Mehmet Shehu ka qënë racist. Së paku një pjesë e mirë e komunitetit të romëve të viteve ’60-’70 e thonë me bindje se ish-kryeministri komunist i ka parë me syrin e njerkës dhe me veprimet dhe mosveprimet si kreu i Ekzekutivit shqiptar për atë periudhë ka shkelur brutalisht të drejtat e tyre.
Ndër argumentet për këto, veç të tjerava, ata veçojnë urdhrat e dhënë zyrtarisht për t’i sistemuar në punët më të rëndomta, aty ku pjesa tjetër e qytetarëve refuzonte kategorikisht dhe vendimin misterioz për t’i sistemuar romët me strehim në katetet e para të pallateve si qyetarë të dorës së dytë. Jo rastësisht, këto dhe të tjera privacione në periudhën e regjimit komunist, ata i lidhin me emrin e Mehmet Shehut, që për shumëkënd syresh ishte një përbindësh. Pavarsisht se për kësi hallesh ata flisnin rëndom me njëri-tjetrin me atë kodin e tyre të pakënaqësisë, ishin shumë të rezervuar të komunikonin me pjesën tjetër të komunitetit, pasi e ndjenin se çfarë i priste. Deri aty ka arritur kjo revoltë e brendshme, sa që aty nga mesi i viteve ’60, e bënë himn të një kënge që shqiptohej shpesh në gostitë dhe kuvendet e tyre. “Të rrojë Partia, të rrojë Enveri, Mehmet Shehu desh na theri”.
Nuk dihet kush ishte i pari që vargëzoi teksin e kësaj kënge, por bashkëkohësit mbajnë mend, se ajo ishte e pranishme kudo ku dukeshin një grup romësh duke biseduar apo duke kthyer një gotë alkool. Po cila është historia e vërtetë e saj dhe si erdhi deri në ditët tona kënga e mirënjohur e romëve e viteve ’60-’80. Më poshtë publikojmë tregimin si e kujton atë Gurali Mejdani, president i shoqatës “Bashkimi Demokratik i Romëve të Shqipërisë”.
““““““`
MINA QIRICI/ Vajzat rome çmendeshin pas djaloshit të “Kullës së Hirit” në qytetin e Korçës. Klarineta e tij nëpër dasma i bënte të mëdhenj dhe të vegjël të qanin. Ia kishte mësuar i ati, Shahin Kurbati me nam. Jo vetëm në “Kullën e Hiri”t, por edhe në qytetin e Korçës, Kolonjë, Përmet, Dangëlli, Skrapar e gjetkë, e njihnin Shahin Kurbatin.
-Kjo vegël të ka rritur, o bir! – i tha Amedit, para se të mbyllte sytë. – Kurrë mos vër paranë mbi të! Paraja ia heq shpirtin… E than dhe e shkrumbon, si than rrufeja lisin. Vegla pa shpirt është e vdekur. Askush nuk të dëgjon. Ama, shpirtin, duhet t’ia japësh ti. Nga shpirti yt…Kështu nuk do të të humbasë emri. As kënga!
Amedi e mbajti amanetin. Sa herë i binte klarinetës, vinte shpirtin mbi të. Dhe shpirti i romit muzikant ishte më i bukur sesa një këngë dhe kaba me klarinetë. Shpirti i tij herë qante dhe herë qeshte. Herë gëzohej, si një vajzë e dashuruar dhe herë trishtohej dhe nxinte, si natë pa hënë. Herë tërbohej nga zëmërimi, si ortek dëbore, që rokulliset nga shpati i malit, dhe herë zbutej si zemër foshnjëje.
Dimër dhe behar. Vjeshtë dhe pranverë. Kjo e çmendi Jazen të linte kokën atë natë në dasmën e së motrës. Edhe burim uji të ishte klarineta e Amed Kurbatit nuk do të nxirrte kaq shumë tinguj magjepës. “Të lumtë dora dhe shpirti, o i biri i Shahin Kurbatit”, e uronin dasmorët bilishtarë. “Tëpkë yt atë je, or djalë”.
Zjarrin klarinetës asaj nate ia dhanë sytë e zinj të Jazes. Vajza i hidhte djaloshit vështrime përvëluese dhe dashurie bashkë. Në fillim e tërhoqi klarineta… Po këngë pas kënge dhe valle pas valleje, Jazja nuk mund të rrinte pa i hedhur sytë e zinj nga Amedi.
