“…Nuk thellohesha. Nuk pyesja për të mësuar diçka as Himlerin, as Hitlerin. Nuk flisja as me miqtë më intimë. Nuk guxoja të hetoja sadopak. Nuk doja të dija se çka ndodhte atje, në Aushvic. Duhej të pendohesha, sidomos në Procesin e Nurembergut përballë Gjykatës Ndërkombëtare, dhe të llogarisja tashmâ edhe unë si anëtar i rëndësishëm drejtues i Rajhut, që gjithashtu isha përgjegjës për gjithë atë çka kishte ndodhë. Qysh nga ky moment, për gjithë atë zinxhir krimesh, në mënyrë të padiskutueshme moralisht ndieja që i kisha mbyllë sytë për shkak të frikës se mund të zbulohesha e të kisha pasoja të rënda. Kjo heshtje duhej të më bënte që të shihja se i gjithë ai mendim tjetër pozitiv që mund të kisha pasë në fund të luftës, nuk kishte rëndësi. Përballë kësaj heshtjeje, gjithçka tjetër që mbetej ishte shumë pak. Dhe përballë këtij refuzimi për të pranuar të vërtetën, edhe sot e ndiej përgjegjësinë personale të Aushvicit”…
Kështu ka shkruar në kujtimet e tij Albert Speer (1905-1981), kryearkitekti i Gjermanisë Naziste të Adolf Hitlerit dhe mandej ministri i Armatimeve të saj, i dënuar me 20 vjet burg në Procesin e Nurembergut.
E, tash, duke ndjekur me vëmendje lëvizjen atdhetare të aktorëve, artistëve apo njerëzve të Teatrit Kombëtar në mbrojtje të tij, shkova te Stadiumi Kombëtar, që në vijë ajrore nuk është më tepër larg Teatrit sesa nja 150 metra. Ashtu “modern”, i errët e me kullën e tij të frikshme që të duket se rri gati si një kërbaç qiellor, që po fole ta këput kryet, e ndiej se ka plagosë tejet bardhësinë fisnike e çlodhëse të gjithë kompleksit të hershëm përreth tij me Universitetin e Akademinë e Arteve – më parë Teatri i Operës dhe Baletit, aq i dashur sidomos për brezin tim, frekuentues i pandalshëm çdo javë, sidomos në vitet ‘60. Dhe po mendoj: ndërsa aktorët, personalitete të mirënjohura të Teatrit, dramës apo “tragjedisë” të shpalosura aty, qofshin dhe krijime të realizmit socialist, qysh në fillim të viteve ’40 e deri më sot, a nuk duhet ta ndiejë veten fajtore Bashkësia Sportive Shqiptare, së cilës nuk iu dëgjua zëri në shkatërrimin e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” – përveç të tjerave, monument kulture? Dhe a nuk duhet kjo Bashkësi të pendohet publikisht për heshtjen e saj?
Kështu pra, nuk iu dëgjua zëri askujt prej tyre. Doemos, përveç të tjerave, ngaqë mashtroheshin edhe prej propagandës së tipit komunist të retorikës e pyetjes, prej së cilës veç naivët mund të rreheshin: “A doni stadium të ri apo ajo?” Kur merrej me mend se të gjithë duan stadiume të rinj. Sidomos në Shqipëri, pra, ku ata mungojnë tejet. Mungojnë në Durrës e Kavajë, në Vlorë e Gjirokastër, në Korçë, Fier e Lushnjë. U ishte çoroditë kthjelltësia e mendjes deri aty, saqë nuk arrinin të kuptonin se stadiumi i ri i Tiranës duhej ndërtuar diku tjetër. Dhe këtë jo vetëm për të ruajtur të vjetrin me historinë e tij dhe për të mos prishur mjedisin monumental historiko-kulturor të atyshëm. Po çka është po aq e rëndësishme, për t’i thirrë mendjes e të kuptojnë se duke shkatërruar “Qemal Stafën” ekzistues, ata po i hiqnin Tiranës një stadium më tepër. Kaq të pamëshirshëm ishin shkatërruesit! Dhe kaq “e paditur” ishte Bashkësia Sportive Kombëtare. Jo si mbrojtësit stoikë të Teatrit, të cilët po aq sa kërkojnë ndërtimin e një Teatri të ri, po aq kërkojnë të mos prishet ekzistuesi e i riu të ndërtohet në një vend tjetër të kryeqytetit. E, edhe në këtë rast, përveç të tjerave, do të përfitohej një Teatër më tepër. E shihni se si mbrojtësve të Teatrit Kombëtar asesi nuk ua mori mendjen retorika e njëjtë, dinake, rrenacake, mashtruese, madje malinje: “A doni Teatër të ri apo jo?”
