Voal.ch shkruan se televizioni gjermanofon i Zvicrës SRF e ka intervistuar Dritan Zaganin, ish-oficerin e policisë shqiptare që denoncoi aferat e përfshirjes të trafikantëve të drogës me shefat e lartë të politikës. Një shkrim për të bashkë me videon e reportazhit ku është përfshirë edhe intervista e tij janë botuar edhe në faqen online të SRF nën okelion “Mafia e drogës”. Është e qartë se mediat zvicerane i kanë kushtuar vëmendjen dhe janë në favor të ish-policit shqiptar.
Në reportazhin që përcjell intervistën thuhet se dërgesat e drogës bëhen me avionë të lehtë dhe ka dyshime se trafikantët kanë lidhje me politikën. Këtë gjë e ka denoncuar ish-oficeri i Policisë shqiptare (Dritan Zagani – sqarim i Voal.ch) i cili është vendosur në Zvicër. Shqipëria ka kërkuar ekstradimin e Zaganit në Shqipëri. Sikur e konfirmon për emisionin «10vor10» Zyra federale e Drejtësisë.
Pikat më të rëndësishme
Autoritetet shqiptare të kërkojnë ekstradimin e një shtetasi shqiptar i cili ka aplikuar në Zvicër me familjen e tij për azil.
Ish-polici i hetimit të trafikantëve shqiptarë të drogës tregon se përse ai është i rrezikuar nëse ekstradohet.
Nëse do ta kthejnë në Shqipëri ai rrezikon të burgoset sepse ka zbuluar makinacionet e mafies shqiptare të drogës.
Folco Galli, zëdhënësi pranë Zyrës Federale të Drejtësisë ka konfirmuar për emisionin “10vor10” se autoritetet shqiptare kërkojnë ekstradimin e ish-oficerit të policisë shqiptare. Ish-oficeri i policisë shqiptare ka të drejtë që ta kundërshtojë ekstradimin e tij. “Ka patur konsultime me ish-oficerin e policisë shqiptare dhe ai i ka shprehur qendrimet e tij me shkrim. Nëse do të ketë prova të mjaftueshme se ekstradimi i tij kërkohet për arsye politike, kjo do të jetë një arsye e mjaftueshme për të refuzuar esktradimin”.
Përfshirje e politikanëve
I intervistuar tek “10vor10” ish-oficeri i policisë shqiptare Dritan Zagani (emri i vendosur nga voal.ch) tregon se ka qenë i burgosur për gjashtë muaj. Ai tregon se ku i ka mbështetur hetimet e tij për trafikun e drogës:
“Arsyeja e burgosjes time kanë qenë hetimet e mia rreth dyshimeve për trafikantët e drogës. I zbulova këta njerëz teksa udhëtonin në makinën që i takonte Ministrit të Punëve të Brendëshme të Shqipërisë, Ishin të afërm të ministrit të brëndëshëm. ”
Ambasada e Shqipërisë në Zvicër nuk ka dashur që të shprehet për rastin në fjalë.
Kontrabanda me avionë të vegjël
Ish-oficeri i trafikut të narkotikëve ka raportuar metodat e reja të kontrabandës, që kishin filluar në vitin 2014, ku transporti i drogës bëhej me avionëve të lehtë. Ai kishte zbuluar disa pista fluturimi të paligjëshme.
Një ulje emergjente që ndodhi më vonë në një plazh të Shqipërisë nga një avion që duhej të aterronte në Itali, ka konfirmuar këto hetime.
Sot ish-oficeri jeton me familjen e tij në Zvicrën veriperëndimore. Kërkesa e tij për azil është në pritje. Nëse i jepet azili, ata nuk do të ekstradohen. Një vendim i mundshëm nga Zyra Federale e Drejtësisë që do t’i jepte vizë ekstradimit nuk është përfundimtar, sepse ish-oficeri i policisë shqiptare ka të drejtë që ta kundërshtojë./Shqipëroi dhe përg.Elida Buçpapaj
http://www.srf.ch/play/tv/10vor10/video/albanischer-drogenfahnder-im-visier-der-eigenen-justiz?id=dd80d48d-097b-4bf8-9163-898ef1478881
http://www.srf.ch/news/international/albanischer-drogenfahnder-sucht-schutz-in-der-schweiz