Poeti shkodran Nikolin Gurakuqi pritet në Vlorë si në shtëpi
Banor të mendimeve të poetit të bën e vërteta thënë në sy dhe me art. Bota e poetit është si deti në prill e në maj, që zvetnon bukurisht me fisnikëri edhe diellin flokëthinjur, siç shprehet autori shkodran Nikolin Gurakuqi në një poezi të librit më të ri “Nëse… Ae di?!”. Fillimisht nuk më shkaktoi ndonjë ndjenjë të këndshme titulli i librit “Nëse… Ae di?!”, për vetë faktin se më ngjau si ato shprehjet tradicionalisht të lodhura dhe thashë me vete: “Po ky Nikolini, emërdëgjuar, fisnik qytetar, atdhetar me kulturë…, njeri i artit, regjisor me emër e me përvojë shkrimore, si nuk gjeti një titull të bukur, një metaforë të gjallë për këtë libër me poezi të reja? Dhe është i katërti libër me poezi, ndërkohë që sidomos tek “Stinët e dhimbjes time” (2013) dhe “Skenaristi i qiellit të uzurpuar”, bashkautor me Marsidin, (2016) lexuesi ndjen se rrjedh natyrshëm poezia si një art sentimental, që jo rrallë herë përplaset në brigjet e thepisura të realitetit shkëmbor të jetës njerëzore, gjakoset, por nuk thyhet. Kështu mendova,… por qysh në poezinë e parë vërejta se Nikolini kishte të drejtë, sepse ndjeva që varg pas vargu e vjershë pas vjershe po rritej një urugan pështjellimi ndaj venitjes së vlerave e virtyteve të kulluara njerëzore, që kanë ardhur brez pas brezi si margaritarë të shoqërisë shqiptare, të ruajtura e të pasuruara për ta bërë më të bukur jetën, duke e vlerësuar si gjënë më të shtrenjtë jetën, dashurinë e pastër dhe fisnikërinë e familjes. Sidomos poezia “Kjo kohë e pamëshirshme”, më bindi plotësisht se titulli i shkonte përshtat pëmbajtjes së materialit të pasur poetik me gjeografi tematike e motivesh. Në këtë kohë të kalbur, kërkohet plugim në mentalitet, në sjellje, në sjellje, në veprim, në edukimin estetik e artistik, sepse jemi Njerëz. Dhe NJERIU visaret më të çmuara në jetë ka Emrin, Nderin, Atdheun. Dhe për këtë synim të lartë, si me frymëzim hyjnor jep mesazhet e tij Nikolin Gurakuqi për të bërë gati një revolucion biblik në rrafshin e të qenit, të shpehurit, të jetuarit si njeri, qytetar i vërtetë. Dëshiroj t’jua përcjell dashamirësve të poezisë, lexuesit tonë klithmën rrëqethëse të kohës nga pena e autorit të mbarënjohur N. Gurakuqi në poezinë e sipërcituar, që mund ta quajmë pa mëdyshje antologjike:
“E pamëshirshme kjo kohë,/ Kaq shumë iu luta e nuk më ktheu përgjigje./ Qenka cinike, e pafytyrë,/ Dua të filloj nga e para, që të heq kohën e ligë./ Çdo gjë përmbi planet ka afatet e veta,/ Kështu janë dhe dashuritë./ Kjo kohë qenka si fantazmat,/ I urreka dhimbsuritë./ Ti mendon se më gjynjëzove kohë,/ Hallin dhe mallin të madh e kam,/ Por unë përsëri në këmbë jam,/ Lëmoshë nuk të kërkoj, se nuk të kam frikë./ Zemra ime rreh edhe më fort e s’do t’ja dijë për ty,/ Se rreh edhe për dy vetë,/ Për mua që rri në këmbë/ Dhe për atë që rri shtrirë i qetë./ Ti mendon se më ke vënë afate, por gabohesh,/ Unë nuk kam kohë,/ Koha ime është dashuri,/ E dashuria ime nuk mbaron kurrë,/ Siç nuk mbaron kurrë kripa në