Mosdhënia e rekomandimit për liberalizimin e vizave për zonën Schengen të Bashkimit Evropian për qytetarët e Kosovës, për vitin 2016, ka nxitur reagimin e të rinjve në Kosovë.
Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se Kosova është pjesë e Evropës, ndërkohë që qytetarët e saj, e veçanërisht të rinjtë, vazhdojnë të ndihen të izoluar nga vendet e Bashkimit Evropian, organizatë kjo, në të cilën Kosova mëton të integrohet dhe anëtarësohet.
Arben Dedaj thotë se ka përfunduar studimet. Sipas tij, mosdhënia e deritashme e liberalizimit të vizave, është zhgënjyese për të rinjtë në Kosovë dhe një gjë e tillë, tashmë ka kaluar në monotoni.
“Normalisht, është izolim. Mirëpo, tashmë jemi mësuar dhe jemi kalitur me këtë. Po na duket njëjtë, si me viza si pa to. Jemi lodhur…”, thotë Arbeni.
Mendim Mehmeti, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se pamundësia për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian pa regjim vizash, ka qenë pengesë mjaft e madhe për shumë të rinj, që të shkojnë për të studiuar atje ose edhe për të gjetur punë.
“Normalisht që është keq, sepse shumë të rinj kanë pasur synime që të studiojnë jashtë. Jemi disi të izoluar prej vendeve tjera për studime, e ndoshta edhe për punësim, sepse këtu nuk ka punësim të madh. Por, edhe për t’i parë të afërmit. Mbase jo unë, si student, por ka familje të tjera që mund t’i shohin të afërmit që nuk i kanë parë”, shprehet Mendimi.
Luljeta Ahmeti studion për Administratë Publike. Ajo thotë se nuk e ka problem udhëtimin jashtë Kosovës, për shkak se ka shtetësi dhe pasaportë sllovene. Por, sipas saj, për shumë të rinj, që kanë ambicie për të studiuar jashtë vendit, mosdhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën, është pengesë shumë e madhe për realizimin e ambicieve të tyre, si dhe një izolim shumë i madh.
“Është izolim, madje, shumë i madh për studentë. Mendoj që po të kishte liberalizim të vizave, ata do të kishin shumë dyer të hapura për studime”, konsideron Luljeta.
Por, çfarë kanë humbur të rinjtë nga mosliberalizimi i vizave?
Vigan Mehmeti, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë se pamundësia e lëvizjes së lirë nëpër vendet e Schengen-it, të rinjtë e Kosovës i privon nga shumë përvoja.
“Të vizitosh ndonjë vend tjetër, të shikosh se si zhvillohet puna atje, të arrish ndonjë përvojë, të studiosh. Keq që e kanë shtyrë (liberalizimin e vizave). Është dashur t’u rrinë gati këtyre gjërave, por nëse vazhdojnë kështu, nuk do të ketë (liberalizim vizash), pa i ndreqë raportet që janë brenda Kosovës”, thekson Vigani.
Ngjashëm thotë edhe një e re tjetër nga Prishtina, që nuk u prezantua:
“Liberalizimi i vizave mendoj që do të ishte një rast shumë i mirë për ne. Ne, jo vetëm që do t’i vizitonim vendet ose të afërmit tanë, por do të studionim jashtë shtetit. Kjo do të ishte për ne shumë mirë”.
Megjithatë, ka edhe të rinj tjerë, të cilët shprehin mendimin që edhe në rast se Kosova do ta merrte liberalizimin e vizave, kjo nuk do të ishte ndonjë lehtësim i madh për ta.
Betim Ndrecaj thotë se ka përfunduar studimet për ekonomi. Ai thekson se ka dëshirë ta vizitojë Zvicrën, por edhe po të kishte liberalizim vizash, kjo për të do të ishte e vështirë për t’u realizuar.
“Edhe po ta kisha vizën, nuk kam para të dal dhe të shëtis”, thotë Betimi.
Bujar Gashi, një i ri nga Prishtina, thotë se nuk ka ndonjë leverdi nga liberalizimi i vizave, edhe po të ndodhte kjo tash për Kosovën.
“Aktualisht, jo. Kisha qëndruar në vendin tonë edhe për studime. Këtu më mirë, sepse vendi ynë”, mendon Bujari.
Por, Engjëll Hamiti, student i Shkencave Politike, thotë se të rinjtë, fillimisht, duhet të mësojnë se çfarë nënkupton dhe ofron liberalizimi i vizave.
“Mendoj që ne të rinjtë më së pari duhet të njoftohemi se çfarë nënkupton ky liberalizim, për ne. Tre muaj udhëtim, ku nuk ke të drejtë pune, as studimi me këtë liberalizim, ashtu siç e di unë, nëse nuk gaboj. Kështu që nuk besoj që reflekton diçka në studime te ne, mirëpo, për ta parë Evropën, po. Por, normalisht është një shtyrje tjetër, sepse t’iu nënshtrohesh përsëri procedurave, nëpër ambasada, është keq”, vlerëson Engjëlli.
Mosdhënia e rekomandimit për liberalizimin e vizave për zonën Schengen të Bashkimit Evropian për qytetarët e Kosovës, për vitin 2016, nga ana e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, më 15 dhjetor, është pasuar me raportin e Komisionit Evropian për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës për vitin 2016.
Në këtë raport, janë vlerësuar përparimet e arritura në përmbushjen e kritereve, për janë nënvizuar gjithashtu edhe 8 kritere që kanë mbetur për t’u përmbushur.
Kosova kishte gjithsej 95 detyrime për të përmbushur.
Komentet