Tetë vjet më parë, më 17 Shkurt 2008, u shpall Pavarësia e Kosovës, që është ngjarja më e madhe historike e shqiptarëve pas Vlorës së vitit 1912. Me këtë mori fund robëria dhe shtypja e gjatë serbe mbi Kosovën dhe mbi shqiptarët. 17 Shkurti është kurorëzim i një ditë të madhe të historisë sonë, i përpjekjeve dhe luftërave të shumë brezave për liri e me vetësi në këtë pjesë të hapsirës shqiptare. Pavarësia, që u arrit me aq mund, gjak e sakrificë, i hapi rrugën Kosovës për krijimin e shtetit të së drejtës qytetare dhe demokracisë evropiane. Historia e shqiptarëve sot nuk është ajo që ka qenë, kjo ka ndryshuar shumë në këtë shekull dhe dita ditës po ndryshon në kuptimin e lëvizjes përpara. Në këtë periudhë kohore, përkundër problemeve të mëdha që ka pasur, Kosova ka arritur të bëjë një përparim të dukshëm në fusha të caktuar në ndërtimin e shtetit dhe të demokracisë, por këto nuk kanë qenë të mjaftueshme për një stabilitet më të qëndrueshëm të tij, e sidomos në zhvillimin ekonomik, ku problemet janë shfaqur në mënyrë shumë më të ashpër.
Pavarësia e Kosovës, për këto tetë vjet të shkuara, ka arritur të njihet nga më së 100 shtete të ndryshme të botës përballë pengesave të vazhdueshme të Beogradit dhe Moskës. Kjo ndoshta nuk ka plotësuar parashikimim tonë, por ne duhet të punojmë që nesër të kemi më shumë njohje dhe të bëhemi pjesë më e madhe e botës, anëtar të OKB. Tek ne egziston një vullnet i pa lëkundshëm për një bashkëpunim edhe më të ngushtë me SHBA dhe me Bashkësinë Evropiane, që Kosovës, si shteti i ri t’ i mundësohet një ecje e drejtë dhe e sigurtë në integrimet e përgjithshme në komunitetin euro-atlantik.
Kosova mund të ecë përpara vetëm me një luftë të përbashkët, të ashpër e pa kompromis kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dhe në këtë kontekst të forcimit të gjyqësisë për ndëshkimin e këtyre krimeve. Kjo, pa dyshim është pika më e dobët e të gjitha qeveriveve për këto tetë vjet të shkuara të pavarësisë.
Kosova ka kapacitete shumë më të mëdha për hapjen e vendeve të reja të punës, dhe tërheqjen e investitorëve të huaj, por këto mundësi kanë mbetur ende të pa shfrytëzuara.
Pavarësinë e Kosovës, përkatësisht shtetin tonë të ri, duhet ta çmojmë të gjithë së bashku, të kemi vullnet të ecim bashkë me të, ta duam se ky është atdheu ynë i përbashkët. Nëse këtë nuk e bëjmë, nëse këtë nuk e mbrojmë, nëse këtë nuk e ngrehem në vlera të njëmenda kombëtare , do të jemi përgjegjës para historisë dhe para gjithë botës shqiptare.
Në këtë përvjetor të tetë të pavarësisë, unë si shqiptaro-amerikan, dua t’ i falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për atë që bënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për mbështetjen e vazhdueshme që kemi për ndërtimin e demokracisë dhe të shtetit tonë të ri.
Urime të gjithëve përvejtorin e tetë të Pavarësisë së Kosovës!
Gëzuar!
Komentet