-Apologjia ime-
Në një shkrim të fundit për çfarë me 1 shtator 2017 ngjau në sheshin “Skënderbej” ku u mbulua shtatorja e heroi tonë kombëtar Gjergj Kastrioti, shpreha mendimin se nuk është mirë të ndodh kështu dhe se demonstrimet tendencioze fetare nuk shërbejnë për asgjë të mirë. Papritmas kundër meje nisën anatemimet, u hap barku për të nxjerrë të gjitha të këqijat që mbajnë brenda njerëz të fanatizuar që veç rastin presin të shfryjnë me arsye të humbur. Kam një pyetje për të gjitha ata që nuk dinë tjetër veç të shajnë si njerëz ordiner, pa pikë etike dhe mungesë kulture, apo që kërcënojnë duke treguar dhunën si mjet dominimi fetar, pse kështu? Kush ju frymëzon e nxit të bëni shantazhe dhe ofendime të tilla publike Më vjen keq për ta me të vërtetë. Nuk ka dritë në botë ti kërkojë mëshirë errësirës, përkundrazi njerëzit përpiqen që natën sa të jetë e mundur ta ndriçojnë. Kështu funksionon edhe për mendjet e errëta të mbushura skajshëm me fanatizëm fetar.
E ka thënë bukur e thellësisht të ndjerë i madhi Naim Frashëri tek “Fjalët e qiririt”:
“Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s’dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t’u ndrinj më mirë.”
Qëllimi im pra nuk ka qenë tjetër veç ndriçimi i tollovive që po ndodhin me keqpërdorimin e figurave e simboleve që përbëjnë identitetin tonë kombëtar si shqiptar, dhe jo ofendimi në atë që ndokush beson në të drejtën e tij të patjetërsueshme. Duke reaguar ligsht disa po tregojnë se dinë të shkruajnë po nuk dinë të lexojnë. Nuk dinë të perceptojnë mesazhin e një shkrimi të përcjellë në mediat sociale. Ja thelbi i asaj që kam shkruar ”Shqiptarë pa Gjergj Kastriotin nuk ka e as ka për të pasur kurrë!”
Pse ky keqpërdorim i asaj çfarë unë kam theksuar në shkrimin tim se qëndrimi ndaj Gjergj Kastriotit përcakton identitetin e atyre që janë apo duan të jenë shqiptar. Jua përsëris sepse e shoh se ka shumë mishmash fjalësh e të shara prej njerëzish hakmarrës e inatçorë që nuk kursejnë as të gjallë e as të vdekur. As kjo nuk mendoj se është tipike shqiptare. Gjithsesi ta keni kuptuar mesazhin tim, them hapur e pa drojë se në pikëpamje studimi apo shkrimi nuk më intereson asnjë fe. Pra pse e anashkalojnë problemin dhe përqendrohet tek feja. Sa për dijeni të atyre që nuk dinë tjetër veç të shajnë e mallkojnë duke vënë soj-soj epitetesh, në fëmijërinë time të hershme, im atë mësues, çdo festë Bajrami me merrte e shkonim tek nxënësit e tij në Postribë të Shkodrës, që ishin shqiptarë mysliman e që babai im u kishte mësuar të donin Shqipërinë dhe të nderonin Gjergj Kastriotin. Prandaj antimyslimanin shkoni e gjejeni diku tjetër.
Në fokus kam pasur e kam mendimin se identiteti ynë si komb buron nga Gjergj Kastrioti, ai është e mbetet At-Themeluesi i kombit shqiptar. Dhe është krejt i natyrshëm arsyetimi se ata që nuk e pranojnë apo e dhunojnë figurën e Gjergj Kastriotit, flamurin e tij që është flamuri ynë kombëtar, nuk ka mundësi të jenë shqiptar. Sepse të jesh shqiptar do të thotë të kesh disa atribute dhe principe që përmbajnë krenari dhe detyrime. Nëse ndokush pretendon se at-komb formuesi i kombit të tij është Sulltan Murati që e ka tyrben në Prishtinë, dhe atë e ka hero kombëtar, me falni por ai ndokushi nuk ka se si të jete shqiptar, por turk, selçuk, arab, mongol apo diç tjetër. Prandaj flisni për thelbin e problemit sepse unë nuk ja mohoj fenë askujt dhe as që më intereson të diskutoj punë feje. Përkatësia fetare është një gjë personale dhe duhet të mbahet personale. Mburrja në publik për përkatësinë fetare dhe demonstrimi i tejskajshëm në një vend me pluralizëm fetar e kompromenton besimin. Gjithësesi nuk pranoj të hyj në asnjë debat të karakterit fetar por vetëm kombëtar.
