Teatri është dashuri, është Perëndi, ashtu si vetë Arti! Është arti kolektiv, ku janë mëshiruar penat dhe mendjet gjeniale me gjeninë aktoriale. Teatri Kombëtar ishte tempulli ynë, ku faleshim e fshiheshim e mbanim frymën gjallë, prej diktaturës. Aktorët e tij, ishin elita jonë, aristokracia e vendit, kultura, moda e cila shpesh vuante peshën e rëndë të kohës, si në të gjithë jetën tonë. Ishte pararoja, shenja e të shkuarës e të ardhmes!
Propaganda e ndërtimit socialist, ja zbehte frymen me prapaskenat, shpifjet e persekutimet kundër tyre. Ai përsëri mbeti gjallë. Ishin gjallë mjeshtrat e teatrit, aktorët, regjisorët, skenografët, piktorët, rekuizitjerët, makiazhierët , punëtorët e thjeshtë të tij. Ata ikën një nga një, të rinj, pa mbushur vitet e jetës! Mbetwn legjenda. Janë pak ata që janë dëshmitarë të së vërtetës. Dëgjoini!
Erdhën të tjerë më të rinj, që me pasion përtërinë gjurmët e tyre. Përparuan akoma më me vështirësi. Po glamuri ra! Në Teatër dhe Opera, dikur shkohej veshur me më të bukurat veshje që kishim. Tashmë shkëlqimi kishte rwnw. Frekuentimi gjithashtu. Kujdesi për të u fundos. Askush nga qeveritarët nuk interestohej më. Artistet u kthyen në lypsa monadhesh. Ndërsa për miset, shoqeri e shoqata, parti dhe pankarta, lekët shkonin lumë. Ra luksi ! Me shpirtin e tyre artistët po e mbanin gjallë. Së fundmi ra, Teatri. Muri i tij u shëmb përtokë i lodhur i dërmuar, i shkërmoqur, i mërzitur i zëmëruar. Askush nuk kujdesej më për të. Asnjë investim. Spektatorët, u mërzitën . E braktisën. Dhe kur vinin të shumtët ishin turma që binin erë qoftesh, qepësh, tymërash. Të veshur keq, nga të ftohtit me pallto, e xhupa si jorganë, me këpucë gjithë baltë prej rugëve dhe pellgjeve rrotull tij. S’kishte ngrohje, as vend të varje palltot e çadrat. Të rinj që vinin se s’kish ku të shkonin dhe sytë i mbanin mbi celular. Teatri nuk duroi dot sherrin midis artistëve. Disa prej tyre u çmendën! Prej dhunimit të tij, nga të tjerë të paaftë, që e bënë strehë të spontanitetit. Monologje bajate, panele të shpifura. Fillluan të shfaqeshin lloj, lloj maskaradash edhe kundër artit të madh të kombit. Ra, se artistët po grindeshin keq me njëri-tjetrin, me mllefet partiake.
Një drithërimë e papritur më shkundi të gjithën dhe më ktheu mbrapsh në kujtimet e mbi 50 viteve. U përlota si shumë të tjerë. Ndoshta kujtimet e mia janë të thejshta, pa grada, pa tituj, janë fëminore. Atëherë, kur im at’, më thoshte se, duhet të rritesha edhe pak që të shkoja në teatër, se Teatri ish për të mëdhenjtë dhe shkonte vetëm më nënën. Mua më të madhen e bijave tw tij, nuk më merte. Ishte “ Intrigë dhe dashuri”.