Edhe djali me sy të zinj ishte. Nata e syve të zinj.
– Ma dogje zemrën, moj vajzë e bukur! – i tha Amedi. Jazja nuk foli. Fytyra e zeshkët iu prushërua. Nga dashuria. Zemra i mori flakë.
– Të pafsha nuse në krahët e mi!
– Të pafsha burrë në gjirin tim!
Ditën e dasmës Amedi nuk e preku klarinetën me dorë. Për dhëndrin e ri i ranë veglave muzikore, kënduan dhe kërcyen, shokët dhe miqtë. Kur dasmorët u larguan, djaloshi e futi Jazen në kasolle. Në një dhomë të vogël. Një dyshek nusërie shtruar në mes.
Fytyra e Jazes u prushërua më tepër se teminat e kuqe, që i kishte ngjitur në faqe dhe mbi ballë gjyshja Bedranë.
– Para se të të heq fustanin e nusërisë, moj e bukura ime, dëshiroj t’i bie për ty klarinetës. Nusja qeshi dhe zbuloi dhëmbët e bardhë.
Klarineta shpërtheu tinguj, që kurrë nuk ishin dëgjuar më parë.
Shi pranvere, apo ujëvara zbriste nga mali?
Këndonin gushkuqët, laureshat, bilbilat, kanarinat dhe gardelinat në pyllin e Moravës, apo sirenat e detit dhe shtojzovallet? Një natë, në derën e vjetër trokitën policët e Degës së Punëve të Brendshme.
– Amed Kurbati, në emër të popullit, je i arrestuar!
– Daleni, mor byrazerë, çfarë kam bërë… Pse më hidhni hekurat? Amed Kurbati nuk është gjë tjetër, veçse një sazexhi. E nxjerr bukën e gojës me djersën e ballit, – tha me zë të këputur. Tre muaj e mbajtën në hetuesi. E rrahën! Torturuan! E quajtën “armik të popullit dhe të partisë”.
– Jam muzikant bre! Me këtë zanat mbaj familjen… Vetëm kaq mund të thoshte përmes dhimbjes dhe dëshpërimit.
– Di të këndosh, ti i pandehur? – e pyeti gjyqtari ditën që e nxorën në sallën e gjyqit. – Çdo sazexhi di të këndojë, shoku gjykatës.
– Pa na e këndo një çikë atë këngën… në dasmën e djalit të Teme Teneqexhiut.
– U kënduan shumë këngë, shoku gjykatës.
– Po, ja, na thuaj disa prej tyre. – Këngë dasme, shoku gjykatës: “Trëndafili fletë-fletë”, “O borzilok”, “Kishe dalë në bahçe”, “Këngën e bandillit”… – Këngë për racën tuaj, ke kënduar, o “bandill”? – Po… Është një këngë e re… E kam bërë vetë… Për partinë dhe shokun Enver. – Këndoje! – urdhëroi gjykatësi. Amed Kurbatin e mbuluan djersë të ftohta. Në hetuesi nuk i kishin bërë pyetje të tilla. Mori guximin dhe tha:
– Nuk këndohet me duar të lidhura, shoku gjykatës!
– Jo, more! Mos do të të sjellim edhe një kupkë raki, zotërote? Hajde, lëri fjalët! Amedi nisi këngën. Me zë të ngjirur: “Kasollet tona thurur me kashtë, ç’bie brenda, bie jashtë… Të rrojë Enveri, të rrojë partia, që na bëri me shtëpia! Të rrojë partia, të rrojë Enveri Mehmet Shehu desh na theri…” Në sallën zotëroi heshtja.
– Këngë më reaksionare nuk kam dëgjuar në jetën time!- ulëriti gjyqtari. Amedin e zuri tmerri.
– Fol! – e urdhëroi gjyqtari.
– Po, ç’të them, shoku gjyqtar, – unë i ziu për të mirë e kam bërë… Në të vërtetë, thotë Gurali Mejdani në fillim të viteve gjashtedhjetë ishte përhapur nga s’di se kush legjenda urbane se Mehmet Shehu kishte urdhëruar të ekzekutoeshin gjithë romët e Shqiprisë. Fjalët u përhapën si vetëtimë në tërë fiset rome.
