Islamabad – Ushtria e Pakistanit, ka njoftuar se ka rrëzuar duke goditur 2 avionë luftarakë indianë që hynë në hapësirën ajrore dhe se është kapur piloti i avionit që ka rënë brenda territorit nën kontrollin e Pakistanit, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Pakistanit, gjeneral majori Asif Gafur në deklaratën e bërë nga Twitter-i deklaroi se avionët luftarakë të Indisë kanë shkelur hapësirën ajrore të Pakistanit në rajonin Muzaffarabad në linjën e kontrollit të Kashmirit, ndërsa njëri nga avionët që ka hyrë 5-6 kilometra brenda kufirit ka lëshuar një bombë derisa largohej në anën indiane pasi avionët luftarakë pakistanezë kanë ndërhyrë.
Ai theksoi se bomba ka rënë në një rajon në afërsi të qytetit Balakot në provincën kufitare Hayber-Pahtunva.
Duke ndarë fotografitë e mbetjeve të bombës dhe vendit ku ka rënë, Gafur tha se nuk kishte humbje jetësh apo dëme materiale.
– Ushtria e Indisë rrëzon një avion luftarak të Pakistanit
Mediat indiane raportojnë se ushtria e Indisë ka rrëzuar avionin F-16 të Forcave Ajrore të Pakistanit si kundërpërgjigje pasi që ka shkelur hapësirën ajrore të Indisë.
Më parë është njoftuar se tre avionë të Forcave Ajrore të Pakistanit në orët e para të mëngjesit pasi kaluan Vijën e Kontrollit Kufitar të Kashmirit hynë në rajonin e Xhamu Kashmirit të Indisë dhe u parandaluan nga avionët e Indisë.
India informoi më herët për kryerjen e një sulmi ajror ndaj kampit të organizatës Xhejsh-i Muhammed në anën e Pakistanit.
– Mbyllet hapësira ajrore
Pakistani ka mbyllur të gjithë hapësirën ajrore pas përleshjeve me Indinë.
Tensionet mes Pakistanit dhe Indisë u rritën përsëri pas sulmit të 14 shkurtit në Kashmir.
Në sulmin e ndërmarrë në pjesën e Kashmirit që është nën kontrollin e Indisë humbën jetën 44 ushtarë indianë dhe u plagosën 20 të tjerë, ku qeveria indiane akuzoi Pakistanin në lidhje me këtë sulm. Ndërsa Pakistani hodhi poshtë këto pretendime dhe përmes një deklarate dënoi këtë sulm.
Komentet