Adoleshente qesh aherë, kur teatri u bë shtysa ime e artit, falë Xhemiles, nuses të dajos tim të pestë. Një nuse e re veriore, me faqe të kuqe dhe shumë energjike e cila ishte punëtore në Teatrin Popullor. Shpesh shkonte dy herë në ditë, sepse kishte shfaqe, apo prova. Më merrte dhe mua me vete ta ndihmoja, të mos kthehej vetëm natën vonë. Unë isha më e madhja nga mbesat e nipërit e burrit të saj. Sapo isha shkëputur nga Teatri i Kukllave dhe teatrot për fëmijë. Shkruaja dhe vjersha. Ajo kishte dy fëmijë të vegjël , Ahmedin pesë vjeçar që kishte trashëguar emrin e gjyshit të tij, dhe Vjollcën, vajzën dy vjeçare si lule. Kështu, isha unë fatlumja që shkoja me të shpësh në Teatër, jo vetëm për ta shoqëruar por edhe për ta ndihmuar. Përgjegjësi i Teatrit ishte një burrë në moshë, i gjatë i hollë, shumë autoritar, tip shumë kërkues dhe nervoz. Quhej, Xhorxh Zagora nga Shkodra. E di këtë, se punëtoret e Teatrit e kishin shumë frikë. Po unë jo. Mua më donte, sepse ndihmoja me shumë dashuri. Me një shpejtësi vetëtime kaloja nga një rrjesht në tjetrin dhe hiqja mbulesat e kolltukëve, para shfaqes, dhe po me atë shpejtësi i mbuloja me mbulesën e bardhë të dokut, kolltukët pas shfaqes. Fshija pluhurat dhe ndihmoja gjithkund, edhe Vitoren, gruan e aktorit Gjon Karma, një shkodrane zonjë dhe Safon nga Korça, dy garderobieret e Teatrit. Pasi bënim gati rrobat e aktorëve, dilnim në sallën e hyrjes , ku në të dy anët e saj ishin dy banakë me mbajtëse rrobash. Spektatorët para së të hynin në sallën e shfaqes, linin aty palltot dhe çadrat. Për mua ishte një lumturi e pa përshkruar. Mw pas vendosja një karike anash ndonjë rrjeshti e shikoja shfaqen për të dymbëdhjetën apo njëzetën herë, pasi e kisha parë edhe në provat në skenë, edhe në atë gjenerale. O Zot çfar mrekullie, nuk isha mërzitur asnjëherë dhe dija përmendësh të gjitha pjesët e aktorëve. Qaja sa herë shikoja shfaqen e dramave. Ezopin, me të madhin Kadri Roshi . “Vitin 61’, me Margarita Xhepën dhe Naim Frashërin apo “Familja e Peshkatarit” , Me Sulejman Pitarkën, të mëdhenjtë e paharuar.“ Mirandolinën”, “Intrigë dhe dashuri” të Shilerit, “ Përtej Urës” me Edi Luarasin, që thyente dërrasat e skenës me energjinë e saj aktoriale. “Cuca e Maleve”me Maria Logorecin dhe Roza Anagnostin, “ Gjenerali I Ushtrisë së Vdekur”, me Sandër Prosin brilant, ku Nicën e lunate madhërishëm, Ferial Alibali. “ Shtëpia në Bulevard” ku kërcehej çeleston. Kryevepra pa fund, të autorëve të vendit e të huaj. Ishin vitet e liberalizmit. Aktorët tanë të mëdhenj me përmasa botërore. Jo vetëm këta që sapo përmenda më lart, dhe të tjerë si; Prokop Mima, Pjetër gjoka, Antoneta Papapavllo, Drita Agollit, Robert Ndrenika, çifti i pandarë Ndrek e Mimika Luca, Marika Kallamata, Behije çela, Drita Pelingu, Ahmet Pasha, Llazër Filipi,Qenan Toro, Luan Qerimi, Shkëlqim Basha,Esma Agolli, Sheri Mita, Lazër Vlashi, Besa Imami, Esma Agolli, Reshat Arbana, Roland Trebicka, Anastas Kristofori. Janë shumë, ndjesë nëse kam haruar ndonjë.
Shpesh rolet ishin të dubluara dhe ne krahasonim sipas mendjes sonë, se Ferial Alibalit i shkonte roli i Nicës më shumë se Violeta Manushit, e të tjera si këto.
Ajo që mua më la përshtypje të pashlyeshme, ishte jo vetëm loja aktoriale, po thjeshtësia dhe madhështia njerzore e shumë prej tyre, aktorë dhe drejtues. Komunikimi i aktorëve të mëdha me punonjesit dhe njerëzit e thjeshtë. U miqësova dhe unë me ta, ashtu me ndrojten time rinore, sepse ata ndalonin dhe përshëndesnin, pyesnin dhe flisnin si me njerëzit e afërt.
Pasi mbaronin shfaqet, aktorët nxitonin të bëheshin gati për tu larguar duke folur dhe diskutuar me njëri-tjetrin, nuk harronin t’na përshëndesnin me një buzëqeshje dhe natën e mirë! Dhe unë gjithë kënaqësi përsërisja çdo natë, “sa shumë e bukur ishte shfaqja!Mirupafshim!”.