Nga Veriu në Jug. Nga Lindja në Perëndim. Fytyrat dhe gjestet e romëve, teksa bisedonin me njëritjetrin dhe përhapnin fjalët, shprehnin tmerr dhe pasiguri.
Disa syresh i shkuan në çadër Shaziman Kosturit.
– Na mbro, o kryetar! Ty të kemi në ditë të mira dhe në ditë të zeza. Ti, që me fjalën tënde, pajton dhe ndan sherret tona, pajto edhe këtë sherr të madh, që na ka hapur qeveria. Po, ç’themi edhe ne! Ky nuk është sherr, o kryetar! Kjo është gjëmë e shkuar gjëmës. Është lemeri. Mynxyrë dhe vdekje. Romi e pranon mortjen, kur vjen nga Perëndia. Po, kur vjen nga qeveria, si t’i’a bëjmë, o kryetar?!
Romët flisnin me nxitim. Si t’i ndiqte njeri nga pas. Vështrimet i kishin të lemerisura. Buzët u dridheshin nga dëshpërimi. Sytë u lotonin.
– Çfarë ka ndodhur, o vëllezër? Për çfarë gjëme po më flisni? Çfarë sherri ka hapur qeveria me ne? Shaziman Kosturi u hedhi kutinë e duhanit romëve të tromaksur dhe priti përgjigjen e tyre. Aty për aty njëri tha:
– Në të vërtetë, me të dëgjuar i kam këto llafe, po, si të të them. Ku ka zë, s’është pa gjë… Që të ta ngas llafin, me demek, Mehmet Shehu, i pari i qeverisë, vallahi, ka dhënë urdhër t’i mbledhin gjithë romët e Shqipërisë, në një vend andej nga Lushnja. T’i rrethojnë me tela me gjemba dhe… t’i zhdukin..
– Të na therin, kështu ka thënë! – shtoi tjetri. – Policë e ushtarë janë sulur nëpër Myzeqe e gjetkë. Rrëmbejnë romët…burra, gra, fëmijë, pleq. I rrasin në makina dhe i degdisin andej ku thashë.
Shaziman Kosturi u mundua t’i qetësonte.
– Nuk ma merr mendja se qeveria kërkon të na therë, o byrazerë! Ç’punë ka Mehmet Shehu me ne? Romët nuk janë as vrasës, as kriminelë, as hajdutë. Nuk i bëjnë keq as mizës… Me dorën e bardhë kemi mote e mote që shkojmë vëllazërisht. Ne shohim punët tona, ata shohin të tyret. Ne u shesim kuaj, gomerë e mushka, kanistra, shporta dhe shosha, ata na japin grurë dhe misër. Na japin bukë dhe miell.
Japim e marrim me ta…
– O kryetar! – nxitoi t’i shpjegonte ai që ishte më i madhi në moshë. – Thonë se një oficer i ushtrisë po kalonte me makinë në pyll. Se ku është ky pyll dhe se ku bie kjo rrugë, për atë Zot, që është lart në qiell, unë nuk e di. Po, si thonë llafet, oficeri me të shoqen po hanin drekën. Çilimiu u humbi nga sytë. Nuk lanë vend pa kërkuar. Në lëndinë, aty pranë pyllit, kishin ngritur çadrat çergarët. Atë ditë ishte festa e Bajramit. Romët ishin drekuar me një qengj. Një herë në vit u bie në hise të hanë mish të shkretët. Kockat e kafshës së ngratë ishin ende për tokë. “Arixhinjtë kanë therur dhe djalin tim!”, klithi gruaja e oficerit.
Kaq u desh… Ushtaraku i lartë nxori koburen nga brezi dhe qëlloi mbi romët. U vranë nuk e di sa në shenjë hakmarrjeje nga plumbat e oficerit. Ca të tjerë thonë se, oficeri i dha urdhër shoferit t’i shtypte më “Gaz” gjithë çergarët, që ndodheshin brenda në çadër. Me kuç e me maç. U bë katrahurë e madhe. Fëmijët lebetiteshin, ndërsa jepnin shpirt nën rrotat e makinës. Pleqtë shanin e mallkonin. Burrat rrëmbyen sopatat, por oficeri nxori koburen dhe bam e bam.
Ishte bërë xhind.
Lajmi i shkoi në vesh Mehmet Shehut.
