REDI GJUZI/ Në dhjetor të vitit 2016, një zjarr shkrumboi teatrin e Maliqit. Emisioni “Stop” në TV Klan, ishte interesuar se çfarë po ndodh me godinën e Teatrit. Në kronikën e shfaqur, fliste artisti Dhimitër Orgocka. Me një melankolizëm prekës, ai tregonte momentet kur e lajmëruan se teatri po digjej. “Janë disa ngjarje që do, s’do, të lënë pa mend”, tregonte Orgocka i prekur përballë godinës gjysmë të rrënuar. Artisti kërkoi që Teatri të rikonstrukturohet sa më shpejt. Dhe kërkesës së tij iu përgjigj nënkryetari i Bashkisë së Maliqit. Vasillaq Cinoku tregoi se do t’i kërkonte qeverisë shqiptare financim për godinën e Teatrit. Një financim që shkon 180 milionë lekë të rinj, ose rreth 1.8 milionë USD. Më tej, nënkryetari i Bashkisë jep edhe lajmin e mirë për të gjithë nostalgjikët e godinës së djegur. “Ne po i përmbahemi projektit rus. Për fat të mirë, projekti i kinemasë ishte depozituar dhe ruhej nga Bashkia jonë”, tha nënkryetari Vasillaq Cinoku. Bashkia e Maliqit është për t’u vlerësuar. Ajo, edhe pse me Teatrin e djegur, është aq e përgjegjshme për të kaluarën e qytetit, sa ka kërkuar dhe po ruan arkitekturën origjinale të Teatrit. Teatri, edhe pse i ri, do të ketë të njëjtën pamje që i kishte dhënë arkitekti sovjetik.

Ndryshe nga Maliqi, që gjen forcën për rikonstruksionin e Teatrit, në Tiranë po punohet për të kundërtën. Në Maliq, Teatri u dogj, në Tiranë Teatrin Kombëtar duan t’i vënë shkrepësen me urdhër kryeministror. Teatri i Maliqit është i viteve 1950, ai i Tiranës i viteve 1930. Në pamje të parë, duket se Bashkia socialiste e Maliqit po i bën karshillik Kryeministrit në Tiranë. Por jo. Nuk ka gabim politik. Ka një koordinim, që nga qesharak, po vërtetohet i frikshëm. Ashtu siç do rijetësohet sovjetizimi artikekturor në Maliq, ashtu po rindërtohet, po sovjetik edhe Pallati i Kulturës në Tiranë. Pas asnjë ndryshim në fasadën groteske që ka. Ashtu sic po restarurohet për shpirtrat nostalgjikë godina e rrënuar në Maliq, ashtu do të rikthehet vezulluese edhe Piramida e diktatorit në Tiranë. Prorusët do ia tregojnë me nostalgji nipërve në shëtitjet e Maliqit dhe Tiranës, sa të bukura kanë qenë dhe sa shndritëse janë bërë godinat e shokut Enver. Ndërsa ai dreq Teatri italian prish punë. Bën karshillëk në mes të Tiranës godina fashiste. Nuk ka mundësi që Tirana dhe më pas e gjithë Shqipëria të ketë pasur histori para vitit 1945. Ndaj, qeveria do harxhojë 1.8 milionë për rikthimin sovjetik dhe do shembë pa para teatrin e italianëve. Thirrja është e qartë, si kristal: Rrofshin komunistët rusë të Maliqit, poshtë fashistët italianë të Tiranës!
Komentet