Të paktën 21 persona, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur pas rrëzimit të një autobusi nga ura afër qytetit të Venecias në Itali.
Autobusi është përplasur mbrëmjen e së martës në pengesë dhe më pas ka rënë në binarët e trenit në zonën Mestre, e cila lidhet me Venecian përmes një ure.
Në mesin e të vdekurve janë pesë ukrainas, një gjerman, dhe shoferi italian, ka thënë kryetari i zonës Mestre, Michele Di Bari.
Kryetari i Vencias Luigi Brugnaro, e ka përshkruar incidentin si “tragjedi të madhe”.
“Një skenë apokaliptike, nuk kam fjalë”, ka thënë ai në rrjetet sociale.
Autobusi besohet se është marrë me qira për t’i dërguar turistët në Venecia prej një kampi të afërt.
Në disa raportime është thënë se autobusi ka funksionuar me gaz dhe kur ka rënë në kontakt me rrymën e binarëve të trenit, është përfshirë nga flakët.
Shkaku i saktë i përplasjes nuk dihet ende, dhe ekipet e shpëtimit janë duke punuar në vendin e ngjarjes.
Të paktën 18 persona janë plagosur, pesë prej tyre seriozisht.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka thënë se është duke i vëzhguar nga afër zhvillimet dhe ka shprehur ngushëllime për viktimat.rel