Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë të emëruar me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Një e treta e përbërjes përtërihet çdo tre vjet. Gjyqtarët duhet të kenë arsimin e lartë juridik, të kenë kualifikim të lartë e përvojë pune jo më pak se 15 vjet. Kryetari emërohet nga rradhët e anëtarëve nga Presidenti i Republikës për 3 vjet me të drejtë riemërimi (neni 125 i Kushtetutës). Gjyqtarët kushtetues gëzojnë imunitet. Ata nuk mund të ndiqen penalisht pa pëlqimin e vetë Gjykatës Kushtetuese (neni 126 i Kushtetutës). Gjithashtu ata nuk mund të shkarkohen, përveç se në rastet e parashikuara nga Kushtetuta (neni 128). Gjithashtu Funksioni i gjyqtarit kushtetues është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër publik ose veprimtari private (neni 130 i Kushtetutës). Mandati i gjyqtarit kushtetues përfundon kur:
- dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
- nuk paraqitet pa arsye në detyrë për më shumë se 6 muaj;
- mbush moshën 70 vjeç;
- jep dorëheqjen;
- deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim të formës së prerë;
1. Bashkim Dedja, Kryetar
Lindur më 13.03.1970 në Dibër. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1993. Nga viti 1993-1996 ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe më pas deri në vitin1998 si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Prej vitit 1998-2010 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Durrës. Aktualisht, është pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Drejtësisë së UT në të drejtën penale dhe në Shkollën e Magjistraturës në lëndën “Shkrimi dhe arsyetimi ligjor” si dhe është ekspert i trajnimit vazhdues. Ka bashkëpunuar në disa grupe pune për hartimin e Kodit të Punës si dhe përmirësimin kodeve të Procedurës civile dhe penale. Prej dhjetorit 2007 e në vazhdim është anëtar i Komisionit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Në muajin maj të vitit 2010 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe që nga muaji shtator i këtij viti është Kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Në muajin tetor të vitit 2013 riemërohet Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
2. Dr. Vladimir Kristo, anëtar
Lindur më 25.04.1947 në Korçë. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1969. Nga viti 1969 deri në vitin 1983, ka ushtruar detyra të ndryshme pranë organeve të drejtësisë në Shkodër dhe në Tiranë dhe në vitet 1983-1992 ka qenë përgjegjës i Sektorit të Studimeve në Prokurorinë e Përgjithshme. Në vitin 1990 mbron gradën “Kandidat i shkencave” dhe që nga viti 1994 është “Doktor i shkencave”. Në vitet 1992-1996 ushtron funksionet e Zëvendësministrit të Drejtësisë. Ndërkohë, ai ka ushtruar funksionin e Kryetarit të KQZ-së për zgjedhjet vendore të vitit 1992 dhe për referendumin e vitit 1994 për Kushtetutën. Në vitet 1992 – 1996 ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe anëtar i Komitetit të Koordinimit dhe Bashkëpunimit Juridik të Këshillit të Evropës. Në maj 1996, emërohet këshilltar juridik i Kryeministrit. Prej më shumë se 20 vjetësh ka qenë lektor i jashtëm i lëndëve të së drejtës në institucione të larta arsimore të vendit. Në vitet 1998-2005 ushtron profesionin e avokatit, atë të konsulentit juridik privat etj. Në vitin 2005 emërohet në funksionin e Zëvendësministrit të Drejtësisë. Në prill 2007 emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe në periudhën 2007-2010 ka kryer detyrën e Kryetarit të kësaj Gjykate. Është bashkautor dhe oponent në hartimin e ligjeve bazë në fushën e drejtësisë dhe të administratës publike, ka shkruar artikuj e studime në fushën e së drejtës botuar në revista brenda dhe jashtë vendit, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar me tema në shumë takime e tryeza të rrumbullakëta për çështje të organizimit të drejtësisë.