Retorikë që ua mbylli gojën vetëm protagonistëve të Bashkisë Sportive Kombëtare, natyrisht edhe prej tradhtisë së ministrisë përkatëse që nuk bëzani asesi dhe ku ende nuk i është dhënë përgjigje pyetjes se a punojnë meritat aty për drejtimin e sporteve kombëtare apo jo…?
Interesant vërtet, përherë protagonistët e kulturës kombëtare ua kalojnë atyre të sportit kombëtar. Kësisoj, ata heshtën. Dhe Stadiumi Kombëtar u rrënua thuajse brenda një nate makbethiane. Nuk po e arrijnë këtë me Teatrin Kombëtar, ndonëse rrënuesit kanë më shumë se një vit që janë në kërkim të një nate po makbethiane, e cila çuditërisht për Shqipërinë ka lindur po në atë skenë. Me një ndryshim: ka lindur për t’iu treguar shqiptarëve përmes artit shekspirian se krimi e poshtërsia duhen luftuar. Ka lindur mû në atë skenë, që tash duan ta rrënojnë! Për fat, ende pa ia arritur ta sendërtojnë natën makbethiane.
Ndërkaq, kujtoj se si gazetar nuk pata heshtur. Madje, qysh ditën e parë që u shfaq ideja se stadiumi historik mund të rrënohej. Ngaqë përveç të tjerave, e ndieja fort rëndesën e tij historike. Qysh me fillimet e tij të Kampionateve Ballkanike 1946 të futbollit e të atletikës së lehtë. Ai ishte stadiumi i parë në Europën e Mbasluftës, që organizoi kësisoj veprimtarish ndërkombëtare. Dhe shpërtheva. Më akuzoni po të doni për mosmodesti. Por përballë një nënshtrimi krejt të papranueshëm të të tjerëve, ju kujtoj se shkrimet janë aty, pra edhe në faqet e kësaj gazete “Panorama”. Dhe jo vetëm një shkrim, por disa. Për fat, përballë një pamëshire nuk pata sukses. Isha pak. Duheshin shumë. Si mbrojtësit e sotëm të Teatrit Kombëtar, të cilët sa vijnë e po shtohen. Madje, pa u mpakur as prej grushtit kriminal policor në fytyrën e një aktori të shquar, Edmond Budina, i cili prapë nuk mposhtet. Madje, edhe nëse në fytyrën e tij mund të mbetet përjetë një plagë e mpiksur gjaku, ajo do të ishte damka përkujtuese e një arrogance shembullore, çka gjithsesi për çudinë e goditësit të pamëshirshëm, nuk do ta pengonte kurrë në interpretime të ardhshme, që ndoshta nuk do të kishin më nevojë për grimin shndërrues aktorial.
Këta janë mbrojtësit e mëdhenj të Teatrit Kombëtar, të cilët sapo kanë fituar 10-0 “ndeshjen” me Bashkësinë Sportive Kombëtare, siç po guxoj të titulloj këtë shkrim, duke i qëndruar kështu besnik stilit të gazetarisë sportive. Bashkësia e humbi stadiumin. Teatri nuk po e humb vetveten.
Kaq e rëndë është humbja që ka pësuar Bashkësia Sportive Kombëtare e Shqipërisë përballë kësaj të artit e kulturës kombëtare, në këtë rast e njinjisuar (identifikuar) me revoltën fisnike të asaj që hyri në histori si Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.
E, ndërkaq prej së parës, Bashkësisë në fjalë, qoftë edhe duke mësuar paksa prej pendimit të Albert Speer-it, pres pendimin.
Shkruan Albert Speer në kujtimet e tij:
“…Kur më 1937 do të vihej guri i parë i ndërtimit të stadiumit të Nurembergut, teksa ra fjala për Lojërat Olimpike, unë thashë se fusha sportive që kisha projektuar i kishte tejkaluar parametrat olimpikë. Hitleri m’u përgjigj: ‘Nuk ka rëndësi. Më 1940, olimpiada do të zhvillohet në Tokio. Por mbas saj olimpiadat do të zhvillohen përjetësisht në Gjermani, në këtë stadium dhe atëherë do të jemi ne që do t’i përcaktojmë edhe përmasat e një fushe sportive’”…
Duket sikur kjo arrogancë hitleriane nuk hyn këtu. Qoftë edhe sepse për stadiumin e ri të Tiranës, pa pyetur askënd e sikur ta kishin të familjes së tyre, sapo kanë guxuar madje, të hedhin në treg deri edhe shitblerjen e emrit të tij te biznesi. Mirëpo, ja që m’i mori Zoti mendtë dhe kulla qiellgërryese e Stadiumit Kombëtar që shtyp pa mëshirë mjedisin sportiv të së blertës së arenës së tij, qoftë dhe në miniaturë, po më dukej se çuditërisht krijonte një parabolë me gjigantizmin prepotent të Nurembergut nazist.