Ndërkohë, nxitonim të vinim në rregull punët tona. Tu jepnim së pari, spektatorëve palltot dhe çadrat sipas rastit. Të sistemonim skenën, të mbulonim kolltukët etj. dhe të arrinim me vrap audobuzin e linjës. Niseshim për në shtëpi, diku larg, në vilat private tip elbasançe ku banonin pesë vëllezërit Ferhati dhe pranë tyre edhe shtëpia ime. Po shfaqet nuk mbaronin aty, në Teatër. Një tjetër spektakël vazhdonte pas kthimit dhe ditët në vazhdim. Xhemilja, jo vetëm fëmijëve të saj, po edhe atyre të fisit, u vinte emrin e aktorëve nga shfaqja e radhës. Sa hynte në derë, nëse ishin zgjuar akoma si zakonisht, i thëriste gjith entuziazëm dhe dashuri:- Oh, të keqen nana, Gjenarali i nënës ti! Pas ca kohësh Ahmedit, kur ai si shkathët që ishte bente ndonjë prapësi i thoshte ; Artoro uiii i nanës, rri urtë Arturooo! Duke përdorur batutat! Emrat ndërroheshin sipas personazheve të shfaqes, shoqëruar me batutat e tyre të mësuara përmendesh. Nipit tjetwr tw dajws tim, i thërisnim, Xhivola, se ai ecte në majë të gishtave. Kur në teatër shfaqej komedia” Një nuse për Stasin” me Xhemil Taganin. Atë natë Ahmedi ishte Stasi. Ajo do ti thëriste nga larg: STAS! Stasi i nanës,do rish urtë, apo të të gjej nana një nuse! Me batutat e mbështesja dhe unë, që si ajo i dija përmendësh. Sidomos recitimet e Xhivolës të “Arturo Ui”. Ndërsa vajzës së vogël Vjollcës dy vjeçare i thëriste, një herë Mirandolina, një herë tjetër i thoshte Cuca: -Cucaaa!. Ku është Cuca, Cucaaa e nanës! Dhe fillonte monologun e Maria Lagorecit. E kështu me radhë fëmijëve u mbetëj emir i përsonazheve dhe në fisin tonë të madh bëhej tjetër teatër, me personazhet e dramave. Ku të qeshurat dhe ngacmimet e këndëshme vazhdonin e jehona e tyre jetonte gjatë. Ata, vinin të gjithë në teatër, biletat i kishin të sigurta. Pas disa vitesh Xhemilja lindi një djalë tjetër, dhe emrin njëzëri ja vunë; ARTI. I cili është vertet një djalë i hijshëm, bjond me pamjen e një artist! Edhe tani që janë rritur dhe janë bërë burra, ne qeshim shpesh me emrat e personazheve, që mamaja e tyre i thërriste dikur.
Kështu edhe për mua kaluan vitet e rinësë, e ndërsa vazhdoja dhe mbaroja shkollën. Kisha kënaqësi dhe mburresha se i gjeja bileta mësueseve, shoqeve. Ishte vërtet vështirë atëherë për bileta teatri. Teatri ishte nga të paktat dashuri që kish atëherë arti. Po unë pata privilegjin që Xhorxh Zagora dhe e shoqja e tij, më donin shumë, ndoshta dhe për faktin se ata nuk kishin fëmijë dhe mua më thoshin se më kishin vajzën e tyre. Shtëpia e tyre ishte tek Kafe Flora. Kur shkonim në teatër të organizuar me shkollën, unë hiqesha si e shtëpisë. Nuk mund të harroj dhe emrat e drejtorëve, të regjisorëve si Pirro Mani, Besim Levonja, Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli dhe shumë të tjerë që ishin dhe aktore dhe regjisore, si Pjetër Gjoka apo sandër Prosi. Kur fillova të shkoj së pari në teatër ishte drejtor Riza Hajro, një zotëri burrë, pavarësisht se kjo fjalë nuk përdorej atëherë. Më pas Bardhyl Kosova, e pastaj Vaskë aristidhi , Piro Mani, e më pastaj nuk mbaj mend, po të gjithë zotërinj. Në fakt artin e kisha në gjak. Po teatri më dha një hov dhe dashuri akoma më të