Me thirrje të forta kundër qeverisë dhe banderola në duar, nxënëset e shkollës “Mehmet Akif” i janë drejtuar Kryeministrisë, për të çuar zërin e tyre të protestës poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama.
Me pankarta dhe thirrje si; “mbyll një derë shkollë, hap një derë burgu’ apo ‘Po godisni brezin e ardhshëm’, protestueset ecën përgjatë rrugës së Durrësit, dhe u stacionuan për rreth 60 minuta para Kryeministrisë, duke kundërshtuar kështu vendimin për mbylljen e kolegjit. Ata dorëzuan dhe peticionin me 10 mijë firma pranë Kryeministrisë, ndërsa paralajmëruan se do të vijojnë të protestojnë nëse qeveria nuk tërhiqet.
Më herët ato ishin në protestë para Ministrisë së Arsimit.
Mbyllja e kolegjit “Mehmet Akif”/ “Merruni me pronarët”, protestueset në mes të shiut i kthehen Ramës: Dilni nga zyra dhe na jepni përgjigje!
Mes shiut, nxënëset e shkollës “Mehmet Akif” i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama, ku po protestojnë para Kryeministrisë, që të dalë nga zyra dhe t’i japë atyre një përgjigje se pse u mbyll shkolla.
Një prej nxënëseve pohoi se kryeministri duhet të përgjigjet se çfarë kushtesh nuk plotëson kolegji. Mes të tjerash ajo komentoi dhe reagimin e Ramës, duke shtuar se ato nuk merren me çështje ligjore.
“Ministre dhe zoti Kryeministër ne jemi këtu si nxënës dhe për të drejtat tona, ndaj dilni dhe përgjigjuni protestuesve këtu se pse nuk i plotëson shkolla jonë standardet. Pasi nga çështja ligjore do merremi në gjykatë.”, tha një prej protestuesve.
Ndërkohë nëna e një vajze që studion në këtë shkollë tha se ata duan që të vazhdojë mësimi.
“Unë e vlerësoj vëmendjen e shtetit, kjo ishte zgjedhja jonë. Nëse ka gjëra që mund të rregullohen, të rregullohen dhe mos t’u ndërpritet arsimi fëmijëve. Ne kemi zgjedhur atë shkollë, shpresoj të merret një vendim i drejtë. Duam të vazhdojmë mësimin, të mos ndërpritet dhe pikërisht në atë shkollë që kemi zgjedhur.”, pohoi nëna e një protestueseje.
REAGIMI I RAMES
Nxënëset e shkollës së mbyllur të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e spostuan aktivitetin gjetkë, pa marrë leje sipas ligjit e pa respektuar rregullat e parashikuara ligjërisht! Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbatuar ligjin si në raste të tjera.
(BalkanWeb)
Komentet