“Do të jemi ne”, siç thotë Hitleri. Kush? Ne që heshtim…?
Ndërkaq, disa nuk po heshtin. Janë mbrojtësit e Teatrit Kombëtar, të cilët përveç të tjerave, sapo dhanë shfaqjen e mosndalesës në skenën e tij, duke e nisur me interpretimin e pashlyeshëm, madje unikal, edhe pse në mes të një koloriti krejt të pangjashëm, për fat, të një rekuizite të marramendun përreth, krejt dramatike, me aktorin e shquar Mehdi Malkaj. Ai që puthi murin e skenës me lot në sy. Dhe për çudi, mû këtu më duket se gjej dhe kulminacionin më shprehës të fitores 10-0 të Teatrit Kombëtar ndaj Bashkësisë Sportive të tulatur të Shqipërisë. Ajo pra, që nuk bëzani. E që nuk bëzan, edhe pse Tirana u bë kryeqyteti i vetëm në Europë pa pistë atletike, që dihet është Mbretëresha e Sporteve! Bashkësia që nuk bëzani për shkatërrimin e Stadiumit Kombëtar për ndërtimin e një tjetri po aty, duke shkulmuar historinë. Stadium, i cili po shquhet për tri gjëra: që kulla mposht sportivitetin autentik të tij, që stadiumi i garës së parë europiane të atletikës së lehtë më 1946, tash u ndërtua pa pistë atletike dhe që sapo kanë njoftuar për nxjerrjen në ankand të emrit të ri. Çka do të thotë se, stadiumi do të ketë një emër biznesi, jo të sportit, jo të historisë kombëtare të sportit, jo të protagonistëve të mëdhenj të tij.
Dhe as në këtë rast të fundit, prapë Bashkësia Sportive hesht. E ka dërmuar humbja 10-0 prej Teatrit Kombëtar.
Ka shkruar Albert Speer në kujtimet e tij:
“Në fillim të vitit 1939, në një mbledhje me ndërtuesit, Hitleri do të arsyetonte karakterin kolosal të stilit të tij arkitektonik duke thënë: Përse duhet të bëjmë gjithnjë ndërtime shumë të mëdha? Sepse dua t’i përçoj çdo gjermani vetëdijshmëri. Sepse dua t’i përsëris secilit njëqind herë: Nuk duhet të jemi absolutisht inferior ndaj asnjë populli. Jemi pra, gjithnjë mbi çdo popull tjetër”.
Më shumë se racizëm!
Në tetor 2018, në shkrimin me titullin: “Interesant! Vetëm për prishjen e Stadiumit Kombëtar heshtin”, botuar këtu në “Panorama”, pata shkruar:
“… Janë çuar peshë për ‘shtëpinë’ e Enver Hoxhës, e cila do të prishet për t’u ndërtuar Parlamenti i Republikës së Shqipërisë. E çka nuk thonë! Thonë që është arkitekturë historike! Thonë që është trashëgimi e diktaturës dhe duhet të ruhet, qoftë edhe për t’i treguar brezit të ri se çka qe diktatura komuniste. Thonë se askush në botë nuk i prish këto objekte. Thonë se ky mermer që kërkon të pushtojë qiellin, po të prishet, prish historinë e bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ e ndoshta të vetë Shqipërisë!… Nuk më pëlqen asesi që në këtë shkrim të përimtoj se si regjimi ka hedhë në erë kishën mijëvjeçare të Vaut të Dejës e Kishën e Zojës; ka prishë xhami e kisha të tjera sa të duash; ka zhdukë Pazarin e Shkodrës, që ka pasë 4000 dyqane; ka futë nën dhè Pazarin e Tiranës; ka rrënuar Pazarin e Korçës. Ka hedhë në erë varrin monumental të Nanës Mbretëreshë. Ka flakur eshtrat e At Fishtës në Kir. Ka djegë librat më të vjetër shqiptarë e të kulturës botërore në oborre kishash, jo në kohën e inkuizicionit, por më 1967 të shekullit XX”.
Kështu pata shkruar. Ndërsa tashti po shtoj:
Si ka mundësi që nuk ekziston më asnjë kinema e hershme e Tiranës? As kinema “Nacional (17 Nëntori), as “Republika”, as “Partizani”? Si ka mundësi që sapo janë rrënuar Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Bar Sahati, Hotel Vjosa, brenda një nate misterioze, ndërkohë që prej gati 20 vjetësh nuk funksionon i famshmi Hotel Dajti, – ndër modernët e parë në Ballkan, që duan ta tjetërsojnë? Si ka mundësi që është fortifikuar me heshtje kundërhistorike prej hekurave, Rruga e Durrësit– ndër më tradicionalet e më qytetare të Tiranës?