madhe. Lexoja jo vetëm letërsi, po edhe studime për teatrin dhe autrorët, dramat dhe jetët e tyre. Shkruaja poezi, ashtu si ato të moshës. Po jo për dashurinë. Me ndjeni, ishte e ndaluar, megjithëse isha e dashuruar. Poezitë i recitoja edhe vetë nëpër aktivitete dhe konkurse të ndryshme. Por dhe shpesh vinin gazetarë dhe merrnin nga stendat e “ Letrarit të Ri” të shkollës poezitë tona dhe i botonin tek gazeta e Rinise apo “Drita.” Merrja pjesë në rrethin letrar të Pallatit të Kulturës. Aty kam njohur shumë aktorë, si Esat Telitin, Timo Flokon, Verën, Esat Ibron, mbaj mend që recitonte poezinë e Gjikë Kuqalit. “ Letër nga Burgu” etj.etj. Sepse ishte dhe grupi i studentëve të Istitutit të Arteve, më vonë Akademia. Ku si drejtues ishte, Aktori dhe pedagogu i rrallë Kujtim Spahivogli. Një artist dhe njeri i veçatë dhe një recitues brilant. Merrja pjesë në konferencat e talenteve të reja, ku merrnin pjesë, shkrimtarët e mëdhenj si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Helena e plot të tjerë. Ishin kohë të arta dhe këtë shtysë ma jepte Teatri.
Po kështu edhe më pas, kisha mbaruar shkollën e mesme ekonomike dhe fillova punë në Bankën e Shtetit. Teatri ishte dashuria ime. Kur vinte Xhorxh Zagora të dorëzonte lëkët e biletave unë fluturoja ti dilja perpara dhe të porosisja bileta për koleget e punës. Të cilave u flisja pa fund për teatrin, aktorët dhe dramaturgjinë. Ndonjëherë më thoshin; “ po ti s’je për ketu moj vajzë je për në teatër”, ndaj më mbanin me pekule në punë. Banka, me mahiste me ndërtesën e saj brenda me qiellin blu si të kupolave të kishave të mëdha dhe mozaikët e saj anësor. Një ndërtimim arkitekturor me shumë art. Atëherë fillova të mendoj se pse të mos kishim një teatër të tillë si Banka, dhe ndërtesa e Teatrit filloi të më zbehej. Pse mos kishim një teatër si ajo ndërtesë me kupola, sfonde dhe mozaikë.
Pas disa kohësh destinacioni im ishte Pogradeci. Do më mungonte teatri, Opera, Pallati i Kulturës. Do ta ndjeja mungesën e tij ashtu si të prindërve dhe njerëzve të afërm. Po- një –Alo nga Tirana se:-“ të shtunën, në Teatrin popullor shfaqet “ Romeo dhe Zhuljeta”, apo “Pallati 176” dhe sa herë më thërriste Teatri, apo Opera, kur kishte një premierë të re. Unë vrapin do e mbaja në Tiranë me 10-12 orë rrugë me tren. Adhurimi dhe dashuria për Teatrin, më detyroi të punoj disa vite si aktore në Estradën profesioniste dhe Teatrin amator të qytetit. Edhe më pas, kudo që do të punoja, destinacioni im ishte arti. Atje njoha të tjerë korifej të artit, poetin L. Poradeci, dhe veprën e Shkrimtarit Mitrush Kuteli. Që do ta shpinin diturinë dhe dashurinë time për artin edhe më lart. Drejtuesit e mi për shumë kohë ishin, Regjisori dhe pedagogu Mario Ashiku dhe shkrimtari scenarist,Ruzhdi Pulaha, bashkëpunimi me ta, ishte një tjetër shkollë arti për mua. Shkollat ekonomik apo gjuhë letërsi ne UT, ishin disi larg dhe afër artit. Po Teatri ishte ngulitur në shpirtin tim dhe ishte shkolla ime e madhe e artit, për të realizuar më pas dhjetra filma dokumentare, dhe ese, tregime e shkrime e libra të tjerë për artin dhe artistët, me gjithë dashurinë dhe përkushtimin tim. Me të vetmin passion në jetë, ARTIN!
