Historia e shqiptarëve në tekstet mësimore në shtetet e rajonit paraqitet me ndryshime të mëdha nga njëra-tjetra, si për nga prejardhja e popujve, ashtu edhe për nga luftërat, vendbanimet e të tjera.
Sipas një raporti të publikuar nga Shkelzen Gashi, i cili e ka bërë një analizë në këtë drejtim, tekstet mësimore të Kosovës dhe Shqipërisë kanë dallime të mëdha nga tekstet mësimore të historisë në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni.
Sipas Gashit, tekstet mësimore të Kosovës dhe Shqipërisë i kushtojnë shumë rëndësi prejardhjes së shqiptarëve, për të cilët janë Ilirët pa asnjë dyshim, derisa tekstet mësimore të shteteve tjera përreth, këtë pjesë nuk e përmendin fare.
“Karakteristika e parë e teksteve mësimore të Kosovës e të Shqipërisë është se u kushtojnë shumë njësi mësimore ilirëve, e pabesueshme se ku glorifikohen, u thuren lavde entuziaste, ka edhe pa kurrfarë mbulese në shumë raste. Kurse, në anën tjetër tekstet e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë kanë shumë pak njësi mësimore për Ilirët dhe i identifikojnë kryesisht negativisht Ilirët. Karakteristikë e dytë është se tekstet e Kosovës dhe Shqipërisë nuk i paraqesin fare konfliktet në mes mbretërive ilire në anën tjetër tekstet e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë i paraqesin këto konflikte në mes mbretërive Ilire”, ka thënë.
Sipas Gashit, prejardhja e shqiptarëve edhe pse shkruhet pa dyshime fare, nuk posedon shumë argumente.
“Si argument tjetër që e përmendin tekstet e Kosovës dhe Shqipërisë janë emrat ose toponimet e vendeve, mirëpo edhe ky argument nuk është shumë i qëndrueshëm për shkak se emrat e vendeve janë kryesisht mbetje të gjuhëve të mëhershme. Argumenti tjetër janë antroponimet apo emrat e njerëzve që mua më duket argumenti më i pakuptimtë i teksteve mësimore të historisë në Kosovë e Shqipëri për shkak se ato thonë që tek shqiptarët përdoren emrat ilirë s i Ilir, Teutë, Glauk, Liburn, Dalmat e kështu me radhë, mirëpo ky është argument i pakuptimtë sepse emrat ose përdorimi i këtyre emrave më shumë tregonndikim kulturor e politik më shumë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar tek shqiptarët. Sikur që nuk mundemi me thënë shembull që ne vërejmë shumë emra tek shqiptarët Ramush, Hashim, Mustafë, Nekibe, Belkize po që nuk tregojnë që shqiptarët janë turq ose osman por tregon për një ndikim kulturor e politik të osmanëve tek shqiptarët, thjesht edhe ky është një argument i paqëndrueshëm’, ka deklaruar ai.
Gashi ka thënë se në mesjetë nuk ka thuajse fare histori për shqiptarët që paraqitet nga historia jonë e as historitë e shteteve të rajonit. Kurse, ka shtuar se historia e re e shqiptarëve ka shumë dallime në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe shteteve tjera të rajonit.
Ai ka thënë se karakteristikë është mosprezantimi ose prezantimi vetëm i krimeve nga pala tjetër dhe ekzagjerimi i tyre, mosprezantimi i krimeve të palës së vet të cilat prezantohen nga pala tjetër dhe ekzagjerohen.
“Shembulli më interesant është lufta e fundit në Kosovë, viti 1998-99, ka regjistrim nga dy organizata joqeveriater për krimet që janë kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë, 1998-99, KMDLNj dhe në Beograd Fondi për të Drejtën Humanitare, një organizatë larg më kredibile se sa KMDLNj-ja në Prishtinë. Që të dy këto organizata thonë që numri i civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë është diku 8 mijë e 100 e pak veta civil, numri edhe i ushtarëve shkonte në 12 mijë e diçka. Tash numri i civilëve është 8 mijë e 100 e diçka, në tekstet mësimore të historisë së Kosovës është rreth 25 mijë, do me thënë trefishohet, në tekstet mësimore të Serbisë numri i civilëve shqiptarë të vrarë në Kosovë ë shtë zero, nuk e përmendin asnjë shqiptarë të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në anën tjetër, gjatë luftës në Kosovë ka pasur 300 civil, prej kur ka nisur konflikti në Kosovë, janarit 1998 deri më 12 qershor 1998 janë vrarë rreth 300 civil serb, kurse rreth 1.000 janë vrarë pas futjes së trupave të NATO-s në Kosovë, do me thënë total numri shkon diku në 1 mijë e 300. Në tekstet e historisë së Kosovës është zero, nuk e përmendin asnjë serb të vrarë nga grupet e ndryshme, në anën tjetër tekstet e historisë së Serbisë e dyfishojnë këtë numër, e bëjnë rreth 2.500”, ka deklaruar ai.
Gashi këtë ligjëratë e ka mbajtur në kuadër të ligjëratave që lidhen me prejardhjen e shqiptarëve dhe historinë e tyre në përgjithësi që është duke i mbajtur tash e disa javë. /KP/
Komentet