Kundërsemitizmi mund vetëm të dënohet e të kundërshtohet. Nga sulmi udhëtarëve në aeroportin e Dagestanit, tek dhunimi i flamurit në FAO-n e Romës kush i mohon hebrenjve dhe Izraelit të drejtën e të jetuarit duhet të luftohet. Megjithatë do të ishte i gabuar të quajturit e valës së simpatisë për Palestinën që përshkon Perëndimin si një shfaqje të thjeshtë kundërsemitizmi, që ekziston, e përsëris, në të majtë e në të djathtë, dhe duhet ndaluar. Por në universitetet italiane dhe anglosaksone nuk ka vetëm kundërsemitë.
Ka mjaft të rinj të bindur se milicët e Hamasit, edhe se në përdorim të metodave të papranueshme, janë duke luftuar për të drejtat e palestinezëve e të popujve arabë. Pikërisht atyre të rinjve mundemi e duhet t’u flasim, për t’u thënë se po lajthisin. Jo vetëm se Hamasi ka kryer më 7 tetor një krim të llahtarshëm. Jo vetëm se Hamasi përdor si shqyt njerëzor në Gaza më shumë se dy milionë civilë. Jo vetëm se Hamasi bën të keqen e palestinezëve. Mbas Hamasit është Katari, që i trajton emigrantët siç kemi parë në Botërorin e futbollit: duke mos mbajtur parasysh jo vetëm të drejtat njerëzore, bija të revolucionit francez, por as barazinë e njerëzve para Zotit, që është një nga themelet e Islamit; sepse ka vënde në Katar në të cilët një punonjës egjyptian apo pakistanas madje edhe palestinez nuk mund të hyjë, sepse janë të ruajtur për katariotët e për perëndimorët, sigurisht edhe për krerët e Hamasit si Ismail Hanieh që, në ndryshim nga civilët e Gazës, nuk janë nën bomba por të mirëpritur në rehatin e tyre në Doha. Dhe mbas Hamasit është Irani, që trajton gratë siç i kemi parë këto ditë: i rreh për vdekje me shkopinj nga “policia morale” – quhet pikërisht kështu – se nuk mbajnë si duhet shaminë e kokës.
Për të drejtat njerëzore, Hamasit e financuesve të tij e mbështetësve, absolutisht nuk i bëhet vonë fare. Duan të marrin fuqinë në Çisjordani mbasi e kanë marrë me armë në Gaza, duke kthyer një fitore zgjedhore në një diktaturë të terrorit.
Çdo diktaturë, si çdo grup terrorist, ka gjithënjë një bazë mirëkuptimi, që është e vështirë të matet, meqë kundërshtia nuk është e lejuar. Megjithatë, shumica e popullsisë së Gazës është në fakt sot peng i Hamasit. Është plotësisht e kuptueshme që Izraeli është i vendosur të agjësojë Hamasin nga Lindja e Mesme. Por nuk do të mjaftojë vrasja e krerëve. Në pranverën e vitit 2014 Ariel Sharoni vrau në tri jave udhëheqësin shpirtëror të Hamasit, sheikun Jasin dhe drejtuesin politik, Abdel Aziz Rantissi; Hamasi nxori krerë ende më të pamëshirshëm. Për të asgjësuar terrorizmin duhet të veçohet politikisht e financiarisht ai. Në këtë çast po ndodh e kundërta, siç dëshmojnë fjalët – tejet të rënda – të Erdoganit, që sigurisht nuk bashkëndan vlerat tona, por na pëlqen apo jo, komandon ushtrinë e dytë të NATO-s dhe është zgjedhur si president i Turqisë pesë muaj më parë me 28 milionë vota. Në fakt Bideni, që sigurisht nuk është armik i Izraelit, po kërkon t’a frenojë Netaniahun, për të shmangur si gjakderdhjen e gjakut të pafajshëm, si zgjerimin e luftës.
Kush po merret me civilët e Gazës? Jo Egjypti, që e ka mbyllur qafën e Rafahut e nuk pranon të preso të ikurit. As bashkësia ndërkombëtare, që nuk ka dashur e mundur të hapë korridorë njerëzorë, edhe nga deti.
Kush po merret me palestinezët e Çisjordanisë? As ata nuk janë një bllok monolit. Në Xhenin, në Veri, është i fuqishëm Xhihadi islamik; në Hebron, në Jugë Hamasi; Ramallahu mbetet selia – e sulmuar çdo natë dhe e mbrojtur nga policia – e Akp, Autoriteti kombëtar palestinez, që megjithëse i dalë boje, për çastin është i vetmi ledh kundër terrorizmit islamik. Prandaj nga kriza e armëve nuk do të dilet vetëm me armë.
Izraeli nuk do të ndalohet deri sa të ketë arritur një synim ushtarak të tillë që të mund të shpallë se 7 tetori është hakmarrë, e që edhe kjo luftë, e deklaruar nga Hamasi, është fituar. Por një pritshmëri politike megjithatë duhet hapur.
Nuk ka qënë vetëm Netaniahu, dhe shumica relative e zgjedhësve izraelianë që e ka mbështetur në këta vite, që janë gënjyer me mendimin se çështja palestineze mund të mënjanohet. Janë gënjyer edhe qeveritë arabe që kishin nënëshkurar pakte të përcaktuar propagandistikisht “të Abramit”, tashmë të hedhur në kosh.
Paqja është zbuluar si një iluzion, mbas dështimit të Oslos e traktativës Barak- Arafat; por edhe ideja e pushtimit të Çisjordanisë me ngulime pallatesh, simbas premtimeve zgjedhore të Netaniahut, doli e pamundur.
Nëse Perëndimi – Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi evropian – mund të shpresojnë ende të luajnë një rol në këtë krizë, duhet t’a kenë të qartë mirë se kush janë, cilat janë vlerat e tyre e cilët janë interesat e tyre. Siguria e Izraelit dhe të drejtat e palestinezëve nuk janë të papërputhëshme, madje janë të lidhura. Nuk mjafton të shpallet domosdoshmëria e një Shteti palestinez; asnjë qeveritar i Izraelit, edhe më i ndrituri trashëgimtar i Netaniahut, nuk do të pranojë kurrë një Shtet palestinez në dorë të Hamasit apo të secilit grup tjetër që nuk do të njohë Izraelin, për më shumë të jetë i vendosur t’a shkatërrojë.
Të kritikohet qeveria izraeliane është diçka e ndryshme nga kundërsemitizmi, sigurisht. Por në sheshet e Perëndimit sot duken si urrejtja kundër-hebraike, si lajthitja për natyrën e vërtetë të Hamasit. Këto dy dukuri shqetësuese nuk i ndihmojnë as kuptimit të gjërave , dhe as lidhjes së brëndëshme të shoqërive perëndimore: një fuqi për të cilën do të kemi nevojë të madhe në vështrimin e kohëve tejet të ashpra që kemi për fat.
“Corriere della Sera”, 31 tetor 2023 Përktheu Eugjen Merlika