Si duhen kuptuar qëndrimet e ashpra të Perëndimit ndaj qeverisë së Kosovës në këto momente përplasjesh të fuqishme në veriun e saj me qytetarë serbë të pakënaqur dhe grupe kriminale që po fshihen pas tyre? Çfarë po kërkon dhe synon Serbia duke nxitur trazirat?
Z. Shqiprim Pula, analisti dhe eksperti i shkencave politike, i ftuar në SYRI TV, u pyet nga gazetarja Armela Ferko në edicionin e orës 19:00, se si e shpjegon ai në veçanti, deklaratën e fundit të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë.
Armela Ferko: Z. Pula, ambasadori amerikan Hovenier ka folur për sanksione dhe është e rëndë kjo në fakt të dëgjosh, ndërkohë z.Kurti i është kundërpërgjigjur teksa ka shprehur mbështetjen për kryetarët e zgjedhur të komunave, duke deklaruar se “demokracia s’mund të suspendohet dhe as të mbahet peng”. Çfarë duan të tregojnë ndërkombëtarët përmes këtyre deklaratave për sanksione?! A është ky një “merak” për të mos e lënë Serbinë të shkojë në drejtim të Rusisë apo…?!
Shqiprim Pula: Në zgjedhjet e fundit që janë mbajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse e mbani mend, në disa prej shteteve të federatës atje, kishte kontestim të rezultatit të zgjedhjeve dhe merreni me mend sikur Donald Trump, që ishte President, të mos pranonte rezultatin zgjedhor dhe t’u thoshte zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhës dhe zyrtarëve të tjerë që” mos i çoni institucionet sepse nuk po e pranojmë rezultatin e fituar nga ana e demokratëve”!!! Pra, në këtë kuptim, merreni me mend sikur t’u thuhet këtyre kryetarëve “ju dolët fitimtarë, u pranua nga të gjithë ky rezultat, jeni dhe legjitimë se morët votën e qytetarëve nga ata që dolën, por mos e ushtroni detyrën tuaj se ashtu po kërkohet”(!!!) dhe pa ndonjë arsyetim të mirëqenë dhe të qëndrueshëm në kuptim të argumenteve.
Prandaj ka disa deklarime, do të thosha jo mirë të balancuara kundrejt atyre kryetarëve të dalë nga këto zgjedhje. Fundja, bojkoti i zgjedhjeve nga ana e qytetarëve serbë është bërë më kërkesë të Beogradit zyrtar dhe përmes instrumentit të tyre siç është formacioni politik “Serbska Lista”. Pra, askush nga qeveria qendrore nuk u ka thënë të mos marrim pjesë, përkundrazi, ka pasur thirrje deri në minutat e fundit kur ka filluar heshtja zgjedhore, ka pasur thirrje që t’i bashkangjiten procesit zgjedhor dhe të marrin pjesë e ta japin votën e tyre, sepse nuk duhet harruar që në dy prej komunave përpos zgjedhjes për kryetar, ka pasur edhe për asamblenë.
Kështu që thirrjet që këta kryetarë të dalë nga zgjedhjet e 23 Prillit që të mos ushtrojnë detyrën në ambientet zyrtare në objektet komunale është një çudi, një befasi e llojit të vet që pakkush mund ta dijë se nga ku e ka fillin kjo kërkesë dhe mbi çfarë arsyeje apo cila është arseeja që fshihet pas këtyre kërkesave.
Por ajo çfarë është shumë e rëndësishme të theksohet është që të gjithë janë të vetëdijshëm se këtu vetëm me të drejtat fondamentale të pakicës serbe nuk kemi të bëjmë.
Pra, ata në asnjë rrethanë nuk janë ankuar se u mungojnë të drejtat e tyre, por ajo çfarë duket në terren dhe nga deklarimet e Beogradit zyrtar është çështja e territorit, pra ata duan të kenë kontroll mbi territorin e në veçanti ndaj aseteve ekonomike atje siç është liqeni i Ujmanit dhe natyrisht Trepça – dy asetet ekonomike që kanë vlerë të madhe dhe fatkeqësisht apo fatmirësisht tani, ato dy asete janë në pjesën veriore të Kosovës e natyrisht, pretendimin e tyre që të kenë kontroll mbi ato dy asete duke mbajtur dhe situatën politike të kontrolluar nga Beogradi zyrtar dhe jo nga një rezultat demokratik që e prodhon procesi zgjedhor,” gjykoi analisti Shqiprim Pula.