3. Dr. Vitore Tusha, anëtare
Lindur më 26.11.1960 në Tiranë. Diplomuar në vitin 1983 në Fakultetin e shkencave Politike-Juridike, dega Drejtësi. Nga viti 1983 deri në vitin 1990, ka ushtruar detyrën e Përmbarueses Gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe më pas deri në vitin 1992 ushtroi profesionin e avokatit. Në periudhën 1992-1994 ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e rrethit Tiranë dhe në vitet 1994-2001 atë të gjyqtares në Gjykatën e Kasacionit. Në vitet 1999-2001 ka qenë kryetare e Kolegjit Civil të kësaj gjykate. Në vitin 1997 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike”. Në vitin 2004 zgjidhet nënkryetare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Nga viti 1986 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Civile dhe Procedurës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës. Është bashkëautore në hartimin tekstit Procedura Civile. Ka marrë pjesë me cilësinë e ekspertes ligjore në hartimin e disa projektligjeve. Në mars 2008 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
4. Dr. Sokol Berberi, anëtar
Lindur më 07.01.1967 në Kajro. Pas diplomimit në Fakultetin e Drejtësisë të UT-së, ka punuar pranë organeve të drejtësisë në Tepelenë. Në vitet 1991-1997, ka ushtruar detyrën e këshilltarit ligjor pranë komisioneve parlamentare dhe në vitin 1998 është emëruar këshilltar ligjor në Kryesinë e Kuvendit. Ka ndjekur procesin e hartimit të Kushtetutës të vitit 1998. Në vitin 1999 është një nga themeluesit e Qendrës së Studimeve Parlamentare dhe koordinator i botimit të revistës së saj. Që nga viti 1997 është pedagog në Fakultetin e Drejtësisë të UT-së dhe në Shkollën e Magjistraturës. Nga viti 2003 dhe në vazhdim është lektor i lëndës “E Drejta Kushtetuese” . Në vitet 2000-2005 ushtron profesionin e avokatit dhe gjatë kësaj kohe kryen studime pasuniversitare të gradës “Master”. Në Prill të vitit 2015 ka marrë gradën shkencore “Doktor”. Nga viti 1999 e në vazhdim ka marrë pjesë në një sërë projektesh të ndryshme me cilësinë e ekspertit ligjor, pedagogut trajnues në fushën ligjore etj. Është autor i një sërë shkrimeve dhe artikujve shkencorë në fushën e të drejtës kushtetuese. Në muajin prill të vitit 2007 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
5. Dr. Altina Xhoxhaj, anëtare
Lindur më 9.10.1970 në Tiranë. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1994. Në vitet 1992-1993 kryen studime të Programit Tempus në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Trentos, Itali. Në vitet 1994-1995 ka punuar juriste pranë Ministrisë së Drejtësisë. Prej vitit 1995 ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë. Gjatë viteve 2006-2010 ka qenë anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në vitin 2008 merr gradën “Master”në shkencat civile. Në janar të vitit 2013 ka marrë gradën shkencore “Doktor”. Në periudhën 1995-2000 ka qenë pedagoge e jashtme në Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Prej vitit 2003 ushtron mësimdhënien në Shkollën e Magjistraturës në lëndën “E drejta Tregtare” si dhe është eksperte e trajnimit vazhdues për gjyqtarë. Në muajin Maj të vitit 2010 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Është autore e disa artikujve shkencorë ne fushën e së drejtës tregtare në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.
6. Fatmir Hoxha, anëtar
Lindur më 21.03.1968 në Pukë. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1991. Nga viti 1993-1996 ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë ku dhe ka ushtruar detyrën e Kryetarit. Në vitet 1996-1998 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Tiranë. Prej vitit 2003 deri në vitin 2008 ka ushtruar detyrën e Kryetar të Gjykatës së Apelit Shkodër. Në muajin qershor të vitit 2011 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
7. Gani Dizdari, Anëtar
Lindur më 30.04.1949, në Tropojë. Është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1972. Ka punuar si Prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Tropojë, në periudhën 1973-1982, dhe si Prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Departamenti Gjyqësor, në vitet 1982-1989. Nga viti 1989 ka qenë prokuror pranë Gjykatës së Kasacionit, dhe në periudhën 1995-1999 ka ushtruar detyrën e Zëvendës-Prokurorit të Përgjithshëm. Ka ushtruar profesionin e avokatisë në vitet 1999-2006, si anëtar i Dhomës së Avokatëve Tiranë. Në vitet 2006-2013 ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë (nga qershori 2007 dhe Kryetar i Kolegjit Penal të kësaj gjykate). Në muajin prill të vitit 2013 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
8. Besnik Imeraj, Anëtar
Lindur më 6.12.1954, në Tiranë. Diplomuar për Drejtësi, në vitin 1977, në Universitetin e Tiranës. Në periudhën 1977-1991 ka ushtruar detyra të ndryshme pranë organeve të drejtësisë në Elbasan dhe Tiranë. Në vitet 1991-1997 ka qenë jurist pranë shoqërisë tregtare “Trans-Albania”, si dhe ka ushtruar profesionin e avokatit. Gjatë periudhës janar 1998 -mars 2005 ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Apelit Durrës dhe, në vitet 2000-2006, ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nga viti 2000 e në vazhdim është pedagog i jashtëm pranë Shkollës së Magjistraturës. Në vitet 2005-2013 ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Në muajin prill të vitit 2013 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
9. Fatos Lulo, Anëtar
Lindur më 2.09.1961, në Tiranë. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, në vitin 1988. Nga viti 1989 deri në fund të vitit 1992 ka punuar pranë Këshillit të Ministrave, në Komitetin e Punës dhe Përkrahjes Sociale, më pas Ministria e Punës, Emigracionit dhe Çështjeve Sociale. Në periudhën 1994-2004 ka ushtruar profesionin e avokatit. Në vitin 2004 u zgjodh nga Parlamenti i Shqipërisë si anëtar i Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (KKRT). Në vitet 2005-2013 ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Në muajin maj të vitit 2013 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Komentet