Në fundjavë nis zyrtarisht edhe prag sfida me Serbinë. Të Shtunën trajneri Gianni De Biasi do të publikojë edhe listën me lojtarët e përzgjedhur për sfidën e 8 Tetorit në Elbasan Arena, por edhe për ndeshjen me Armeninë, që mbyll kualifikueset në Euro 2016.
Prej kohësh trajneri italian ka njoftuar se në skuadër nuk do të ketë surpriza. Një zgjedhje logjike, edhe sepse ekuilibrat e krijuar në skuadër nuk mund të prishen në momentin vendimtar të edicionit.
Ndryshimi i vetëm pritet në mesfushë. Dëmtimi muskulor i Burim Kukelit bën që trajneri të rikthejë në skuadër Alban Mehën. Snajperi po përjeton një start sezoni të shkëlqyer në Superligën turke me Konyaspor, duke realizuar dy gola në 6 ndeshje, mes të cilëve një në portën e Galatasaray-t.
Pikëpyetja më e madhe lidhet me Mërgim Mavrajn. Reparti mbrojtës do të jetë ai i zakonshmi me kapitenin Cana, Agollin, Ajetin, Lilën, Gjimshitin apo Alijin dhe Elseid Hysajn të Napolit plotësisht të rikuperuar, shkruan Supersport.
Mavraj pritet të grumbullohet me shpresën se mund të jetë gati për të dhënë kontributin kundër serbëve. Lojtari që së fundmi ka nisur stërvitjen te Këlni do të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, për të vlerësuar nëse mund të zbresë në fushë.
Të Shtunën trajneri De Biasi do ti japë fund të gjithë dilemave, me Kombëtaren që do të nisë menjëherë nga puna për ndeshjen më të rëndësishme drejt ëndrrës në Kampionatin Europian në Francë.
Komentet