Kthimi pas shumë vitesh në Tiranë, më ktheu te dashuria ime Teatri, të cilin do ta ndiqja më të njëjtën pasion dhe nostalgji, ndoshta më të tjerë aktorë dhe regjisorë të rinj, të mirë bashkëkohës. Si Ndriçim Xhepa,Roland Trebicka, Ilir Bezhani, Yllka Mujo, Arben Kumbaro,Eva Alikaj, Luiza Xhuvani Marjeta Ljarja, Artan Imami, Alfred Bualoti, Neritan liçaj e plot të tjerë. Po edhe më të vjetrit shkëlqenin në mesin e tyre.
Rreth pesëdhjetë vitesh më pas, në një shoqëri grash artiste, si Margarita Xhepa, Edi Luarasi, Drita Pelingu, Marika Kallamata, Besa Imami, Esma Agolli etj. Në rrëfimet e kujtimeve të mia për to dhe teatrin, ato qeshnin dhe gëzoheshin, duke vazhduar me rrëfimet e tyre mahnitëse. Më thoshin me dashuri- Vërtët që na dukesh fytyrë e parë, të mbajmë mend si jo. Unë buzëqeshja sepse as vetë, vehten nuk e mbaja mend, po megjithatë, një dashuri e pamatë na lidhte. Ndaj kur kujdesësha sadopak për to, duke i përcjellë në shtëpi pas aktiviteteve apo me një shërbim të vogël, më falenderonin shumë, ndërsa unë me gjith shpirt u përgjigjesha; se, sa shumë borxhe ju kisha atyre unë i gjithë populli dhe shteti shqiptar i të gjitha kohrave. Tregimet e tyre ishin shumë prekëse. Të dëgjoje rrëfimet e Edith dhe persekutimi i shëmtuar i saj dhe Mihallaq Luarasit, ishin rrënqethese. Tek e imitoja Margaritën në role, ajo qeshte dhe tregonte, se sa sakrifica të mëdha kishin bërë ato për artin. Secila ka historitë e saj të dhimbëshme. –Kur punoja këto rolet që po mi kujton ti tani,-vazhdon ajo, – pasi laja e gatuaja në ato kondita që kishim, futesha në banjë dhe ulesha në një stol të mësoja tekstin e rolit, sepse në dhomën e gjumit ishte Çimi, bënte prova tekstin e rolit të tij. Në guzhinë ishte im shoq Xhaviti bente prova për shfaqen e tij. Mua më mbetej pikërisht ai vend, sepse do regulloja ata të dy njëherë. Grua shqiptare mendoja, e sakrificës dhe përkushtimit dhe pikë. -Po nuk mjaftonte kjo, kushtet vërtet të këqia të pa përshtatshme i kishim dhe në Teatër. Disa kolibe të ftohta ku të frynte era nga të doje, lagështirë myk, minj, bubureca, e ç’të kujtojmë tjetër. E ç’po themi, mos na i kujto. Edhe tani po t’na thërasin shkojmë me vrap, megjithë kushtet mizerabël dhe moshën që kemi. Arti është dashuri dhe sakrificë e madhe. Me artin tonë kënaqen të tjerët, spektatorët. Ndërsa ne na japin dashurinë, mirënjohjen dhe respektin. Ja çfar thua ti, dhe plot të tjerë kudo shkelim, arti është magji. Ndaj na duan, na adhurojnë, na gjenden me gjithsej. Ky është gëzimi, shpërblimi më i madh që kemi marrë dhe marrim në jetë.
Prej atyre mëson shumë, shumë, nga arti, mirësia, dashuria dhe të vertëtën e madhe se : Arti është i shënjtë. I shënjtë, i shënjtë, është Arti!! “ Arti është art dhe ligje ka. Po ligji më i parë është të jesh i thjeshtë”.
Ata tani kanë mbetur pak, fare pak. Të tjerët janë ngjitur në qiell, sipas Shilerit, atje ku i ftoi Zoti, poetet dhe artistët kur ndau Botën. Qielli kish mbetur për ta. Tokat, pasuritë, florinjtë dhe inxhitë i morën, politikanët, shtetarët, hajdutët dhe sharlatanët. Për atistetët mbeti qielli. – Po ku ishit ju, kur unë po ndaja botën, pyeti Zoti” ? – Duke adhuruar ju ! –I thanë ata. – Epo tani s’kam asgjë për tu dhenë, veçse ju pres lart në qiell ! Po mbetën të pavdekshëm si vetë Zoti. Ata lanë pas një emër, një punë, një art të pavdekshëm!
