pa leje, që tani kanë vështirësuar edhe më shumë gjendjen e përmbytjeve“, thotë Goran Ilievski, banor e Tetovës.
Ekspertët thonë se institucionet duhet të ndërmarrin masa urgjente për të ndërhyrë në pikat që vlerësohen kritike për të parandaluar përmbytjet e përmasava shkatërruese, siç ndodhi tani me reshjet e shiut.
“Institucionet duhet ti shfrytëzojnë kapacitetet më shkencore të fakulteteve të ndërtimtarisë të Universiteteve të Shkupit dhe Tetovës që t’i përcaktojnë jo dëmet, por objektet që duhet t’i nënshtrohen një rikonstruksioni të mirëfilltë dhe të mirëmbahen për të përballuar fatkeqësi të tilla natyrore. Në veçanti nevojitet rikonstruimi i digave pranë lumit Shkumbin dhe te lumi i Porojit, që në rast të përsëritjes së vërshimeve, të jenë të gatshme të përballojnë rrjedhat e ujit, apo fuqinë natyrore“, thotë Shefki Aliti, inxhinier i ndërtimtarisë.
Nga komuna e Tetovës thonë se kanë ndërmarrë të gjitha masat në ndihmë të popullatës ndërsa në ndihmë i kanë ardhur edhe komunat tjera .
“Qëllimi parësor ka qenë që rrugët të hapen me qëllim të lëvizjes së lirë dhe emergjencat e ndryshme që mund të kishte nevojë popullata të trajtohen. Dëmtimet më të mëdha në njerëz dhe dëme tjera materiale janë në rajonin e Shikpovicës, prandaj edhe është e rëndësishme prania jonë në këtë zonë me ndihma të mëtejme“, ka deklaruar kryetarja e komunës, Teuta Arifi, duke njoftuar edhe vendimin e komunës që familjeve të prekura nga vërshimet t’u ndahen nga një mijë euro ndihmë.
Edhe qeveria në një mbledhje të jashtëzakonshme vendosi si ndihmë të parë, nga rreth 30 mijë denarë për familjet e prekura, ndërkohë që banorëve që pësuan nga përmbytjet t’iu shpërndahen ushqime, ujë dhe ilaçe.
Në ndihmë të popullatës ka dalë edhe Kryqi i Kuq, ndërsa operatorët telefonikë kanë hapur linja të posaçme telefonike për donacione.
Komentet