Tërmeti ka ndodhur në rajonin e Marrakech, ku janë shembur edhe disa ndërtesa
VOAL- Një tërmet i fuqishëm ndodhi të premten vonë në mbrëmje në rajonin e Marrakech të Marokut, duke vrarë rreth 300 njerëz dhe duke shkatërruar disa ndërtesa.
Numri i viktimave është i përkohshëm dhe pritet të rritet. Sipas MPB-së, ka edhe qindra të lënduar. “Sipas një raporti të përkohshëm – lexojmë në një deklaratë të ministrisë – ky tërmet shkaktoi vdekjen e 296 personave në provincat dhe komunat e Al-Haouz, Marrakech, Quarzazate, Azilal, Chichaoua dhe Taroudant”. I njëjti burim raporton për 153 persona të plagosur dhe të shtruar në spital.
Është e vështirë për autoritetet të japin ndihma, duke qenë se tërmeti goditi edhe fshatrat e zonave malore që nuk janë të lehta për t’u arritur.
Sipas mediave marokene, mund të jetë një nga tërmetet më të fuqishëm që ka goditur mbretërinë deri më sot (në vitin 2004 një tërmet shkaktoi mbi 600 të vdekur). Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë dëme të shumta materiale në disa qytete.
Epiqendra ndodhi në Ighil, në Marokun qendror, rreth 70 kilometra në jug-perëndim të Marrakech, ku u shembën edhe disa ndërtesa.
Tërmeti, sipas Institutit Maroken të Gjeofizikës, ishte me magnitudë 7.2. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS), nga ana e tij, bëri të ditur se tërmeti ka qenë me magnitudë 6.8 ballë dhe ka ndodhur në një thellësi prej 18.5 km.rsi-eb