“Njeriu ka lindur i lirë, dhe ai është kudo në zinxhirë”.
Zhan Zhak Ruso
Shkresa-shkresa, gjithandej,
si ortekë vërshojnë e zbresin,
s`na ndahen këmba-këmbës,
që kur lindim gjersa vdesim.
Venë e vinë e rreth e qark,
mendjen na e bien vërdallë:
Zotëri,pa një shkresë tjetër,
nuk e zgjidh dot këtë hall !
Shkresë këtu e shkresë atje,
tre kjo zyrë, katër tek tjetra,
herë të reja e herë të vjetra,
si n`lojën me kungulleshka.
Dhe për një sqarim të thjeshtë,
na thonë: shkruajini qeverisë,
më pas vjen përgjigjja-shkresë,
nga bukuria është për kornizë!
Bëjmë përpjekje t`i frenojmë,
por mundimi na shkon kot,
ndodh si te legjenda e vjetër,
e përbindëshit me nënë kokë. 1)
Edhe në shpëtojmë nga njëra,
n`vend të saj, dy të reja dalin,
na shastisin, na turbullojnë,
“s`i gjenden këmbët gjarprit”.
Sëndukë t`vjetër dhe dollapë,
janë plot përplot me shkresa,
më tej i ruajmë e i arkivojmë,
nëpër dosje shtresa-shtresa.
Bëjmë me to edhe albume,
ia tregojmë miqve që vijnë,
“ja një shkresë e diktaturës”,
“dhe kjo tjetra e mbretërisë.”…
Brezat tanë lidhur me shkresat,
stërgjyshi, gjyshi, babai dhe biri,
jemi shkrirë në një trup t`vetëm,
hallka të forta të një zinxhiri…
———————–
1).Hidra:Sipas mitologjisë, Hidra ishte një përbindësh me trup gjarpri dhe me nëntë koka dragonjsh. Herakliu (Herkuli) shkoi për ta vrarë përbindëshin, por sa herë që ai i priste njërën kokë, në vend të saj dilnin dy koka të tjera…
Komentet