Po ligji i jetës është ripërtëritja, dhe vinë të tjerë breza me emra të suksesit drejt lartësisë. Armando Bora,Henri Çili, Kiço Londo, Laert Vasili, Rovena Lule, Olta Dako,Driada Dervishi, Zamira Kita,Ervin Bejleri, Dasara Xhangolli, Laura Nezha, Ina Gjonçi e plot djem dhe vajza të bukur të talentuar. Plejada e re plot energji dhe projekte, do një teatër të ri. Jo vetëm një po disa, ashtu si e meritojnë. Të tejrat i takojnë organeve përkatëse. Artistëve u takon Arti! Ata duan kushte dhe mbështetje te forta për ta bërë Artin!
Teatri ra! A shkoi në qiell? Jooo, nuk e besoj! Muret janë inerte të vdekura që zëvendësohen gjithnjë e më të mira! Teatri janë artistët, ata kudo ndodhur bëjnë Teatrin!
Nxitoj e përlotur të shkoj me vrap tek Xhemilja, mendoj do jetë mërzitur shumë. Lotët jo për muret, po për kujtimet, për vuajtjet,e Kujtim Spahivoglit, Edith e Mihallaqit, të Margaritës, të Ferial Alibalit, të Besës. Eh, nuk ishte e thjeshtë të merrej me art një femër në ato kohë, janë të dhimbshme sakrificat e artistëve që nuk janë më.Tek nxitoja mendoja nusen e dajës tashmë me flokë të bardha dhe faqet e zbehta, se do ta gjeja duke qarë. Po jo ajo ishte mirë, dhe po fliste më zë të lartë për teatrin. Xhemile e dashur, si je, u mërzite? Për ty kam ardhur. –Jo moj jo nuk jam mërzuitur fare. Duhej prishur me kohë ai Teatër! Unë e di se ç’far kanë vuajtur aktorët atje. Pa le ne punëtorët. E dëgjove Artan Imamin, është djalë i mirë, po dhe artist i mirë. Besoje!. Vinim një dërrasë të kalonim pellgun e ujit në korridore. Minj dhe hardhuca, myk dhe batak ishte bërë. U qetsova dhe shpërtheva dhe unë si shumë herë të tjera, kur pasi kthehesha nga shfaqja betohesha se; nuk do shkoja më kurrë në atë teatër, derisa të bëhej një i ri. I cili po vononte prej vitesh. Më kishte qëlluar shpesh të ulesha në kolltuk qe nuk ulej poshtë po rrinte gjysëm i ngritur, dhe më këpuste mesin. Le të ftohtit që sado e veshur të ishe nuk e di nga vinte ajo dreq ryme dhe këmbët të bëheshin akull. Gjunjët të dhimbnin sa kur ngriheshe nuk ecje dot, ngjitur shtrembër me dërrasën e rrijeshtit përpara. Ngjeshur me pallto e xhupa si jorganë. Pa le pastaj këta njerëz u thënçin që nuk zbatonin kurrë orarin. Atëherë porta mbyllej 5 -10, minuta përpara. Tani 10 -20 minuta më pas orës së fillimit, vazhdonin hynë antiqytetarët, si në kafene, dhe hajde lëviz po deshe. Nga të kalonin, ishte aq ngucur sa bije me kokë mbrapsht. E në u thoshe një fjalë, nuk dihej se ç’përgjigje merrje, në mos ndonjë grusht surratit. Eh! Perplasja e “qytetërimeve” i ka këto çudira!.
U gëzova që Xhemilja ime e mirë, ishte e qetë. Në bulevard drejtuesit e protestës ecnin si triumfatorë me kokën lart sikur kishin zënë qiellin me dorë e premtime që i merrte era e s’i çonte kwrkund. Oratorët konkuronin njëri-tjetrin. Nëpër studio vazhdonin mburrjet dhe ulurimat spontane të papërgatitura, me mungesë etike dhe pa asnjë konkluzion. Herë, herë, fshiva pikat e lotit. Jo për ndërtesën e Teatrit! Par ata të Qiellit! Me siguri edhe ata janë gëzuar se, më në fund do të kemi sa më shpëjt një teatër të ri, ku ta ndjejmë veten si zonja e zotërinj dhe ata do na vështrojnë nga lart, si Yje!
Komentet