det./ Mulliri im bluan dashuri të përjetshme,/ E afatet e tua kohë nuk i pyet./ Dashuria nuk varet nga ligjet e tua,/ As nga rrotullimi botës,/ As nga prepotenca e diellit,/ As nga melankolia e hënës,/ As nga fenomenet e natyrë,/ Të varura në kremastarin e kohës,/ Por nga rrahjet e zemrës, të lidhura me kromosonet e limfës./ Ti mendon se plagët e tua kraharorit tim,/ Ma vranë dashurinë për evlatin,/ Sa rëndë gabohesh./ Dashuria ime është dhjetëfishuar shtrigë,/ Si një rrëke filloi nga pak, pikë-pikë./ Tani është bërë det,/ Më vonë oqean do të bëhet e pafytyra kohë,/ Vërshimi i tij do të përfshijë edhe ty,/ Që as ku të fshihesh a strukesh./ Vend s’do të kesh!” Është një vjershë tronditëse, por fatkeqësisht plazmë e hidhur e realitetit, që lëviz nga themelet njerëzimin, apo të paktën këtë mikrokozmos njerëzor që ne njohim dhe autori e rrok artistikisht si një bulëz migjeniane. Duket sikur poeti na bën moral, por jo, ai dhemb, ai është i vërtetë, veçse i paulur. As humbja e djalit 7 vjet më parë në Itali nuk e uli trimin e vargut, dinjitetin e familjes, rrënjën e thellë të shoqërisë qytetare. Tek libri i parë “Stinët e dhimbjes time”, klithma për humbjen e djalit, atij meteori të shndritshëm, na prek dhe ne e na bën ta përjetojmë keq gjendjen e pikëlluar të poetit, që u vuri para dilemës: t’i dorëzohej fatit duke qarë, apo ta kthente dhembjen në kurajo burri, sepse për, fat e ka edhe një djalë tjetër shumë të mirë. Gurakuqi i Ri mori vendim së brendshmi: do të qëndronte në këmbë, do të jetonte, do të punonte e do të shkruante për të dhënë mesazhin universal të dashurisë, duke bërë vepra për djalin e tij, për rininë shqiptare, për bijtë e nënave që “kjo kohë e pamëshirshme” rrëmbeu në lule të jetës. Me një varg larg folkorizmit të vjetër dhe artificializmave, embrioni poetik i Nikolinit çeli zërin individualist të protestës së sotme, të zhgënjyerën dinjitoze, që nuk bën poezi për moral, por MORALIN e ngre në art, sepse ka forcë depërtuese sa që pastaj ka shpresë e del mbi natyrën pesimiste depresive, të diktuar nga rrethanat e kohës së kalbur me liliputët e saj të shpërfytyruar nga viruset e skamjes morale. Gurakuqi i Ri është poet i jetës dhe i dashurisë, duke i kënduar poetikisht sipas këndvështrimit të tij origjinal dhe pa maska, pa vargje me buzëkuq. Poezi si ato me titull “Puthja”, “E zhveshur” apo “Fara e jetës” që janë të pakta në rrafshin e të shkruarit poetikisht me realizëm të bukur jetësor, artistik, estetik, ne i lexojmë të gjithë me endje, i përsërsim me vete jo pak herë me kënaqësi, por nuk e themi në takime letrare, si duket ende ndrydhemi nga paragjykimet ende konservatore mbi të vërtetën e bukur jetike të çiftit, bërthamës së shëndetshme të shoqërisë qytetare. Kush është ai i dashuruar që nuk banon në ëndrrën e të dashurës e s’ndihet si princ, kush është ajo vajzë që puthjet e djalit nuk i vesh si kostum të ëmbël magjik për t’u ndier princeshë?! Vërejmë se janë shumë poezi në këtë vëllim poetik, ku detit i thuren vargje të dashura, të ngrohta, për të mos thënë që