Irani dislokoi të dielën në Teheran forcat speciale ndërsa autoritetet po përgatiten për të tjera protesta që kanë shoqëruar vendin pasi zyrtarë të lartë të vendit pranuan se një raketë iraniane kishte goditur gabimisht aeroplanin civil ukrainas, duke vrarë të 176 personat në bord.
Forca të policisë të veshur me të zeza e me helmeta mbrojtëse, u vendosën në sheshin e njohur Azadi në jug të qytetit si dhe pranë disa pikave kryesore të Teheranit.
Të shtunën u zhvilluan protesta në disa qytete iraniane. Protestuesit u shprehën të zemëruar pas lajmit se zyrtarët iranianë kishin gënjyer fillimisht mbi rolin e vendit në incidentin e së mërkurës.
Zyrtarët iranianë treguan të vërtetën mbi rrethanat e rrëzimit të avionit, vetëm pasi u bë e qartë se provat e mbledhura në terren, nuk do t’i lejonin më të vazhdonin të gënjenin, thuhej në një nga gazetat kryesore amerikane.
Në një postim në twitter të dielën Presidenti Donald Trump paralajmëroi Teheranin të mos sulmojë demonstruesit.
“Për udhëheqësit e Iranit…..mos i vrisni protestuesit. Me mijëra tashmë janë vrarë apo burgosur nga ju dhe bota po shikon. Më e rëndësishmja është që SHBA-ja po ju sheh. Rivendosni qasjen në internet dhe lini gazetarët që të lëvizin të lirë! Ndaloni vrasjen e popullit tuaj të madh iranian!”, shkruante Presidenti amerikan.
Avioni u rrëzua të mërkurën, por për disa ditë Irani nuk tha asgjë se ishte një raketë iraniane ajo që kishte goditur avionin, duke vrarë të gjithë 176 pasagjerët. Por të shtunën autoritetet në Teheran e pranuan më në fund përgjegjësinë.
Zbulimi se qeveria pati gënjyer për disa ditë rresht përpara se të rrëfente të vërtetën, shtyu qindra njerëz në disa qytete të vendit të dalin në protesta. Ata kërkojnë dorëheqjen e udhëheqësit Suprem Ajatollahut Ali Khamenei dhe hodhën thirrje si “poshtë mashtruesit” dhe “vdekje diktatorit”.
Të shtunën, Garda Revolucionare Islamike e Iranit pranoi se rrëzoi gabimisht avionin e Linjës Ndërkombëtare Ukrainase.
Komandanti i forcave ajrore të Gardës, Amir Ali Hajizadeh u shpreh në televizionin shtetëror se “merrte përgjegjësinë e plotë dhe se do t’i bindej çfarëdolloj vendimi që do të merrej”. Ai shtoi se do të kishte dashur më mirë të “kishte vdekur” sesa të mësonte lajmin mbi atë që i ndodhi avionit.
“Atë natë ishim në gatishmëri të plotë për luftë”, tha ai dhe shtoi se Garda Revolucionare kishte kërkuar që të anulloheshin fluturimet komerciale, por kërkesa ishte refuzuar.
Sipas një raporti në gazetën The New York Times, zyrtarët iranianë u detyruan të thonë të vërtetën “sepse provat për goditjen me raketë ishte bërë tepër e qartë për hetuesit ndërkombëtarë”.
Një zyrtar ukrainas i tha gazetës se ekspertët e vendit të tij kishin mbledhur informacione në vendin e përplasjes “megjithë përpjekjet e dukshme të iranianëve për të ndërlikuar hetimin, madje edhe duke i mbledhur stivë mbetjet, në vend që t’i dokumentonin me kujdes”, siç tha ai.
Rrëzimi i avionit Boeing 737 ndodhi vetëm pak orë pasi Irani zhvilloi një sulm me raketa balistike ndaj bazave irakiane ku ndodhen forcat amerikane, si reagim ndaj një sulmi ajror amerikan me dron javën e kaluar që vrau komandantin e Forcave Quds, Gjeneral Qassem Soleimani.
Ukraina tha se fluturimi drejt Kievit ishte nisur si zakonisht dhe se ekuipazhi nuk ishte informuar për sulmet me raketa balistike.
Oleksiy Danilov, zyrtari ukrainas që drejton hetimet në vendin e përplasjes, i tha gazetës The New York Times se iranianët nuk mund të vazhdonin të gënjenin për rrethanat pasi “hetuesit ukrainas gjetën fragmente në pjesën e lartme të kabinës së avionit, të cilat ishin shpuar nga copëzat e një rakete”. zëri i amerikës
Komentet