Javën e shkuar një hulumtim ka krijuar valë të larta në disa qeveri, ndërmjet ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, në diplomacitë e në organet e shtypit. E ka sendërtuar Ecfr (European Conouncil on Foreign Relations). E dhëna që bën më tepër të rrihen mendimet nuk ka të bëjë shumë me përceptimin e ndryshëm që kanë për Kinën amerikanët dhe evropianët: 52% e të parëve e quan një shemër e 38% një kundërshtare, nivele që zbresin përkatësisht në 24 dhe 11% ndërmjet të dytëve; me 43% të evropianëve që e shohin Pekinin si një bashkëpuntor të nevojshëm. Jo, numri që ka rënë më shumë në sy është 62% e qytetarëve të Kontinentit të Vjetër që mbështesin asnjanësinë në rast të një lufte ndërmjet Shteteve të Bashkuara e Kinës, nëse kjo e fundit do të sulmonte Taivanin. Kuota ngrihet në 65% ndërmjet italianëve (vetëm 18% mendon se Italia duhet të mbështesë Shtetet e Bashkuara).
Në muajt e shkuar është folur shumë për ishullin që Pekini don të bashkëngjisë me të mirë e, nëse nuk mundet me të keq. Dhe është bërë shpesh krahasimi me mësymjen e Ukrainës në rastin kur kinezët do të vendosnin t’a merrnin me forcë. Tani është e qartë që për pjesën më të madhe të opinionit public evropian krahasimi nuk është bindës: ndoshta Taivani konsiderohet tepër larg. Në Washington ka filluar të bëjë rrugë një krahasim me gjasë më i saktë, i aftë të ndihmojë për të vlerësuar se sa e rëndësishme është për botën të mbrojë një nga demokracitë më të shkëlqyera e më të qëndrueshme të saj. Është një argument që mund të jetë bindës edhe n’Evropë. Është ngjajshmëria me urën ajrore që më 1948-49 Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe sendërtuan për të ruajtur autonominë e demokracinë në Berlinin Perëndimor, kundër të cilit Bashkimi Sovjetik kishte detyruar një bllokim (një bllokim që do të mund të sendërtonin edhe komunistët kinezë në qiellin e detin kundër Taivanit).
Washingtoni dhe Londra kryen 250 mijë fluturime mbi Berlin, në ditë të veçanta një në çdo minut, për të furnizuar qytetin e “rrethuar” me të mirat e nevojshme. Qe një nga krizat më të mëdha të Luftës së Ftohtë e mbaroi kur sovjetikët I dhanë fund bllokimit. Qe një fitore pa derdhur gjak, që shpëtoi një demokraci, krijoi ngazëllim dhe kufizoi shpirtin sulmues të Moskës. Sado larg qoftë (edhe Berlini ishte larg për amerikanët), të mbrohet sot Taivani nuk do t’ishte më pak e rëndësishme, edhe për Evropën, se sa Berlin Airlift e 75 viteve më parë. Demokracitë duhen mbrojtur.
“Corriere della Sera”, 15 qershor 2023 Përktheu Eugjen Merlika