Kjo letër e ka një kryefjalë gjeografike dhe ndaj e tillë vendoset tek kreu, se lidhet dijenitë për dheun tënd, Dheshkronjën siç e thosh Samiu ynë i madh. Ju drejtohem jo thjesht për t’ju përcjellë respekt, por edhe si një cytje dhe impuls për t’u gjendur gjithherë në prehër të kësaj Dheshkronje për të cilën ju hulumtoni dhe përcillni dije për studentët tuaj.
Rrëfimi im e ka një dramë brenda tij, çka edhe mund të mos pranohet nga të gjithë.
… E ndjeja në veten time, qysh nëntë vjet më parë, dhe doja që ta shprehja, por e kam ndarë vetëm me njërin prej jush, prof. dr. Perikli Qiriazi, i cili është tanimë në pension.
Sapo kisha hasur Paktin Detar për ndarjen midis të dy shteteve të veriut të detit Jon midis Shqipërisë dhe Greqisë. Kumti më erdhi rastësor. Koordinatat kishin gjetur rrugën e tyre si prej një orientimi mistik drejt një gjeografi ushtarak. Ato i sillte Tedi Blushi i “Gazetës Shqiptare”. E kjo më ka mbetur si një enigmë.
Por le të marrim kahjen e kërkimit tim të atyre ditëve dramatike kur doja mbështetje. U nisa drejt edhe tek prof. dr. Agim Shehu dhe ai sapo kish parë shkoqitjet e para hartografike në mediumet shqiptare qe bindur se Pakti Detar ishte i shtrembër. Ai ishte një nga hartografët më të shquar të Shqipërisë dhe më afroi përkrahjen e parë. Ai dha një intervistë për “Gazetën Shqiptare” dhe të nesërmen ajo u botua në faqen e parë me një fotografi të bukur të tij. Po asaj dite kur unë ndiqja pritjen entuziaste në rrjete sociale dhe komentet ‘online’ që bëheshin për Agimin, më vjen lajmi se ai do ta përgënjeshtronte atë intervistë.
Sa keq që jam ndjerë!
Për kauzën që po ndiqnim nuk ishte e mirë një përgënjeshtrim nga një figurë e njohur hartografike. Me bashkëshorten time, Leonorën, u nisëm që ta takonim përgjatë natës. Para se të shkoja, e mora në telefon. Ai nuk ishte mirë në gjendjen shëndetësore. Unë u shqetësova nga zëri i tij melodioz, por i mekur. Si duket në shtëpi kish njerëz, sepse ndjeja zëra të trazuar! Unë gati në frymëmbetje i thashë që: “të… mos e përgënjeshtrojë intervistën e tij, se ky tekefundit, ishte opinioni i tij shkencor…”. Ai më tha: “Më fal se kam njerëz”!
S’kaloi shumë dhe një njeri shumë i afërt me të… më mori në telefon i nervozuar. Ai shfryu kundër meje sikur unë të kisha ndikuar tek opinioni shkencor i profesorit tim. Siç mora vesh, po asaj nate një profesor nga departamenti juaj kish mbërritur për të ndihur në përgënjeshtrimin gjeografik që duhej bërë. Emri i tij mbetet po ashtu i paidentifikuar. S’di se ç’mund të ketë ndodhur, por përgënjeshtrimi nuk u krye dhe unë u lehtësova. Një ditë më vonë, rrëfimi që po iu përcjell lidhet me ish-rektorin e Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule. Ai kish thirrur në zyrë një gjeograf të shquar të departamentit tuaj, profesor Qiriazin. Ja dhe dialogu që kam mbresuar:
Prof. Kule: “More a ke ndjekur ti një njeri të panjohur në analet shkencore, që ka dalë e na kërkon të lajthisë dynjanë. Këtu është nderi dhe dinjiteti i shtetit! Krijoni një grup pune dhe duhet të reagoni, kjo është një kërkesë shkencore në të mirë të vërtetësisë së këtij pakti të rëndësishëm”.
Prof. Qiriazi: “Kam një mendim ndryshe nga ju. E kam ndjekur dhe nuk më duket se po e trajton keq problemin. Megjithatë, do të bisedoj me kolegët”!
Ndodhi e kundërta, Qiriazi me pavarësinë shkencore erdhi në një emision televiziv aty me njohjen e dinjitetin e duhur vuri në dukje se “përballë Dheut Kontinental të Shqipërisë, në atë ndarje ishte një arkipelag ujdhesash të Jonit të Veriut. Po aty ai hodhi poshtë për herë të parë përkufizimin e Gjirit të Sarandës, i cili në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (si emërtim gjiri) ishte futur në portën e qytetit, ndërsa ndarjes detare i ishte nënshtruar gjiri i bukur dhe jetëdhënës i Sarandës, i cili me rrathët grafikë dukej i pushtuar, prej Kepit të Qefalit deri tek kepi i Mërtesës.
Dy ditë më vonë ne shkuam me Marin Memën në Ksamil, në gjirin e Tetranisit dhe iu afruan Shkëmbit-Cekinë të Barketës, i cili ishte pushtuar nga Pakti Detar.
Ndërkaq, studiues të pavarur kishin dhënë mendim se Gjiri i Sarandës duhej të trajtohej si gji historik, sepse vendndodhja e tij tërësore lidhej në rrënjë historike me tërë kompleksin e Butrintit si një simbiozë dhe komunikimin e tij me Sarandën dhe detin…
Kush dëgjonte vallë?
Sali Berisha në “Zërin e Amerikës” lëshonte anatemat duke përgojuar dhe tallur me legjendën e qytetit, Onhezmin, që sipas tij s’mund të kishte lidhje me ndarjen e hapësirave detare.
Ja pra, të dashur miq, sa i dhimbshëm bëhet ky rrëfim i ndodhur pa asnjë shtesë, me kaq shumë personazhe, me heshtje meskine, me trajtim politik, që nga kreu i shtetit, mjedisin shkencor rrotull këtij visi dhe ti nuk i njeh dot nëse janë të mëmëdheut tënd apo diku tjetër.
Gjiri i Sarandës u braktis, për të nuk flitet fare.
Mesazhi im është shumë i hapur dhe miqësor: “Duke qenë se na bashkon Dheshkronja e këtij vendi, sa më shpejt të organizojmë një ‘Workshop’ ose forum Dheshkronjor në qendër të të cilit të jenë Rrethanat Gjeografike të Dheut Kontinental të Shqipërisë kundruall Korfuzit dhe ujdhesave të tij nga Ngushtesa e Otrantos, Kanalin e Korfuzit dhe deri në Gjirin e Ftelias”.
Në letrën time janë cekur shumë pika, që kanë lidhje me lëndën tuaj dhe dijet që ju përcillni tek breznitë shqiptare, të cilat kanë shumë rëndësi dhe lehtësojnë rinegocimin e Paktit Detar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Unë kërkoj ndjesë nëse kam prishur qoftë edhe një grimë rehatinë dhe trajtën e përditshmërisë suaj intelektuale.
*Pedagog i Jashtëm i Fotogrammetrisë dhe Remote Sensing në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave.
Komentet