Ai urdhëroi: “Të grumbullohen arixhinjtë në Plug të Lushnjes dhe të theren të gjithë! Të shpëtojmë një herë e mirë nga këta kanibalë!”. Madje, Mehmeti kishte shtuar edhe disa llafe të tjera për ne romët. Me demek, ne paskemi qenë ata që përgatitëm gozhdët për kryqëzimin e Krishtit. Me sa dimë ne, o kryetar, gozhdët për Krishtin, vërtet i përgatiti një rom kovaç, po ai i gjori nuk e dinte për ç’punë i donin romakët. Kur e mësoi të vërtetën, romi e fshehu një gozhdë. Në kishën e Shën Gjergjit në Korçë, kam parë me sytë e mi se vetëm duart dhe njëra këmbë e Krishtit kanë gozhdë…
– Ja, kështu ka ndodhur, o kryetar! – përfundoi rrëfimin romi kallbuxhi. – Ndaj, erdhëm këtu të qajmë hallet me ty dhe t’i japim drejtim punës. Thonë se Mehmet Shehu është shumë i egër. Të vret pa një pa dy…
Shaziman Kosturi hoqi nga goja çibukun.
– O njerëz të Perëndisë! Burri flet dhe thotë ato fjalë, që ia ka dëgjuar veshi dhe ia kanë parë sytë. Mendoj se këto fjalë i kanë përhapur njerëzit e liq, si nga dora jonë, ashtu edhe nga dora e bardhë. Burri i peshon fjalët para se t’i nxjerrë nga goja. Ju më thatë se llafet i keni me të dëgjuar. “E dëgjove, thotë fjala e urtë rome, mos e beso! E pe, besoje përgjysmë. E preke, besoje plotësisht”.
Shaziman Kosturi shaloi kalin. Shkoi krahinë më krahinë dhe fshat më fshat.
Askund nuk dëgjoi për gjëmën. Takoi kryetarët e fiseve të Meçkarëve, Çergarëve dhe Kurtofëve. Ngrinin supet. Disa thoshin se vërtet kishin dëgjuar për historinë e oficerit me djalin e vogël, por fiset e tyre ishin të gjthë shëndoshë e mirë. Pa u hyrë gjemb në këmbë. Fjalët ishin përhapur nga s’di se kush. Ndoshta nga racistë të paktë, që nuk i shikonin me sy të mirë romët. Vërtet kishte humbur një fëmijë oficeri në pyll, po e kishte gjetur roja i pyllit dhe e kishte shpënë në polici…
– Jo, të keqen, jo! – iu përgjigj Shaziman Kosturi, duke e vështruar në sy gjykatsin. – Nuk është e vërtetë. Llafe janë…Llafe njerëzish të pashkollë… Gabim, gabim i madh për këngën… E ka bërë nga padia. Mehmet Shehun e paçim sa malet! Të na rrojë ai dhe shoku Enver… Dhe partia. Na mbrojnë dhe na duan të mirën. Dhe ne i duam, o shoku gjykatës… Për kokën e çilimiqërve, i duam.
Plaku u kthye nga kurbatët: –
Hë, more vëllezër, flisni!
-I duam, të keqen, i duam!
– E dëgjuat, shoku gjykatës?! Të gjithë i duam… Edhe partinë. Edhe shokun Enver. Domosdo, edhe Mehmetnë. Ku do vemi ne pa të?! Ja, pyeteni Amed Kurbatin. Edhe djali të njëjtën gjë do të thotë. Hë, mo djalë, e do ti Mehmet Shehun?
E dua! – thirri me gjysmëzëri Amedi.
– I pandehur, përgjigju vetëm kur të them unë!
– Tërhoqi vëmendjen gjykatësi.
– Djali është rritur jetim, o shoku gjykatës. Pa nënë. Pa baba. Në dyert e botës. Pa shkollë… Jo se partia nuk ka hapur shkolla edhe për ne, xhanëm. Mjaft fëmijë nga dora jonë, mësojnë shkrim e këndim, bashkë me fëmijët e dorës së bardhë. Po, djali nuk e kishte takanë.
Vini dorën në zemër dhe faleni. Sapo është martuar…
– Megjithatë, – përfundon bisedën presidnti i shoqatës se “Romëve të Shqiperisë”, muzikanti Amed Kurbati u dënua me shtatë vjet heqje lirie. Motivacioni, “Agjatiacion e propagandë”