Kombi është mbi politikën apo religjionet. Kushdo që ndjehet krenar për identitetin e tij si shqiptar është miku dhe vëllai im, kujtdo feje ti përkasë në besim, por feja të shkojë e të rrijë nëpër tempuj se atje e ka vendin.
Të gjithë ata që janë të fiksuar pas ideve fetare deri në marramendje e errësim të logjikës, i këshilloj të mos i lexojnë shkrimet e mia. Unë shkruaj për mendje të kthjellëta dhe për shqiptarë të vërtetë e jo patriotë me bateri që thonë jam shqiptar e mendjen e kanë Erdogan e Arabi. Gjithçka që shkruaj, e përsëris, e fokusoj në planin kombëtar. E në i doni mendimet e mia hapur e me sinqeritet, mua më vjen fort keq kur shoh që intelektualë shqiptar të besimit mysliman, njerëz shumë të mirë e të kulturuar, të heshtin para të tilla mynxyrave kur u kish dashtë që ata të flisnin të parët, pa na lënë atë barrë neve. Por nëse ata heshtin unë nuk mund te hesht. Pyetja ime nuk i është drejtuar gjithkujt por atyre myslimaneve që ishin në atë shesh me emrin “Skënderbej” në Tiranë me 1 shtator 2017 ku u përdhos figura e heroit tonë kombëtar duke e mbuluar, dhe kryekreje u drejtohet atyre që shajnë dhe e përbuzin Gjergj Kastriotin. Jam fort dyshues se mund të këtë shqiptarë të vërtetë që e dhunojnë imazhin e At-Themeluesit të Kombit te tyre.
Gjergj Kastrioti para se në një monument në sheshet që mbajnë emrin e tij në kryeqytetet arbërore, është në zemër të shqiptarëve dhe atje nuk mund ta prek kush në jetë të jetëve. Ai është i përjetshëm në zemrat tona e, siç na mbrojti nga hordhitë barbare osmane, ashtu dhe ne shqiptarët që kemi genin e tij, do ta mbrojmë deri në fund Atin e Kombit, Gjergj Kastrioti!
Ata që tallen me emrin e tij e vërtetojnë katërçipërisht se janë pjellë bastardë ngecur si mish i huaj në trojet shqiptare. Nuk ka asnjë arsye tjetër kjo sfidë e tyre e inspiruar nga qarqe antishqiptare të cilat financojnë miliona euro-dollarë për të prishur ekuilibrin social në trojet shqiptare. Projekti i fshehtë për të krijuar shtetin neo-otoman në Ballkan nuk është përrallë dhe as një imagjinatë libreske, por një realitet për të cilin punojnë agjendat lindore. Keqardhje është se për të përballuar këtë rrezik, qarqe të caktuara në Europë nxisin krijimin e Jugosllavisë së re. Shqiptarët nuk duhet të bien viktimë e asnjërit krah, por të shohin zhvillimin e forcimin e shteteve të veta nëpërmjet një kordimini ndërshqiptar.
Ajo çfarë dua të theksoj është se dëmin më të madh drejtuesit e Komunitetit Fetar Mysliman të Shqipërisë, duke e mbuluar monumentin e Gjergj Kastriotit e duke bërë ceremoni masive fetare në sheshin që mban emrin e tij, ja kanë bërë shqiptarëve të besimit mysliman. Duke i paraqitur besimtarët myslimanë me pa të drejtë si anti Skënderbe dhe duke i shfaqur në publik si një copëz e kulturës arabe, çfarë në të vërtetë nuk janë.
Nuk kanë pse mërziten nga pyetja ime ata që vënë kombin para fesë, sepse për ata nuk kam asnjë pyetje janë vëllezërit e mi të një gjaku dhe të një ideali kombëtar çfarëdo besimi ti përkasin.
Kam bindjen që Gjergj Kastrioti nuk është simbol fetar kristian, por prijës dhe hero kombëtar i shqiptarëve. Edhe sikur Papati të kërkonte ta bënte shenjtor të katolicizmit, unë i pari do të thosha publikisht jo. Ai është gur themeli i kombit tonë, atdheut tonë, ku duhet të jetojnë në harmoni të gjithë besimet, por si një shtet modern laik ku shteti dhe feja janë të ndara dhe gjithmonë me prioritet shqiptarinë.
Të jesh shqiptar nuk është vetëm një fjalë, është edhe një vepër, e bashkë me të një përkushtim e nderim për kombin të cilit i përkasim.
3 shtator 2017
Komentet