Kryetarit të Autoritetit të Medias Audiovizuale Për dijeni: Komisionit të Medias në Kuvendin e Shqipërisë I nderuar zoti kryetar, prej disa ditësh duket se bota po kalon një kohë tjetër në histori. Megjithëse ende kërkojmë të ngadalësojmë frikën për të ardhmen dhe ta mbajmë atë jashtë përditshmërisë sonë, tashmë kemi kuptuar se kemi një luftë të përbashkët për të jetuar ndaj një armiku, i cili nuk është përballë, por që në mënyrë tinëzare mundohet të godasë normalitetin e popujve të lirë, mënyrën e tyre të jetesës dhe besimit, bashkëjetesën, lirinë, vëllazërinë, të gjitha vlerat mbi të cilat kemi ngritur jetën tonë e të familjeve tona.
E ndërgjegjësuar se ka një fushatë të pafre për të goditur këtë përditshmëri që mund të jetë edhe e vështirë, edhe e palumtur shumë herë, por i vetmi realitet që kemi e të cilin duhet ta ruajmë e mbrojmë me çdo kusht, po ju shkruaj këtë letër, në të cilën kërkoj zyrtarisht nga ju dhe autoriteti që drejtoni të shqyrtoni në mënyrë urgjente shqetësimin tim, për të mos lejuar në mediat e vendit transmetimin e pamjeve filmike të krimeve e torturave të organizatës terroriste ISIS. Emitenti televiziv “Rainews” ka nisur i pari me këtë vendimmarrje, shembulli pozitiv i të cilit nuk mund të lihet dhe trajtohet si rast i izoluar.
Njerëz që ekzekutohen, prerje kokash, djegie të gjalla, fëmijë që kthehen në vrasës, gjenocide mbi foshnje, burra e gra, janë vetëm pak prej atyre skenave, me të cilat ushqehet propaganda e terrorit. Lajme që prodhojnë frikë, pasiguri, ankth e terror te fëmijët, të rinjtë dhe familjet tona.
Pikërisht për këto arsye, por edhe për shkak se shumë herë kjo propagandë e çartur sjell pështjellim e vendimmarrje të gabuara tek të rinjtë tanë, kërkoj nga ana juaj që të fusni si kërkesë të institucionit moslejimin e këtyre pamjeve dhe videove terrorizuese në mediat audiovizive.
I nderuar zoti kryetar, në bazë të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, neni 4 pika b,c; neni 33 ç,d; institucioni që ju drejtoni ka të drejtën e detyrimin të ndërhyjë në transmetime të dëmshme mediatike në mbrojtje të parimeve themelore dhe të drejtave njerëzore, mbi të cilat ne dhe fëmijët tanë kemi bazuar mënyrën tonë të jetesës.
Duke ju falënderuar paraprakisht, shpresoj në një përgjigje të shpejtë dhe efikase nga ana e institucionit tuaj, që më së paku do sillte një normë të re në jetën tonë të trazuar e do përbënte një shembull të mirë reagimi për të mundur mortajën e kohës sonë “Propagandën e Terrorit”.
Mesila Doda
Deputete
Komentet