Vendosa vetëm ta shoh e mos ta dëgjoj fjalën e Kryetarit të Partisë Socialiste. Sado paradoksal të duket ky vendim, dobia shtesë e çdo fjale të tij, tanimë është zero edhe filozofia e tij e qeverisjes e qartë “përgjegjësia është personale ose ndryshe “lojtarët bien, por loja ime vazhdon’”.
Duke e ndjekur pa zë, gjithë vëmendjen time e morën delegatët, disa prej të cilëve i njoh personalisht. Në marrëdhënie private para një filxhani kafeje apo gote me verë, ato që njoh e vlerësojnë integritetin dhe aftësinë e secilit prej nesh pikërisht nga ndershmëria dhe efektiviteti që gjithkush nga ne mbron dhe shpalos idetë e tij.
Ndërkohë ato vetë në karriget e pozicioneve publike sillen tërësisht ndryshe. Gatishmëria e tyre “për të tretur” çdo marrëzi si të pranueshme është e dukshme.
Ajo sallë dje ishte e mbushur nga njerëz, shenja kryesore dalluese e të cilëve është pamundësia (kursesi paaftësia) për të peshuar idetë. Burra e gra mendimi i të cilëve rrotullohet vetëm rreth sigurimit të një vendi në “klubin e të besuarve të kryetarit”.
Njerëz të pushtuar nga emocionet ku emocioni dominues është frika. Njerëz “të braktisur” njëherë e mirë nga instikti i rebelimit i cili është themeli i ndërgjegjes së njeriut, burimi i humanizmit të tij dhe mjeti i evolucionit të tij. Përballë këtij pasioni të veçantë për konformitetin, servilizmin, apo frikës ndaj risisë dhe origjinalitetit, është e paevitueshme që njerëzit me mendje të fuqishme dhe bindje të forta të largohen gradualisht nga partia.
Partia nuk ka me asnjë mekanizëm balance.
Kontributi politik i cili u jepte anëtarëve të qeverisë ose forumeve drejtuese të partisë një lloj autonomie në mendim nga Kryetari nuk përfillet më. Ai është zëvendësuar nga gatishmëria për të vazhduar “lojën” e tij. Partia Socialiste në peshën e pushtetit ka vdekur edhe është kthyer në një turmë.
Në turma nuk ka pikëpamje thelbësore. Pakicat që mendojnë ndryshe “dëbohen” edhe mbijetojnë vetëm njerëzit joreflektues, të cilët gradualisht shndërrohen në shtyllën kurrizore të autokracisë individualiste.
Ndaj edhe dje i shkrova një senatori të Partisë Socialiste: “Të rrojmë e ta kujtojmë Partinë Socialiste”.
(BalkanWeb)