Prilli i artë me Dashurinë vallëzojnë të zënë për dore
edhe natyra përjeton çastin e saj të ëmbël
nga gjethet e harlisura plot me freski e aroma
një këngë zogu del q’andej, një këngë e malluar.
Ujëra të ëmbla, të kthjellta, me hire e gurgullime
derdhen të qeta në humnerë, që kundërmon e tëra;
i marrin erën dehëse, i lënë freskinë e tyre
edhe thesaret shndritëse duke shpërndarë në diell
vrapojnë andje, vrapojnë këndej, këndojnë si bilbilat.
Jeta gulfon si burim në tokë dhe në qiell.
Por në liqen, në ujin e bardhë, të qetë e të kthjellët –
i qetë kudo që ta vështrosh, i kthjellët gjer te fundi,
me hijen luajti flutura, një hije e panjohur
që gjumin ia spërkati aromë, kur flinte te zambaku.
-O ëndërronjës, na trego, çfarë po shikon ti sonte?
-Një natë të mbjellë me bukuri, një natë plot me mistere
që deti, toka e qielli duket se s’marrin frymë
as sa fryma e bletëve kur i afrohen lules
dhe rreth diçkaje krejt të bardhë nga mesi i liqenit
hëna u drodh lehtë e lehtë, lëvizi vetvetiu
dhe që andej doli një vashë, veshur me dritë t’argjentë.
(Përktheu Andrea Zarballa)
Komentet