gati në çdo poezi Nikolini do të hedhë një grusht det nga bujaria e tij e pamatë. Ai i shkruan detit kaltërosh të prillit, detit buzagaz të qershorit aq të diellzuar, detit syshkruar të shtatorit nëpër shirat e ngrirë të historisë, detit të tetorit, të braktisur si kështjellë pa vizitorë, detit depresiv të nëntorit, që “nga dëshpërimi tretet, dobësohet, / bëhet kockë e lëkurë,/ nuk do njeri nëpër këmbë”, detit mendimturbullt të dhjetorit, detit të qelqtë, lëkurëhollë e naiv nga sekretet intime, detit të relaksuar si një këngë malli apo revoltës detare, që “nganjëherë i pëlqen vetja,/ lyhet me flori,/ i vendosur i braktis idealet…”. Ai e dashuron detin marrëzisht, si femrën, të tërën, në infinit, kaltërsisht lakuriq. Ç’ne ky poet nga Shkodra me banim në Tiranë ta trajtojë detin sikur ta ketë të dashur?! “E kam dashnore – thotë ai – e s’ndahem dot me të”. Nëna e tij është dhe ajo shkodrane me origjinë, por lindur e me banim në Durrës. Kështu që domosdo do të bëhej dhe Gurakuqi i Ri një durrsak i thekur për detin. Ndërkohë, edhe në poezi ai s’kërkon të matet me askënd. Misoni i tij është bëjë poezi njerëzore, për jetën, për emancipinim e gruas shqiptare, për dashurinë dhe e quan tragjedi kombëtare faktin se ka ndër ne nga ata, të cilët fjalën e fundit e thonë të parën. Ka nga ata … Ende… Kjo gjendje i dhemb jo pak. Demokracia na fal tolerancë, jo urrejtje, është mesazhi i vargjeve të tij. Fusha e veprimtarisë së N. Gurakuqit është teatri muzikor dhe letërsia, prandaj ai vlerëson dhe jep ndihmesën e tij për të bukurën, të dobishmen, pozitiven, të mirën edhe si regjisor, e sidomos si poet. Theksojmë se është i tejdukshëm arti sentimental në poezinë e Gurakuqit, sepse ai vjen na skena, nga teatri muzikor, që e pëlqen të bukurën dhe e ngre në art. Ndihet rritja e kualitetit poetik të tij nga libri në libër, duke lënë gjurmë në lëvrimin e prozës poetike dhe poezisë moderne. Falë ndihmesës së dukshme në kulturën kombëtare, N. Gurakuqi ka merituar urdhërin e çmuar “Naim Frashëri i Artë” dhe dekoratën e lartë “Mjeshtër i Madh”, sepse, siç shprehet miku i pandashëm i tij, shkrimtari dhe redaktori “personal” Albert Zholi, Nikua është intelektual i shkallës më të lartë, por edhe njeriu më i thjeshtë i qytetit. Nikolin Gurakuqi nuk është poet akuariumi, por është poet i natyrës lirike, i filozofisë qytetare, i atdhetarisë idealiste. Është një vel i fortë i anijes me trëndalifa të kuq e të freskët të dashurisë. Ai jeton shëndetshëm e denjësisht, udhëton me bashkësinë qytetare që të mos turpërojë emrin e tij, të familjes, të traditës, kontributin e Gurakuqëve dhe çdo gjë kërkon ta realizojë në përsomëri. Arrij në këtë pëfundim sepse vargu i saj lëviz, është në veprim, ka ngjyrë, ka erë, ka terren, ka fenomene, ka hapësirë e të gjitha këto jo të ngjyera me art, por dalin nga bërthama e artit të fjalës. Dhe … banor të mendimeve të poetit të bën e vërteta thënë në sy dhe me art.
*Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë
Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë
Komentet