Kësisoj, nuk është e rastësishme që nuk janë prekur Piramida, ndërtesa e Komitetit Qendror, Pallati Sovjetik i Kulturës apo Muzeu Kombëtar– të gjitha vepra të “epokës” së Shqipërisë të realizmit socialist. Madje, pa iu ndërhyrë sadopak të paktën në fasadë. Sa për të bërë ndonjë “errata corrige” mikroskopike. Dhe ndërkohë prishen vetëm veprat e arkitekturës “reaksionare” të regjimeve të hershme. A thua rastësisht? Madje, edhe Kryeministrinë e prekën jo pak nga jashtë e nga brenda, deri me arredimin basketbollistik unikal në botë. Rastësi? Apo nostalgji për veprat “tona”…?
Sigurisht, nuk më shkon ndër mend që këto vepra të “realizmit socialist” të prishen, sepse edhe ato përfaqësojnë një periudhë, një histori, edhe pse shtypëse e të një propagande gëlbesiane. Dhe ec e gjeje pse preken, shkatërrohen, zhduken vetëm të vjetrat, të dikurshmet, të një Shqipërie tjetër…
Deri dhe Hitleri “u pat prekë” një herë. Shkruan Speer:
“… Shkuam së bashku te shtëpia e Nietzsche (Niçes), ku Hitleri u prit prej motrës së filozofit të madh, zojës Forster – Nietzsche. Objekti parësor i bisedës ishte për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme për të gjithë dhe Hitleri vendosi të urdhërojë financimin e rindërtimit të shtëpisë së vjetër të Nietzsches”…
Ndërkaq, unë shkoj tek arkivi im. Kur në tetorin e viti 1991 qeshë kthyer nga Çekosllovakia mbas ndeshjes së atjeshme të Kombëtares sonë në qytetin Olomouc – kryeqyteti i vjetër i Moravisë, shkrova:
“.. Mbasi ke parë parkun e Olomoucit, e ndien se kufijtë e bukurisë janë të pafund. Ai është i kohës së Maria Terezës, e cila dihet që ka mbretëruar edhe në Boheminë, këtu pranë Moravisë… Nuk është vetëm kjo ‘përmendorja’ e Olomoucit. Përpara saj mbase i takon të jetë universiteti i tij, i ngritur qysh më 1573, i dyti në Çekosllovaki mbas atij të Pragës… Aty është kështjella e qytetit, mu në mes të tij dhe mban vulën e vitit 1600. Aty është ndërtesa e Teatrit, tash 250 vjet…”
Nuk do ta harroj kurrë këtë Teatër, ashtu të drunjtë, të drobitur, të përkulur paksa, si një plak fisnik mbi 100-vjeçar, por që gjithnjë ecën, i mbajtur në themelet e ngulitura në tokë dhe i mbështetur në bastunin e tij po të drunjtë, duke të vështruar me trimëri për të thënë se “nuk bie asesi”
Këtu po e mbyll. Vetëm po shtoj se po i rikthehem për të njëmijtën herë Indro Monanelli-t, në lidhje me atë që historiani i përbotshëm Denis Mack Smith e ka quajtur “një prej fushatave të shtypit më edukative dhe kurajoze të Italisë së Mbasluftës”. E ka pasë fjalën për atë që njihet si impenjimi i madh ambientalist i Montanelli-t për të ndalë rënien e Venecias prej atyre që gazetari mitik, në shkrimet e tij të pandalshme rreth këtij argumenti (1968-73), i quajti “vrasësit e peizazhit italian” apo “kryetarët e bashkisë së çimentos”. Nuk ka ndalë Montanelli. Kanë qenë plot pesëdhjetë shkrime të botuara. Duke mbërritur deri dhe në krijimin po prej tij të një dokumentari të pashembullt në mbrojtje të Venecias, të shfaqur para 2000 spektatorëve të “Cinema Rossini”, ku bëri dhe deklaratën e bujshme: “Mjerisht nuk jemi më në një komedi të Goldonit, por në një tragjedi të Shekspirit”. Po mandej? Mandej, më 13 prill 1973, Parlamenti italian miratoi përfundimisht ligjin special për shpëtimin e Venecias!
Duke iu kthyer Tiranës e Shqipërisë, prapë mbërrij te Bashkësia Sportive e Shqipërisë, së cilës po guxoj t’i kërkoj “mea culpa”-n e saj mbas humbjes 10-0. Për të kërkuar një revansh human, duke u bashkuar me protestën e Teatrit Kombëtar. Vetëm kjo mund t’ia shpëtojë nderin.
Shkrim i gjate por me permbajtje. Nuk e di sa ajo dhjeta e meriyuar deri tani do mund te perballoje arrogancen e buldozerit te rames dhe hipokrizine bajete te fiqshitesit……