Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zbuluar detaje në lidhje me konfliktin e armatosur që ndodhi në orët e para të së shtunës në një lokal nate në kryeqytetin e Prishtinës.
Sipas prokurorisë, nga përplasja e armatosur midis disa personave Si pasojë e plagëve të marra nga armët e zjarrit, ka humbur jetën në spital Kastriot Ramadani 37-vjeç, si dhe janë plagosur shtatë persona të tjerë.
Sakaq ndihmë mjekësore kanë kërkuar dhe 13 persona të tjerë të cilët kanë pësuar lëndime trupore thyerja e xhamave ose goditjet me objekte.
“Më datën 04.08.2023 në orët e mbrëmjes, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, që në rrugën ‘Rexhep Luci’ në Prishtinë respektivisht në lokalin ‘Bon Vivant’, ka të shtëna me armë zjarri. Me të marrë informacionin, prokurori i shtetit bashkë me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ka konstatuar se si pasojë e të shtënave ka persona të plagosur
Është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet në komunikatën e prokurorisë për media.
Gjithashtu bëhet me dije se një prej personave si i dyshuar për vrasje ndodhet në arrati, ndërkohë që të gjithë personat e përfshirë raportohet se kanë të shkuar kriminale.
“Prokurori, rastin në fjalë e ka cilësuar ‘Vrasje të rëndë’ neni 173, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ neni 366 dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’ neni 187 i Kodit Penal të Kosovës”, njofton prokuroria.
Të dyshuar për vrasjen e 39 vjeçarit Kastriot Ramadani, janë Dukagjin Nikollaj, një person me precedentë penal në fushën e trafikut të drogës, i shpallur në kërkim dhe nga FBI.
Të dyshuarit e tjerë janë Andi Pajaziti, i cili ndodhet i arrestuar në spital, si dhe Hysni Geci dhe Gëzim Zakuti, po ashtu të arrestuar.